Hipokritët veshur me veladon e çallmëbardhë, me duart lartë kur janë ndezur kamerat dhe, në anën tjetër, kur fiken dritat, bëjnë ujdi për përfitime të përbashkëta dhe bëjnë pazare për tokën e vakfit, për shpërdorimin e fitrit, zekatit. Ky popull tanimë i ka njohur mirë! Ua ka njohur racën, ndikimin, helmin, thikën pas shpine.
Shkruan: Shaban AZIRI
Uzurpatori është udhëheqësi i vetëm i cili në mënyrë të paligjshme rrëmben pushtetin duke përdorur dredhinë me qëllim që ta marrë nën sundim udhëheqjen e një institucioni apo diçka tjetër. Uzurpatori e ka të pamundur të sundojë pa ushtruar padrejtësi ndaj njerëzve, prandaj shtiret si njeri me imunitet. Të gjithë të tjerët duke filluar nga ata rreth vetes dhe deri te më i thjeshti i konsideron si materiale inerte, mes të cilëve mund të zhdukë kë t’i dojë dhe kur t’ia dojë qejfi. Pikërisht një uzurpator të tillë, bazuar në shkrimet e shumta të publikuara në mediat e vendit e ka pasur në krye Bashkësia Fetare Islame e RMV-së, i cili në krye të saj ka qëndruar jo më pak se dy dekada e gjysëm.
Të mbledhur në Gostivar disa myftinjë dhe “anëtarë të rijasetit”, larg syve të opinionit dhe pa kurrfarë paralajmërimi, bazuar në një farë procesverbali siç thonë ata, në të cilin nuk përmendet arsyeja edhe më e vogël, më 27.05.2020 shkarkuan Sulejman Rexhepin nga “posti i reisit” dhe vetëzgjodhën Shaqir Fetahun ushtrues detyre. Ajo që zgjoi dyshime të mëdha në opinion është se pas dy ditëve Sulejman Rexhepi përmes një komunikate për opinion të arkivuar në BFI jep dorëheqje të parevokueshme nga “posti i reisit”. Nuk besoj se në ndonjë vend të botës të ketë ndodhur që një person i shkarkuar, pas dy ditësh të jepte dorëheqje!
Këta myftinjë të indoktrinuar dhe krejt ngrehina tjetër e tubuar në Gostivar me këtë shkarkim nuk e përmbysën rendin veteranouzurpues, por thjesht e zëvendësuan me një rend neouzurpues. Me që ai u shkarkua, hapen të gjitha mundësitë që prokuroria dhe drejtësia të merren me të në të ardhmen e afërt. Mirëpo, dorëheqja e tij e parevokueshme pas dy ditësh lë për të dyshuar. Prandaj sa më parë duhet të zbardhen kurdisjet që janë bërë rreth këtij shkarkimi dhe të mësohet se kush qëndron prapa këtij skenari. Një gjë dihet, se Sulejman Rexhepi nuk u shkarkua në kohën e VMRO-DPMNE-së me liderin e së cilën kishte miqësi të ngushtë, as në kohën e LSDM-së me të cilën jo rrallëherë kishe mosmarrëveshje, këtë gjë si duket e bëri të mundur BDI-ja e Ali Ahmetit me kërkesë të LSDM-së ku tani kemi njeriun e afërt të Nevzat Bejtës, Shaqir Fetahun ushtrues detyre “reis ulema”. Megjathatë, ekziston edhe një mundësi që ky skenarë të jetë marrëveshje midis veteranouzurpuesit Sulejman Rexhepit dhe myftinjëve neouzurpues për ta gërryer me thonjë edhe më tej BFI-në.
Por, ky popull ka parë gjithçka, ka qenë i varfur, por ka ditur të manifestojë dashuri të madhe ndaj besimit dhe kështu bashkë me varfërinë e tij ndërtoi shkolla të edukimit, faltore dhe institucione fetare. Ka popull ka gabuar, sidomos në çaste vendimtare pse nuk e ka njohur politikën e as gjeopolitikën, ka dështuar në mënyrë katastrofike sepse nuk prodhoi një elitë shtetëformuese dhe lider të denjë që do ta ecnin përpara në procese, dhe për këtë duhet ta mbajë kokën ulur.
Veç diçka s’mund të themi për këtë popull, për këta besimtarë të devotshëm:
Edhe kur ka qenë në baltë, pa dije dhe në varfëri, ky popull ka ditur t’i njoh gënjeshtarët, e sidomos hipokritët!
Edhe kur ka qenë i pafuqi t’u këndërvihet, besimtari shqiptarë hipokritin – dyfytyrëshin, pra – e ka njohur mirë.
Hipokritët veshur me veladon e çallmëbardhë, me duart lartë kur janë ndezur kamerat dhe, në anën tjetër, kur fiken dritat, bëjnë ujdi për përfitime të përbashkëta dhe bëjnë pazare për tokën e vakfit, për shpërdorimin e fitrit, zekatit. Ky popull tanimë i ka njohur mirë! Ua ka njohur racën, ndikimin, helmin, thikën pas shpine.
Qenkan tubuar neouzurpuesit e vendit dhe po u premtojnë hoxhallarëve të Maqedonisë se do të bashkohemi!
Mirë boll!
Inshalla është qysh po thoni, jo qysh e dimë ne!
Veç diçka nuk na paskan treguar neouzurpuesit që dëshirojnë t’i udhëheqin hoxhallarët me gjuhë të lidhur që bëjnë se e udhëheqin BFI-në e lidhur: nuk na paskan treguar se ku kanë qenë dhe çka i ka penguar qe 25 vjet që ta bëjnë hapin e parë – të mos merren me haram!