Pacipshmëria

Aktiviteti i Institucionit tonë fetar islam jo që është bërë një refren monoton, qesharak e i denjë për fillet e një shoqate joqeveritare e themeluar prej amatorëve dhe entuziastëve, por, ditë e më shumë po i ngjanë një “institucioni” jofetare e shkombëtarizuese


Nga Florim Huseini

Tërë aktiviteti i një Institucioni reprezentativ është rudhur në pritje e përcjellje si në “odë të mixhës”, në përcjellje të ngushëllimeve e në dua të synetimeve! Natyrisht, organet profesionale të BFI-së nuk mund ta durojnë këtë mision sarkastik e të padenjë për parinë fetare me integritet. Si pasojë e kësaj si dhe një sërë aferash e skandalesh, këta organe drejtuesit e të cilëve janë dhe anëtarë të Rijastit të BFI-së (që tashmë po quhet “BFI-ja e Shaqir Fetait) kanë ngritur iniciativë për shkarkimin e Shaqr Fetait. Tri herë radhazi janë organizuar por, ja që Shaqir Fetai po ua mbanë bishtin nën rrotë dhe, sa herë po lëvizin ky me gjasë po ua shtyp bishtin! Do me thënë, skandalet dhe korrupsioni, aferat dhe punët e pista janë “shpirti” i kësaj BFI-je që akoma është duke e mbajtur të gjallë!
Tri vjet më parë ndodhi “i njëjti” organizim, ndonëse me të gjitha nuancat e një tradhëtie të madhe! Të njëjtët organe dhe persona u organizuan dhe ia morën “pushtetin” ish-reisul ulemasë Sulejman ef. Rexhepit! Nëse atëherë i mblodhën subjektet e dyshimta nëntoksore (që nuk ua donë të mirën as islamit e as myslimanëve, gjegjësisht, shqiptarëve), kësaj radhe u mblodhën kryekëput nga pakënaqësia e drejtimit dhe aktiviteteve skandaloze të Shaqir Fetait, i cili, me intriga nga më të ultat para tri viteve ia doli që t’i bindë ta përkrahin atë në instalimin në fronin e BFI-së!
Në fakt, një javë para se të ndodhë tradhëtia e madhe, të gjithë ata që ishin prononcuar për një dokumentar kushtuar H. Sulejman ef. Rexhepit, kishin thurur elozhe për reisin e tyre, gatise e kishin ngritur në nivele “pejgamberike”, madje kishte nga ata që para Sulejman ef. Rexhepit kishin vënë dorën në Kuran duke u betuar se kurrë nuk do ta tradhëtojnë, sakaq, iu përgjgjigjën urdhërit, gati policor, që të tubohen të gjithë dhe t’ia shprehin mosbesimin, duke ia marrur edhe titullin reis. Të vetmin argumentim që e patën ishte: “e shkeli Nenin 58 si dhe u krijua opinioni për ta shkarkuar”!!!
Po sot, pse po të njëjtit po i shprehin mosbesim Shaqir Fetait të instaluar në krye të BFI-së? A dinë diçka më tepër këta mosbesues të Fetait, pse nuk e tregojnë mënyrën e puçit, kush i organizoi, pse u organizan, cilët ishin premtimet, cilët janë zhgënjimet, apo, nuk guxojnë të flasin sepse do të vetëdekonspirohen! Në fakt, ka prej atyreve që edhe po flasin, po thonë që dhënia përkrahje më tej për Shaqir Fetain është punë e mëkatshme, sepse, për këto tri vite sa e përkrahëm kemi dështuar në reforma aq shumë të nevojshme, kemi humbur përkrahjen e xhematit, e kemi segmentarizuar dhe frakcionuar xhematin, kemi heshtur para “dorës së zezë” që po merret me regjistrimin e “bashkësive të reja islame”, kemi heshtur para shpenzimit nonshalant të vakëfit (letrave me vlerë), para degradimit dhe keqmenaxhimit me vakëfin, kemi heshtur para tentativave për jetësimin e filozofisë “përçaj e sundo”, jemi trullosur nga shumë afera e skandale dhe nuk kemi ditur të kërkojmë përgjegjësi, sepse nuk ka pasur reagime dhe sqarime institucionale dhe, për pasojë, jemi damkosur që të gjithë! Në BFI natë e ditë punohet në shkelje të Kushtetutës së BFI-së, formohen lloj-lloj shërbimesh e sektoresh të pa parapara me Kushtetutë, është defetarizuar dhe dekombëtarizuar tërësisht misioni i BFI-së; në krahasim me BFI-në e viteve të para të demokratizimit të sistemit politik, sot jemi karikaturë e shëmtuar e një institucioni anti-fetar, pa koncept, pa program, pa synime e paqëllime; niveli kadrovik e organizativ ka zbritur në nivel të amatorizmit të rëndë e qesharak.
Nëse Sulejman ef. Rexhepi u turpërua nga organizimi për shkarkimin e tij dhe, nuk pranoi që edhe më tej t’ju prijë “tradhëtarëve të mëdhenj”, Shaqir Fetai ia doli që të jetë më “erbap” se ai dhe, i shkarkoi dhe po i shkarkon të gjithë të pakënaqurit. Disa i ka futur në vrimë të miut duke ua tundur para hunde dosjet e këqia (pra, ai akoma drejton BFI-në me kuadër që janë me dosje të këqia) disa i ka shantazhuar e disa i ka blerë me paratë e fitrit dhe të zeqatit! Kështu po thonë të dëbuarit e fundit, të cilët, deri dje ishin bashkëpunëtorë më të ngushtë e më të dashur të Shaqir Fetait, dhe kjo e bën të paqartë konstatimin nëse ishin të këqinjë atëherë apo tash, kur e përkahën Shaqir Fetait apo tash kur po e mohojnë! Për përkrahje nuk ka kurrfarë arsyetimi nga ana e tyre, ndërsa për mohim kanë listuar një mori argumentash tashmë të publikuar.
Shaqir Fetai nuk e ka atë turp e atë shqetësim të Sulejman Rexhepit që të reagojë ngjashëm si ai pas “ngritjes së iniciativës” për shkarkimin e tij! Shaqir Fetai i shkarkon të gjithë ata që nuk e duan, që ia numërojnë të gjitha arsyet se pse duhet të ikë një orë e më parë! Shaqir Fetai ka mision, ai duhet ta kryej misionin të cilin e mori që në ditën kur vendosi ta tradhëtojë reisin e vet dhe t’ia ngulë thikën pas shpine! Populli thotë: çka do të mbjellësh atë do të korrësh!

Leave a Reply