Përballje gjigandësh në Mynih

Një ndeshje e madhe do të luhet në stadiumin “Allianz Arena” në Mynih.  Në orën 21:00 Franca dhe Gjermania do të përballen midis tyre në takimin e Grupit F.

Kampionët e botës në fuqi duan që të fitojnë Evropianin, pas zhgënjimit në vitin 2016, ku ata humbën në shtëpi kundër Portugalisë.

Edhe pse janë favoritë, “gjelat” bëjnë pjesë në “grupin e vdekjes”. Gjermania, kampione e botës në vitin 2014 nuk është aspak një rival i lehtë. Ashtu si edhe kampionët në fuqi të Portugalisë. Edhe Hungaria nuk duhet nënvlerësuar.

“Les Blues” dhe “Pancerat” janë mësuar që të përballen mes tyre në fund të një kompeticioni e kjo është hera e parë që ata ndeshen në një fazë grupesh.

Kjo e sotmja është e gjashta mes tyre në kompeticionet ndërkombëtare. Secila kombëtare ka nga dy fitore.

Hera e vetme që Franca ka pësuar humbje që në takimin e parë të kompeticionit ka qenë në vitin 1960, kur Evropiani nisi për herë të parë. Ata u mundën 5-4 nga Jugosllavia, 61 vite më parë.

Në katër ndeshjet e fundit, gjelat nuk kanë pësuar asnjë gol.

Në Euro 2016, “Les Blues” dhe “Die Manschaft” u përballën në gjysmëfinale. Griezman ndëshkoi Gjermaninë 2 herë dhe i eliminoi.

Në orën 18:00, në “Puskas Arena” të Budapestit, kampionët në fuqi të Evropës, Portugalia, do të përballen në takimin e parë të Grupit F me Hungarinë.

Cristiano Ronaldo dhe shokët e tij kanë detyrën e vështirë që të mbrojnë titullin e fituar në Francë. Por me “Gjelat” dhe “Pancerat” në grupin e vdekjes, ky do të jetë një mision i vështirë. Për më tepër që edhe Hungaria është një ekip për t’u marrë seriozisht. Luzitanët nuk kanë humbur në gjashtë ndeshjet e fundit.

Leave a Reply