Përplasje me armë, 3 të vdekur në mes të Tiranës

Tre persona kanë humbur jetën në një përplasje të armatosur të verifikuar pasditen e kësaj të mërkure në Tiranë, në bulevardin “Zogu i Parë”.

Burime policore zyrtare bëjnë të ditur se të shtënat kanë ngjallur panik në zonën e maternitetit të vjetër, ku në momentin e krimit ndodheshin jo pak njerëz.

Sipas burimeve, viktimat janë pronari i një lokali dhe dy persona që e shoqëronin. Dy prej tyre mbetën të vdekur në vend, ndërsa tjetri ndërroi jetë në spital nga plagët e marra, bëjnë të ditur burimet.

Ndërkohë, dy autorët e ngjarjes janë arrestuar nga policia fare pak minuta pas kryerjes së krimit. Si viktimat edhe autorët rezultojnë persona me preçedentë penalë dhe motiv i vrasjeve dyshohet të jetë larja e hesapeve për pazare trafiqesh të prishura jashtë kufijve të Shqipërisë.

Të dyja palët janë me origjinë nga qarku i Dibrës.

Ndërkohë, forcat e policisë në vendin e ngjarjes kanë shoqëruar dhjetëra persona. Nga dëshmitë paraprake të mbledhura rezulton se fillimisht mes palëve është debatuar dhe më pas janë nxjerrë armët.

Ngjarja e rëndë në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit ka bërë që në vendngjarje të shkojë personalisht drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Leave a Reply