Partia e ekstremit të djathtë, Rilindja, sërish po kërkon që Bullgaria të miratojë një ligj që do të ndëshkonte këdo që merr fonde nga jashtë, i ngjashëm me legjislacionin për “agjentët e huaj” në Rusi, që është kopjuar edhe nga shtetet e tjera, teksa kritikët paralajmërojnë se ligje të tilla synojnë t’ua mbyllin gojën kundërshtarëve.
Megjithatë, disa nga anëtarët e profilit të lartë të Rilindjes, plus gruaja e udhëheqësit të partisë, Kostadin Kostadinoc, duket se kanë përfituar nga programet e financuara nga jashtë, të cilat kjo parti tani po i kritikon.
Ligji kufizues për “agjentët e huaj, që Rusia prezantoi më 2012, por e ka forcuar edhe më shumë që atëherë, ka shërbyer si model për qeveritë e tjera që kërkojnë t’ua mbyllin gojën kritikëve“, thonë vëzhguesit. Më herët gjatë këtij viti, Qeveria e Gjeorgjisë dërgoi në Parlament një version të saj të ligjit për “agjentët e huaj” pavarësisht se kundër një ligji të tillë për javë të tëra pati protesta.
Në dhjetor të vitit 2023, Parlamenti hungarez miratoi ligjin për “mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, një ligj i shtyrë nga kryeministri nacionalist hungarez, Viktor Orban, që kritikët thonë se është i ngjashëm me ligjin rus.
Shënjestrimi i partisë Rilindja ndaj organizatave joqeveritare dhe individëve që marrin financim nga jashtë vjen pas në suksesi legjislativ së fundi, që tronditi shoqërinë civile në Bullgari.
Partia e ekstremit të djathtë, e cila shpesh amplifikon narrativët pro Kremlinit dhe ka kërkuar që Bullgaria të largohet nga NATO-ja, arriti të miratonte në Asamblenë Kombëtare të Bullgarisë ligjin kundërthënës që ndalon “propagandën homoseksuale” në shkolla. Ky ligj u miratua pavarësisht protestave në Bullgari dhe kritikave nga jashtë.
Kjo nuk është hera e parë që Rilindja, parti që shtyu përpara dezinformatat kundër vaksinave gjatë pandemisë COVID-19, që ndërmerr qëndrime sa i përket financimeve nga jashtë. Më 2022, kjo parti propozoi një version më të butë të ligjit që shënjestronte vetëm gazetarët që merrnin fonde nga jashtë. Kjo përpjekje legjislative nuk u miratua në Parlament, pas një vale kritikash, përfshirë nga organizatat ndërkombëtare mediatike.
Megjithatë, Rilindja nuk u zmbraps dhe një vit më vonë tentoi sërish ta miratonte këtë ligj, por dështoi.
Tani, ndoshta e nxitur nga fitorja në Parlament sa i përket ligjit kundër komunitetit LGBT, që kaloi me ndihmën e disa partive që janë pro Bashkimit Evropian, partia Rilindja po tenton sërish.
Propozimi i fundit i projektligjit për “agjentët e huaj” kërkon që organizatat, artistët, gazetarët apo blogerët që marrin fonde nga jashtë të regjistrohen si “agjentë të huaj” dhe u ndalohet që të punojnë në universitete shtetërore, të komentojnë për ngjarje politike apo të aplikojnë për projekte që financohen nga Qeveria.
Projektligji nuk u është paraqitur 240 anëtarëve të Parlamentit, por është diskutuar në komisione parlamentare.
“Para të pista”
Ognyan Minchev, profesor bullgar i shkencave politike, shkroi në Facebook se Rilindja po tenton t’i paraqesë grantet e huaja si “para të pista”.
Një prej mbështetësve më të zëshëm të projektligjit të propozuar është Kosta Stoyanov, deputet i Rilindjes dhe kryetar i Komisionit parlamentar për fëmijë, të rinj dhe sporte. Ky është një prej komisioneve ku është diskutuar projektligji i propozuar.
Megjithatë, vet Stoyanov ka përfituar nga bujaria e donatorëve të huaj.
Sipas biografisë së tij, që gjendet në ueb-faqen e partisë, Stoyanov nga janari 2018 deri në tetor 2022, ka qenë drejtor ekzekutiv i një OJQ-je lokale në Dolni Çiflik dhe Bjala, dy qyteza në rajonin e Varnës. Gjatë asaj kohe, OJQ-ja kishte pranuar grante nga BE-ja, para që ishin përdorur për projekte infrastrukturore për komunitetin.
Stoyanov deri më 2018 ishte anëtar i një asociacioni të komunave për menaxhimin e fondeve të BE-së. Ai është ende aktiv në vlerësimin e projekteve bullgare për programet e BE-së.
Një tjetër deputet i Rilindjes, Angel Yanchev, gjithashtu gjatë karrierës së tij ka përfituar nga programet e financuara nga jashtë.
Yanchev ka kritikuar dy fondacione arsimore në Bullgari që kanë marrë fonde nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ato po shkelin sistemin arsimor të vendit dhe “vlerat” e tij. Yanchev po ashtu ishte një prej mbështetësve më të zëshëm të ligjit kundër komunitetit LGBT.
Yanchev më herët kishte qenë profesor. Ai kishte ligjëruar lëndën e historisë para se të bëhej drejtor në një shkollë të mesme në Veliko Tarnovo, qytet në Bullgarinë qendrore. Gjatë kohës sa ishte drejtor shkolle, ai dy herë kishte përfituar nga programet e financuara nga Fondacioni Amerika për Bullgarinë, i cili sipas ueb-faqes së tij, “është fondacion i pavarur, jopolitik amerikan për grante që punon me bullgarët për të forcuar sektorin privat dhe institucionet demokratike të vendit”.
Më 2015, Yanchev mori pjesë në një punëtori për udhëheqje të shkollës dhe për metoda të mësimdhënies, ku merrnin pjesë ekspertë amerikanë.
Velina Kostadinova, gruaja e udhëheqësit të partisë Rilindja, është anëtare e bordit të një OJQ-je arsimore në Varna, që pranon grante nga financuesit jashtëm dhe është partnere e Institutit për Shoqëri të Hapur, Soros, dhe ka dhjetëra partnerë të tjerë të huaj./REL