Trajnim në portin kryesor nga niset droga
9 ngarkesa me peshë rreth 370 kg kokainë që vinin nga Ekuadori janë kapur në harkun kohor të një viti në portin e Durrësit. Duke qenë se këto sasi kanë ardhur gjithnjë e në rritje, policia shqiptare ka dërguar disa efektivë të sektorit të antidrogës në qytetin më të madh port të Ekuadorit, Guayaquil.
Burime për TV KLAN bëjnë me dijes se mes efektivëve kanë qenë dhe drejtues të lartë të policisë kriminale që për disa ditë kanë kanë marrë kontakt me homologët e tyre në Ekuadori.
Vizita është zhvilluar disa ditë më parë dhe ka zgjatur rreth 10 ditë me zyrtarët e policisë shqiptare të cilët kanë ndjekur nga afër të gjitha procedurat që kryen në portin e Guayaquilit për zbulimin e kontejnerëve që janë target i trafikut të kokainës si dhe vendi ku më së shumti tentohet të fshihet droga.
Në 8 nga 9 rastet e zbuluara nga policia shqiptare kokainë e nisur nga Ekuadori është gjetur në kontejnerë me banane. Vetëm në një rast, në 6 gusht të 2021 blutë e Durrësit sekuestruan një ngarkesë prej 7 kg kokainë në një kontejnerë me peshk.