Partitë opozitare në Britaninë e Madhe u pajtuan që të mos e mbështesin kërkesën e kryeministrit Boris Johnson për zgjedhje të përgjithshme përpara një samiti të Bashkimit Evropian, në mes të tetorit.
Opozita, me në krye dy partitë më të mëdha: Laburisët dhe Demokratët Liberalë, tha se do të votojë kundër qeverisë ose do të abstenojë në votimin e së hënës për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të parakohshme.
Johnson tha se partitë po bëjnë një “gabim të jashtëzakonshëm politik”.
Ai do që zgjedhjet të zhvillohen më 15 tetor, përpara samitit në Bruksel më 17 dhe 18 tetor.
Sipas tij, një gjë e tillë do t’i mundësonte qeverisë të realizojë Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga BE-ja, më 31 tetor.
Data e Brexit-it është shtyrë dy herë.
Johnson këmbëngul se procesi duhet të realizohet në fund të muajit të ardhshëm, me ose pa marrëveshje me BE-në.
Por, një gjë e tillë kundërshtohet nga shumica e deputetëve në Parlamentin britanik, të cilët kanë miratuar një projektligj që e parandalon largimin e Britanisë pa marrëveshje.
Brexit-i pa marrëveshje do të nënkuptonte pasoja të rënda ekonomike për Britaninë, ka paralajmëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Parlamenti britanik e ka refuzuar tri herë marrëveshjen për dalje, e cila është arritur vitin e kaluar midis Brukselit dhe qeverisë së paraardhëses së Johnsonit, Theresa May.
BE-ja ka thënë se nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes.
Qytetarët britanikë kanë vendosur për Brexit-in në një referendum të mbajtur në vitin 2016./ REL