Kritikët thonë se projektligji kufizonte lirinë e medias dhe shoqërisë civile
Protestat e qytetarëve në Gjeorgji patën efekt. Qeveria ka bërë me dije se do të tërheqë nga parlamenti projektligjin i cili ndalon financimet e huaja për OJQ-të.
Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” arsyetoi vendimin e saj përmes një deklarate duke theksuar nevojën për të reduktuar “konfrontimin” në shoqëri, ndërsa denoncoi edhe gënjeshtrat e thëna sipas saj nga opozita.
Menjëherë pas vendimit ka reaguar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Gjeorgji.
“Ne inkurajojmë të gjithë liderët politikë në Gjeorgji që të rifillojnë reformat pro-BE, në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konstruktive”, thuhet në një postim në Twitter.
Ky projektligj kërkonte që mediat dhe organizatat joqeveritare që marrin mbi 20% të financimit të tyre nga burime të huaja, të regjistroheshin si “agjentë të huaj”.
Shumë manifestues dolën në rrugë për të kundërshtuar projektligjin dhe akuzuan qeverinë se po përdor taktikat shtypëse të Moskës kundër fjalës së lirë.