Opozita protestin, policia provokoi përplasje

Gjekmarkaj në spital, Berisha: Nuk ndalemi, qeveri teknike

Për afro 3 orë opozita protestoi duke bllokuar 5 akset kryesore në Tiranë, atë tek Rruga e Elbasanit, para bashkisë, sheshin Wilson, rrethrrotullimin e Zogut të Zi, si dhe zonën tek Pallati me Shigjeta.

Ky tubim e gjeti kreun e demokratëve në shesh me qytetarët, duke e nisur marshimin nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit, aty ku nuk munguan përplasjet mes policisë dhe deputetëve të opozitës.

 “M’u zhduk, nuk pyes fare kush je ti…”

Berisha që iu rikthye protestave pas pothuajse 1 viti tha se opozita nuk tërhiqet nga mosbindja civile pa u plotësuar më parë kërkesa e saj për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

“Ne nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona, qeveri teknike, zgjedhje të lira. Nuk tërhiqemi!”

Tentativat e policisë për të shpërndarë turmën edhe në Sheshin Wilson shkaktuan jo pak tension e përplasje. Aspak e qetë situata nuk ishte edhe përpara Bashkisë së Tiranës, ku pavarësisht shiut të dendur Sali Berisha i’u bashkua në këmbë protestuesve që mbanin këtë aks rrugor të bllokuar.

“Janë zhdukur si minjtë. Kryeqyteti i tërë është i qytetarëve! Në 43 gradë në të nxehtë, dhe në të ftohtë në shi, i dhatë hajdutit atë që meritonte.

E teksa Berisha vijonte akuzat në adresë të kryebashkiakut Veliaj, tensionet dhe përplasjet vijonin në një tjetër aks të bllokuar, atë tek “Zogu i Zi”, ç’ka e detyroi kreun e demokratëve të marshojë drejt kësaj zone. E njëjta situatë ishte edhe në zonën e Pallatit me Shigjeta, ku si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia, Sali Berisha tha se nënkryetari i demokratëve Agron Gjekmarkaj kishte humbur ndjenjat.

Teksa la në mes marshimin e tij nëpër akset e bllokuara, Berisha u nis menjëherë në spitalin e Traumës ku pa gjendjen shëndetësore të Gjekmarkajt dhe u njoh me versionin e tij.

“Isha i mbështetur te një makinë, u thashë jam nënkryetari i Parlamentit, jam profesor në Universitet. Më shtynë, as më shikonin në sy kështu…me përbuzje, më ushtruan presion në gjoks dhe mbeta pa frymë.”

Për aktin Berisha bëri përgjegjës kryeministrin, ndaj të cilit i vijoi akuzat edhe jashtë ambienteve të spitalit të Traumës.

“Në këtë mënyrë vepron vetëm një frikacak, një burracak. Po si mund të rrethohet një njeri, një deputet, një nënkryetar parlamenti nga 15 policë? Ata e kanë qëlluar, se pse do humbte ndjenjat ai?”

Pas kreut të demokratëve, Gjekmarkaj u vizitua edhe nga Gazment Bardhi e me urdhër të mjekëve u transferua në QSUT për ndihmë më të specializuar.

Leave a Reply