PANAIRE TË (PA)PROFILIZUARA TË LIBRIT

Kah mesi i javës së tretë të muajit nëntor, si çdo vit në Tiranë do të mbahet Panairi tradicional i librit. Panaire të këtilla, ndonëse jo të kësaj përmase organizative, shqiptarët organizojnë edhe nëpër viset e tjera si: Panairi i Prishtinës, i Ulqinit, i Tetovës, i Shkupit etj
Cili është profili i këtyre panaireve! Cili është qëllimi parësor? Çka synojnë organizatorët përmes këtyre panaireve! Cila është porosita e këtyre panaireve për vizitorët, sidomos për vizitorët e rinj në moshë!
Deri më sot arsyeja e organizimit të këtyre panaireve na del të jetë tubimi në një vend i botimeve qoftë të hershme, qoftë edhe si prurje të vitit dhe t’i mundësohet vizitorëve që, duke qenë në kontakt sa më të afërt me librin, të joshet dhe ta blejnë atë. Qiraja e lartë e hapësirës së zënë nga botues të ndryshëm, sakaq të bën shitës të librit, angazhimi intelektual koncentrohet në matematikë: “i nxorëm lekët e qerasë?”
Nuk ka asgjë të keqe edhe në këtë aktivitet. I lumtë atyre që bëjnë libra për të shitur dhe i lumtë atyre që blejnë! Pa dyshim, do të ishte shumë korrekte, projekt kombëtar, madje i domosdoshëm, profilizimi i Panairit të Librit si aktivitet gjithëkombëtar për ta shitur, respektivisht për ta përhapur librin në sa më shumë familje shqiptare dhe jo vetëm! Fundja, producentët e librit, botuesit, shtëpitë botuese, duhet të mbijetojnë disi.
Megjithatë, a duhet të kemi panaire që në vete do të ngërthenin një mori aktivitetesh kushtuar librit dhe autorëve! Pse nuk kemi panair, bie fjala, promovues të librave. Të promovohen botimet e reja, të caktohet një orar sipas të cilit secili botues do të promovonte botimet e veta më të rëndësishme.
Nuk kemi Panair të librit me karakter njoftues. Të tubohen shkrimtarët e të trajtojnë probleme të ndryshme mbi librin, të shpalosen përvoja të ndryshme e interesante. Lexuesi-blerësi mbase do ta takojë dhe ta njohë edhe shkrimtarin. Mbase do ta komplementojë apo t’ia japë një mendim mbi atë që ka lexuar prej tij. Të sillen nga jashtë shkrimtarët, veprat e të cilëve të përkthyera ne shqip ekspozohen apo edhe promovohen!
Pa dyshim, që do të ishte shumë i qëlluar edhe një panair dedikuar ekskluzivisht botimeve për fëmijë! Të paktën shkollat e qendrës ku organizohet panairi të kenë mundësinë që në mënyrë të organizuar t’i sillnin nxënësit në panair, të blejnë libra, të takojnë shkrimtarë për fëmijë, të bashkëbisedojnë, sepse këtu pastaj do të ngjizet dëshira për të blerë e lexuar libra, për të pasur bibliotekë personale në shtëpi.
Profilizim të mirëfilltë të panaireve vështirë se mund të kemi pa një program nacional, përmes të cilit do të stimuloheshin panairet me karakter të ndryshëm, do të stimulohej shitja-blerja e librit. Botuesit duhet të ndihmohen financiarisht që të kenë mundësinë e ofertës: kush blenë tre libra një e ka falas; të iniciohen lojëra shpërblyese për vizitorët e librit, jo për ta sjellë sa më masovikisht qytetarin te panairet, por për ta shpërndarë sa më shumë librin te vizitorët e panaireve.
Menaxhimi profesional i aktiviteteve përkatëse nëpër panaire shton vlerat kulturor të ngjarjeve të tilla. /HEJZA/

Leave a Reply