Presidenti Joe Biden po prezanton një paketë gjithëpërfshirëse nismash me vlerë 1.8 trilionë dollarë për familjet amerikane, arsimin, vendet e punës, infrastrukturën, klimën e të tjera, dhe duke deklaruar se “Amerika është përsëri në veprim”. Presidenti Biden po mban fjalimin e parë para dy Dhomave të Kongresit, një ditë para se të mbushen 100 ditë të mandatit të tij.
“Sot kam ardhur të flas për një situatë krize dhe mundësish. Për rindërtimin e vendit, rigjallërimin e ekonomisë dhe fitore në betejën për të ardhmen e Amerikës,” tha presidenti.
Zoti Biden renditi një numër sfidash në fillimet e administratës së tij, përfshirë pandeminë dhe krizën ekonomike të krijuar prej saj si dhe sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar.
Presidenti iu drejtua amerikanëve me fjalët “Falë jush, popullit amerikan, përballë pandemisë më të vështirë që kemi ndeshur, kemi kapërcyer problemet logjistike” për të vënë nën kontroll këtë sfidë, duke nënvizuar gjithashtu ndihmat financiare për të mbrojtur amerikanët e goditur financiarisht nga pandemia.
Ai nënvizoi përparimin në fushatën e vaksinimeve, por u bëri thirrje amerikanëve të bëjnë ç’është e mundur për të luftuar virusin që ka shkaktuar mbi 570,000 të vdekur në SHBA dhe ka infektuar më shumë se 32 milionë vetë.
“Ende kemi shumë punë përpara. Mos hiqni dorë nga vigjilenca”.
Presidenti u bëri thirrje amerikanëve të vaksinohen, duke vënë në dukje se të gjithë nga 16 vjeç e sipër kualifikohen për vaksinim aktualisht.
Presidenti foli për përpjekjet e administratës së tij për të rimobilizuar ekonominë, duke thënë se SHBA duhet të fitojnë në konkurrencën me fuqi të tjera si Kina. Ai shtoi se gjatë periudhës së udhëheqjes së tij deri tani, 300,000 vende të reja pune u hapën në ekonominë amerikane.
“Për këtë arsye po bëjmë investime në të ardhmen e ekonomisë amerikane, për të hapur vende pune, për të modernizuar ekonominë, për të ndërtuar ura e rrugë, për të siguruar ujë të pastër duke zëvendësuar tubacionet me përmbajtje plumbi që çdo amerikan të ketë ujë të pastër. Ky proces krijon mijëra vende të reja pune”.
Presidenti foli edhe për nevojën për të modernizuar infrastrukturën për lidhje me internetin, duke njoftuar se kishte caktuar Nënpresidenten Harris të drejtonte këto përpjekje.
“Falë Planit Amerikan të Shpëtimit jemi në rrugën e duhur për të përgjysmuar varfërinë ndër fëmijët amerikanë,” tha presidenti duke folur për nismën e tij për të ndihmuar financiarisht familjet amerikane me fëmijë të vegjël.
Propozime për shpenzime masive për fëmijët, familjet amerikane
Presidenti amerikan Joe Biden po propozon zgjerim të konsiderueshëm të ndihmës federale për fëmijët dhe familjet amerikane në fjalimin e tij të mërkurën.
Presidenti Biden po paraqet detajet e propozimit të tij prej 1.8 trilionë dollarësh në një fjalim të transmetuar nga televizioni në shkallë kombëtare, para 200 ligjvënësve të ulur duke respektuar distancimin fizik, me maska dhe para zyrtarëve kryesorë amerikanë të mbledhur në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve.
Normalisht, për një fjalim të tillë do të kishte në sallë 1,600 të pranishëm, por numri po kufizohet ndjeshëm këtë radhë si rezultat i koronavirusit.
Plani përfshin dy vjet çerdhe për fëmijët të paguar nga shteti dhe dy vjet arsim falas në institucione dy vjeçare të arsimit të lartë. Kjo do të mbulohet, sipas planit të presidentit, duke rritur taksat për më të pasurit.
Përveç kësaj, propozimi i Presidentit Biden parashikon akordimin e 225 miliardë dollarëve për të mbështetur familjet amerikane të përballojnë koston e kujdesit për fëmijët dhe pagesa mujore prej të paktën 250 dollarësh për prindërit.
