Alfred Rushaj drejt postit të kryetarit të grupit
Partia Demokratike mbledh sot pasdite në orën 18:00, Këshillin e ri Kombëtar, i cili do të bëjë edhe zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese të kësaj force. Sipas axhendës së zbardhur, fillimisht do të bëhet zgjedhja e kryetarit të Këshillit, post i cili deri më tani mbahet nga ish-Presidenti Bujar Nishani.
Gjithashtu në këtë mbledhje do të zgjidhet Kryesia dhe Sekretariati i Partisë; Kryetari i Komisionit të Apelimit, Komisionit Zgjedhor dhe të Bordit Financiar të Partisë.
Gjatë mbledhjes së Këshillit do të bëhet edhe njoftimi i përbërjes së Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD dhe caktimi i drejtuesve të Departamenteve të Këshillit Kombëtar.
Burime nga selia blu bëjnë të ditur se në postin e kryetarit të grupit parlamentar do të zgjidhet ish-Drejtori i Fushatës, tashmë deputet i Tiranës, juristi Alfred Rushaj, i cili për shkak të statutit do jetë edhe nënkryetar i ri i partisë.
Gjithashtu mësohet se Basha do të nominojë për postet e tjera të nënkryetarëve të partisë deputetet Jorida Tabaku, Gruida Duma si dhe Enkelejd Alibeajn i cili do t’i propozohet shumicës qeverisëse edhe si kandidat për postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Ndërkohë që pritet të rikonfirmohet në detyrë Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.