Mijëra mbështetës të opozitës bllokuan Parlamentin armen sot, duke kërkuar përsëri dorëheqjen e kryeministrit Nikola Pashinyan.
Për muaj me radhë, Pashinyan refuzoi të jepte dorëheqjen për shkak të marrëveshjes së paqes që ai arriti me Azerbajxhanin në nëntor, duke i dhënë fund luftës mbi rajonin e Nagorno-Karabakut, zyrtarisht territor i Azerbajxhanit, i kontrolluar nga separatistët armenë.
Tensionet politike u përshkallëzuan muajin e kaluar kur shtabi i përgjithshëm i ushtrisë armene kërkoi dorëheqjen e Pashinyan dhe kryeministri u përgjigj duke shkarkuar Onik Gasparyan. Opozita rriti presionin mbi Pashinyan sot, duke u bërë thirrje mbështetësve të bllokojnë parlamentin.
Në thirrje, mijëra protestues rrethuan ndërtesën e parlamentit, me përleshje të herëpashershme me policinë. Politikani i opozitës Vazgen Manukyan, të cilin opozita e propozon si kryeministër të përkohshëm, parashikoi që ushtria nuk do të pranonte urdhrin e Pashinyan për shkarkimin e shefit të shtabit të përgjithshëm, Onik Gasparyan. “Ushtria nuk do të tërhiqet, sepse nuk është problem i një njeriu,” tha Manukyan.
Në mënyrë që të zvogëlojë krizën politike, Pashinyan ofroi të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë vit, por refuzoi kërkesën e opozitës për t’u tërhequr para votimit. Demonstratat masive kundër Pashinyan filluan më 10 nëntor, pasi ai, me ndërmjetësimin e Rusisë, nënshkroi një marrëveshje me Azerbajxhanin për t’i dhënë fund luftës gjashtë-javore rreth Nagorno-Karabakut, në të cilën u vranë më shumë se 6.000 njerëz.
Me këtë marrëveshje, Armenia humbi kontrollin mbi një pjesë të Nagorno-Karabakut dhe zonave përreth në Azerbajxhan pas më shumë se 25 vjetësh.