Para fjalimit, Shtëpia e Bardhë i cilësoi planet e presidentit për shpenzimet për familjet dhe arsimin e të rinjve, si dhe propozimin e mëparshëm për projekte në infrastrukturë me vlerë 2.3 trilionë dollar si “investime që ndodhin një herë në një gjeneratë për vendin tonë”.
Këto propozime, nëse miratohen nga Kongresi, do të rezultojnë në një rol dhe angazhim shumë më të madh të qeverisë federale në jetën e amerikanëve. Pjesa më e madhe e republikanëve nuk janë dakord me këtë zgjerim të rolit të qeverisë, megjithëse këto plane nuk janë aq radikale sa ç’kanë kërkuar elementët më progresistë të Partisë Demokrate.
Presidenti po përpiqet të gjejë balancën e vështirë mes kundërshtimit që shprehin republikanët ndaj rritjes së taksave dhe nevojës për të gjeneruar fondet për të paguar koston e nismave të tij federale.
Presidenti demokrat tha se është i gatshëm të diskutojë me të dyja palët në Kongres për hir të arritjes së një marrëveshjeje. Ai tha se më 12 maj do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me ligjvënës demokratë dhe republikanë për t’u përpjekur për gjetjen e gjuhës së përbashkët.
Plani i presidentit përfshin 1 miliard dollarë shpenzime për arsimin dhe kujdesin parashkollor për fëmijët si dhe 800 miliardë dollarë për t’u ofruar ulje taksash familjeve me të ardhura më modeste.
Propozime për Reforma Fiskale
Për të paguar për këto plane, Presidenti Biden propozon reforma të sistemit fiskal amerikan. “Plani për Familjet Amerikane” financohet nga rritja e normës së taksave për amerikanët më të pasur nga 37% në 39.6%.
Po ashtu propozimi i tij parashikon dyfishimin e taksës mbi të ardhurat nga investimet për ata amerikanë që bëjnë më shumë se 1 milionë dollarë. Plani i tij për modernizimin e infrastrukturës, sipas parashikimeve të administrates, do të financohet nga rritja e taksave mbi korporatat.
Administrata e Presidentit Biden thotë se propozimet e tij për reforma fiskale synojnë të shpërblejnë punën jo pasurinë dhe “reformimi i kodit fiskal parashikon që të pasurit të luajnë me të njëjtat rregulla si kushdo tjetër”.
Presidenti Biden bëri thirrje për veprim dypartiak nga Kongresi për të ndalur dhunën me armë zjarri.
Në fjalim, zoti Biden tha se reformat mbi armëmbajtjen gëzojnë mbështetje dërrmuese nga amerikanët, përfshirë ata që zotërojnë armë. “Kjo nuk duhet trajtuar si kauzë e demokratëve apo republikanëve,” tha ai.
Presidenti Biden shpalosi një numër “reformash të arsyeshme” siç i prezantoi ai. Ndër to përfshiheshin kontrolle të përgjithshme të historikut të blerësit dhe ndalimi i armëve të fuqishme të gradës ushtarake si dhe i karikatorëve me kapacitet të lartë. Ai foli edhe për përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë për të nxjerrë jashtë ligji “armët fantazmë” për të cilat autoritetet e rendit e kanë të pamundur të zbulojnë zotëruesin.
Presidenti Biden iu drejtua me mesazh amerikanëve që zotërojnë armë apo aktivistëve për të drejtën e armëve që shprehen se çdo kufizim përbën shkelje të së drejtës së armëmbajtjes të sanksionuar me Kushtetutë. “Nuk po ndryshojmë Kushtetutën, po tregohemi të arsyeshëm”.
“Po flasim për armë të prodhuara në kushte artizanale nga një paketë që përfshin udhëzime për prodhimin e tyre. Pjesët që përfshin paketa nuk kanë numër serial. Kur forcat e rendit i gjejnë në skenën e një krimi, e kanë të pamundur të identifikojnë kujt i përket kjo armë. Atyre që blejnë paketa të tilla për të prodhuar një armë në shtëpi nuk u kërkohet të kalojnë kontrollin e historikut. Kushdo, qoftë një kriminel apo një terrorist mund të blinte një paketë të tillë dhe për 30 minuta do të kishte në dorë një armë vdekjeprurëse. Por jo më,” tha presidenti.
