Durim Taçi për kritikën letrare
(Enkas për Hejza-n)
M’u kujtua diçka personale. Paratë e para që kam fituar duke shkruar, kanë ardhur nga një shkrim ‘kritik’ mbi kritikën, isha student i vitit të parë në Filologjikun e Tiranës. Po atë vit në sezonin e verës do punoja edhe si kamerier në Plazhin e Patokut, ishte një privilegj i madh asokohe. Me një muaj punë e bakshishe nga laçianët e mi, arrita të blej rrobat e vitit të ardhshëm si student. Studentët e sotëm janë në masë të madhe edhe kamerierë, e prapë kjo nevojë e shoqërisë për t’i shërbyer barkut nuk mpaket, kurse uria për librin nuk po vjen, ose jemi të tejngopur. Pra, kritika mund të nisë herët, si bashkëshoqëruese e pasionit për të shkruar letërsi artistike, apo si vokacion i pastër. Unë personalisht nuk rresht së shkruari për librat e kolegëve, edhe pse veprimtaria ime botuese është kryesisht libri artistik. Shkrimtarët, sidoqoftë, edhe pse bëjnë shkrime të mira kritike, nuk janë kritikë, ata janë të kyçur në kullën e tekstit, rrinë brenda interesave të tyre, ndërsa kritika profesionale ka diapazon më të gjerë, bën lidhjen me nevojat e shoqërisë. Çelësi i kritikës letrare, besoj fort së është përzgjedhja si akt. Kritika institucionale, e djeshme, përzgjedhjen e kishte censurë, kjo bënte që zgjedhja në këtë rast të ishte përjashtuese, të fokusohej vetëm në atë që ishte pranuar zyrtarisht; nga vetë publiku nuk mendoheshin emra të tjerë përpos atyre që vinte në qendër kritika zyrtare, flitej zakonisht për dyshen Kadare-Dritëro, dy autorët më përfaqësues të kohës së socrealizmit, krijoheshin pastaj fansa e dy grupime. Në konviktin e letërsisë, përveç se për Partizanin a Dinamon, Vllazninë a Tiranën, etj, ndizej debati edhe për Kadarenë a Dritëronë. Paradoksalisht, përzgjedhja si akt, në horizontin e kritikës së sotme në liri, shpesh, duket një procedim elipsoid, ka sjellë ravijëzimin e një peizazhi të varfër me shumë emra, si të ishte një nxitje kinse për të menduar autorë e tituj që mungojnë, ata që nuk janë zgjedhur. Por, unë kur them se kritika është përzgjedhje, e kam fjalën për zgjedhjen si procedim krijues. Në momentin, që zgjedh ta vësh një vepër në qendër të vëmendjes, i bie t’i hysh një analize serioze e ta përligjësh zgjedhjen tënde. Kritika si institucion, në fakt, sot bëhet thuajse e pamundur, se këtu vijmë në çështjen tjetër që lidhet me përzgjedhjen, si mekanizëm i kritikës, me atë të botimit. Botimi me kohë nuk është më institucion përzgjedhës, tubacionet e kanaleve të shumta të komunikimit vuajnë për mungesën e mesazheve. Vetë shkrimi, sado mjet i fuqishëm arkivues, instruktues, edukativ, e shumëçka, nuk mund të përmbushë plotësisht nevojën njerëzore të shprehjes dhe afirmimit. Dikur shkrimi nuk ekzistonte, imazhi ia dilte vetëm! Po kjo harrohet, i vishet gjithçka shkrimit, mjafton të renditen fjalët, shkrimi horizontal, linear, pa menduar paradigmën e tij vertikale të shprehjes e rendjes tek e vërteta e mëtuar, si synim. Pra, çështja e kritikës gjarpëron në një zinxhir, që nis nga shoqëria, nevojat e saj, shkon pastaj tek universi i librit, me shkrimin, botimin, leximin. Që të mprihet përzgjedhja si akt kritik krijues, duhen forcuar të gjitha këto hallka.