Midis nesh
Shumë herë kemi dëshmuar se ne vuajmë nga dyfytyrësia, duke shkuar deri aty sa pa fije turpi i ushqejmë dhe i kultivojmë antivlerat.
Kritika nuk do të duhej të shkruhej për hatër të askujt, e as për ndonjë qëllim meskin, aq më tepër për ndonjë lloj të nënshtrimit. Mbase, poezia dhe proza nuk kanë të bëjnë me modën, por thjeshtë janë produkte shpirtërore që komunikojnë vetëm lexuesin. Kurse kritika duhet të jetë ajo që do ta ndajë shapin prej sheqerit, thjeshtë për të vënë një rend në botën e botimit, me të cilën sot po abuzohet në përmasa alarmante.
Ka shumë të tillë që mendojnë se janë njohës të letërsisë dhe se ajo që e shkruajnë ata është diçka e vlefshme. Injoranca e tyre deri diku mund të arsyetohet, por nuk mund të arsyetohet me asgjë rrëshqitja e disa kritikëve të profilizuar dhe të verifikuar kur shkruajnë ose me porosi, ose për ndonjë qëllim tjetër që nuk ka të bëjë fare me letërsinë.
Duke shkruar në këtë mënyrë, këta kritikë, fatkeqësisht bien në kurthin që e ngrenë vetë, sepse janë të detyruar të japin vlerësime që s’kanë të bëjnë me nivelin artistik të veprës së marrë për shqyrtim. Kjo gjë është e dukshme, por për shumë arsye, përfshi edhe ato që kanë të bëjnë me respektin e moshës dhe veprës së kritikut, heshtet, ndonëse, edhe pse nuk hetohet, më të dëmtuar dalin autorët e këtyre veprave, të cilët më vonë do ta kuptojnë se kanë qenë të lajthitur nga vetëpëlqimi i tyre.
Janë disa emra, për të cilët në të kaluarën, në një moment të caktuar, gjithnjë mbi bazë të interesit, për veprat e tyre është shkruar me nota të larta, por që sot nuk përmenden fare. Kurse e shkruara, nga ana tjetër, si dokument, fatkeqësisht nuk zhbëhet. Kjo tregon se kemi humbur sensin e asaj që është njerëzore, duke e zëvendësuar me një lloj hipokrizia që e ngrit në qiell qasjen tonë të pamoralshme.
Është patolerueshme që privatësitë dhe simpatitë të reflektohen edhe në sferën e kritikës, për ta bërë mizën buall. Natyrisht, kjo është pasojë e rrezikshme e asaj për të cilën disa herë kemi bërë fjalë, pasojë e grupimeve të ndryshme letrare, të cilat thjeshtë ushtrojnë korrupsionin shpirtëror vetëm e vetëm për t’i kënaqur dëshirat e sëmura të disa individëve që mendojnë se bota sillet rreth tyre.
Kur e kemi këtë gjendje, atëherë është e natyrshme që shumë vepra të mira te autorëve që nuk u takojnë kastave letrare, të bëjnë një jetë të heshtur dhe pa u vërejtur fare. Duhet të jetë e qartë se emrat dhe simpatitë nuk e bëjnë letërsinë, por veprat, përkatësisht përmbajtja e tyre dhe as kritika e shkruar me fjalë të zgjedhura e të bukura, për të cilat askush nuk mban përgjegjësi, sepse në ato fjalë nuk gjendet e vërteta, por mashtrimi i përkohshëm dhe i dëmshëm. Por, kur ky mashtrim dhe dëm vjen nga kritikët e besueshëm, atëherë zhgënjimi nga ta bëhet edhe më i plotë…/ HEJZA/