Presidenti Biden po i bën thirrje Kongresit të miratojë reforma për zbatimin e rendit në emër të afrikano-amerikanit George Floyd, i cili vdiq gjatë arrestit nga një polic i bardhë që e mbajti të mbërthyer me gjurin tek qafa për më shumë se nëntë minuta.
Presidenti tha se reformat gëzojnë mbështetje të gjerë tek amerikanët dhe se republikanët janë “të angazhuar në diskutime produktive” me demokratët.
“Duhet të punojmë së bashku për të gjetur konsensus,” tha zoti Biden. “Ta realizojmë reformën brenda muajit të ardhshëm, para një vjetorit të vdekjes së George Floydit”.
Presidenti demokrat u përshëndet me duartrokitje pa dallim partiak. Pjesëmarrësit në sallë u ngritën në këmbë me entuziazëm ndaj komenteve të tij në mbështetje të policisë kur presidenti tha “pjesa më e madhe e burrave e grave në uniformë u shërbejnë me nder komuniteteve të tyre”.
Por ai shtoi se Kongresi duhet të rikthejë besimin tek forcat e rendit, t’i japë fund racizmit në sistemin e drejtësisë dhe t’u japë kuptim fjalëve të vajzës së zotit Floyd: “Babi ndryshoi botën”.
“Pas shpalljes fajtor të vrasësit të George Floydit, e shohim sa me të drejtë ishin këto fjalë, nëse kemi guximin të veprojmë. Tani kemi rastin të shënojmë përparim të vërtetë,” tha presidenti.
Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët miratoi këtë vit “Aktin Ligjor George Floyd për Drejtësi në Punën Policore” që synon të ndalë taktikat agresive nga forcat e rendit. Kjo masë nuk është marrë ende në shqyrtim nga Senati.
Presidenti Biden u zotua të ruajë një prani të fortë ushtarake amerikane në ujërat indo-paqësore dhe premtoi të mbështesë fuqimisht zhvillimin teknologjik dhe tregtinë.
“Kina dhe vende të tjera po na afrohen me shpejtësi. Ne duhet të vazhdojmë zhvillimin dhe të dominojmë në krijimin e produkteve e teknologjive të së ardhmens,” tha ai.
Në një fjali që u përshëndet me duartrokitje të forta, presidenti tha “Nuk ka asnjë arsye që helikat për mullinjtë e erës të mos ndërtohen në Pitsburg (qytet në shtetin amerikan të Pensilvanisë) dhe jo në Pekin”.
Presidenti Biden e ka përmendur në mënyrë të përsëritur konkurrencën me Kinën si sfidën më të madhe të politikës së jashtme amerikane me të cilën ndeshen Shtetet e Bashkuara. Ai dhe demokratët e tjerë si dhe republikanët e opozitës kanë ashpërsuar retorikën ndaj Pekinit.
“Amerika do t’u kundërvihet praktikave të padrejta tregtare që dëmtojnë punëtorët dhe industritë amerikane, si për shembull subvencionet që (u jep Kina) ndërmarrjeve shtetërore si dhe do t’u kundërvihet ndaj vjedhjes së teknologjisë dhe pronës intelektuale,” tha zoti Biden.
Ai tha gjatë fjalimit se ia kishte bërë të qartë Presidentit kinez Xi Jinping se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbajnë një prani të fortë ushtarake në Indo-Paqësor “ashtu siç bëjmë me NATO-n në Evropë, jo për të ndezur konflikte, por për t’i parandaluar”.
Megjithëse nuk ofroi hollësi të reja, Presidenti Biden i kushtoi më tepër vëmendje Kinës se çdo teme tjetër të politikës së jashtme. Fjalimi kryesisht u përqëndrua tek politikat e brendshme.
Presidenti Biden foli edhe për konkurrencën me një tjetër rivale gjeopolitike, Rusinë. Ai tha se ia kishte bërë të qartë Presidentit Putin se ndërhyrjet e Moskës në zgjedhjet amerikane si dhe sulmet kibernetike ndaj institucioneve qeveritare dhe bizneseve amerikane kanë pasoja, por shtoi se Uashingtoni nuk do acarime të marrëdhënieve.
Në një tjetër dëshmi të largimit nga praktika e administratës së mëparshme për të vepruar pa konsultime dhe bashkëpunim me vendet partnere, Presidenti Biden tha se do të punojë ngushtë me aleatët për t’iu përgjigjur kërcënimeve që paraqesin programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut./ VOA/ Reuteres/ AP