Opozita mposht Bojko Borisov në Bullgari, por a e bën dot qeverinë?

Partia “Ka një popull të tillë”, e udhëhequr nga prezantuesi televiziv Slavi Trifonov, doli forcë e pare në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari, por krijimi i qeverisë së re duket një mision i pamundur.

Rezultatet finale treguan se partia e Trifonov ishte e para me 24.08 për qind të votave kundrejt koalicionit GERB, të udhëhequr nga ish-kryeministri Boyko Borisov, i cili arriti të marrë  23.51 për qind të tyre.

Zgjedhjet e 11 korrikut ishin të dytat brenda tre muajve pasi procesi në prill rezultoi në një parlament të fragmentarizuar që dështoi në krijimin e një qeverie të re. Forca e Trifonov arriti të fitonte më shumë se 92,000 vota krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, ndërsa koalicioni GERB rreth 200 mijë më pak.

Borisov ka dominuar politikën në Bullgari, që në vitin 2009, duke drejtuar vendin për 12 vjet. Por, akuzat për korrupsion dhe standardet e ulëta të jetesës kanë ulur mbështetjen e qytetarëve ndaj 62-vjeçarit dhe partisë së tij.

Parlamenti i Bullgarisë ka 240 deputetë dhe të drejtë vote kishin rreth 6.7 milionë qytetarë. Vëzhguesit ndërkombëtarë nga OSBE thanë se zgjedhjet ishin konkurruese dhe se liritë themelore në përgjithësi ishin respektuar.

Ndërkohë, pas fitores së Trifonov, pritet me interes qëndrimi që do të mbajë Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut pasi Sofja zyrtare ka bllokuar me veton e saj hapjen e negociatave të anëtarësimit për vendin fqinj.

Leave a Reply