Presidenti amerikan Joe Biden ka shpallur sot gjendjen e katastrofës natyrore në Texas, duke i hapur rrugë dërgimit të fondeve dhe ndihmës në shtetin amerikan të goditur nga stuhia vrasëse e dëbores.
Energjia elektrike është duke u rikthyer në Texas dhe temperaturat pritet të rriten por më shumë se 10 milionë njerëz ende përballen me defekte të rrjetit elektrik dhe të sistemit të ujit të pijshëm.
Biden tha se do të vizitojë Texas kur prezenca e tij të mos jetë pengesë për përpjekjet e ndihmës e shpëtimit.
Rreth 60 vdekje në të gjithë Shtetet e Bashkuara i janë atribuar stuhisë dimërore.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej sot se presidenti Biden “ka urdhëruar asistencë federale për shtetin e Texas, në ndihmë të përpjekjeve vendore, në zonat e përfshira nga stuhitë dimërore”.
“Asistenca do të përfshijë grante për strehim të përkohshëm, riparime shtëpiake, hua me kosto të ulët për dëmet e shtëpive të pasiguruara dhe programe të tjera ndihme për individët dhe bizneset e prekura nga katastrofa”.
Përvec të tjerave, stuhia dimërore ka ndërprerë furnizimin me ujë në qytetin Jackson, Mississippi – ku banojnë rreth 150,000 njerëz – si dhe në një zonë të madhe të shtetit Tennessee duke përfshirë qytetin e Memphis, me 651,000 banorë.
Deri dje, rreth 180,000 shtëpi e biznese nuk kishin energji elektrike në Texas ndërsa në të gjithë SHBA, shifra llogaritej në 3.3 milionë njerëz.
Rreth 13 milionë njerëz kanë pasur probleme në fuirnizimin me ujë në shtëpi prej dëmtimeve nga ngricat dhe acari.
Në kryeqytetin e Texas, Austin, janë humbur 1.2 miliardë litra ujë nga shpërthimi i tubacioneve prej motit të ftohtë.
Qyteti më i madh i Texas, Houston, është në emergjencë uji dhe ka urddhëruar zjerjen e tij para konsumit, prej rrezikut të kontaminimit.
Guvernatori i Texas Greg Abbott tha se çështja e ujit i takon kompanive private, të cilat nuk kanë arritur të përballojnë dëmet e ngricave që kanë çarë tubacionet.
Zyrtarët thanë se 320 hidraulikë shtesë po shkojnë atje për të dhënë ndihmën e tyre.