Pamjet drithëruese nga Beirut që kapluan botën, zbulohet çfarë e shkaktoi shpërthimin

Prej ditës së djeshme sytë e botës janë kthyer nga kryeqyteti i Libanit, pas shpërthimit të tmerrshëm që u ka marrë jetën deri më tani më shumë se 100 personave dhe ka lënduar më shumë se 4 mijë të tjerë.

Beirut është zgjuar sot mes kaosit dhe dhimbjes që lanë pas dy shpërthimet e njëpasnjëshme.

Presidenti Michel Aoun deklaroi se në “magazinën e ferrit”, ka shpërthyer rreth 2.750 ton nitrat amoniumi, i cili ishte ruajtura në mënyrë aspak të sigurtë prej 6 vitesh.

Libani ka shpallur sot zi kombëtare për tre ditë, në nder të viktimave që humbën jetën në këtë katastrofë.

E ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, për të nxjerrë trupat e mbetur nën rrënojat e ndërtesave, spitalet duket se po përjetojnë një çakordim total.

Numri i lartë i të lënduarve ka bërë që tashmë shtrimet në spital të bëhen selektive, ndërsa prej ditës së djeshme u përhap me alarm njoftimi për nevojë për gjak në këto qendra spitalore.

Nga ana tjetër, presidenti i vendit ka thirrur në një takim emergjent zyrtarët e lartë, teksa lajmëroi se dy javë vendi do të jetë në gjendje të jashtëzakonshme, e po ashtu do të alokohet një fond prej rreth 50 milion dollarësh për qendrat spitalore.

“Është një katastrofë e madhe, ka viktima në çdo cep”, dëshmoi kreu i Kryqit të Kuq në Liban, George Kettani.

Zyrtarët nga ana tjetër deklaruan për mediat se ka nisur një hetim për të saktësuar shkallën e shpërthimit si dhe për të vënë para përgjegjësisë të gjithë personat që kanë pasur gisht në këtë pakujdesi.

Sasia e nitratit të amonit dyshohet të jetë shkarkuar nga një anije e ndalur në port në 2013, dhe më pas ishte ruajtur në një depo pranë portit.

Por si të mos mjaftonte kjo tragjedi që përfshiu vendin, ky shpërthim vjen në një moment aspak të mirë për Libanin, pasi ditën e Premte të kësaj jave ishte parashikuar të zhvillohej gjyqi për vrasjen e ish-kryeministrit Rafik Hariri në vitin 2005, shtuar këtu edhe krizën ekonomike, por dhe përballimin me vështirësi që po i bëhej pandemisë së Covid-19.

Shpërthimi që ndodhi dje në orën 18:00, ishte aq i fuqishëm sa shkatërroi çdo gjë që kishte në perimetrin e magazinës ku ruhej nitrati i amonit, e madje ai është ndjerë 240 km në distancë, deri në Qipro, ku banorët aty dyshuan fillimisht për lëkundje sizmike.

Leave a Reply