Letër nga Tetova
Për dallim nga Shqipëria e Kosova, në Maqedoninë e Veriut, kultura e shqiptarëve ka një trajektore tjetër të zhvillimit. Duke qenë gjithnjë nën trysninë e palës tjetër, kultura shqiptare sikur akoma është nën mëshirën dhe vullnetin e maqedonasve, të cilët, edhe përkundër kinse një transparence “demokratike”, megjithatë agjendat e tyre në rrafshin e kulturës i realizojnë larg vëmendjes së përfaqësuesve shqiptarë përgjithësisht në Qeveri dhe atyre në Ministrinë e Kulturës, në veçanti.
Por, është edhe një e vërtetë që duhet thënë troç: shqiptarët, përkatësisht asnjë subjekt që ishte pjesë e pushtetit, kurrë nuk patën një strategji të qëndrueshme për zhvillimin e kulturës së tyre. Mbase, kjo ndodhi dhe akoma ndodh thjeshte nga mosdija, nga mungesa e projekteve afatgjate, por edhe nga futja e gishtërinjve partiak në financimin e projekteve, fatkeqësisht, të zbehta. Kështu, partia, përmes komisionarëve partiakë, u jep dritë të gjelbër (me mjete qesharake) “artistëve” të partisë. Kurse ata që nuk janë në shërbim të partisë në pushtet, ka vite që thjeshtë kanë hequr dorë nga lëmosha e këtillë partiake.
Kur të kihet parasysh kjo gjendje, atëherë mund të marrim me mend se cili është niveli i kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Jo se në Ministrinë e Kulturës nuk ka shqiptarë, përkundrazi, ka, por ata disi veprojnë si në mjegull dhe janë larg zyrave të vendosjes në shpërndarjen e mjeteve miliona euro për kulturën maqedonase.
Në fakt, aktiviteti i shqiptarëve në administratë është vetëm vendosja e fotografive në FB nga ambientet e punës, fotografi nga vizita të ndryshme, e çuditërisht shqiptarët kënaqen të udhëtojnë në harxhim të shtetit, pavarësisht faktit se mungesat e tyre pala tjetër i shfrytëzon për t’i realizuar edhe ato projekt që janë në dëm të vetë shqiptarëve.
Politikat e gabueshme që nëpër vende të rëndësishme të çohen vetëm militantët partiakë e jo njerëz profesionistë, ka bërë që të ngelim vetëm margjinave të zhvillimeve bashkëkohore, për të mos thënë se kultura shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk e tejkalon nivelin e folklorizmit.
Kur gjithë kësaj t’i shtohet mungesa e debatit të mirëfilltë për zymtësinë në kulturën shqiptare, atëherë nuk është aspak e moralshme që gjithmonë fajin ta kërkojmë te pala tjetër, duke derdhur lot krokodili. Kultura nuk bëhet as me fasada, të cilat shqiptarët në pushtet i konsiderojnë si vlera…(HEJZA)