Protestat e fuqishme, shtyhet vizita e Mbretit Charles në Francë

Vizita shtetërore e Mbretit Charles III në Francë është shtyrë pas kërkesës së Presidentit Emmanuel Macron. Pallati i Elysee ka thënë se vendimi është marrë për shkak të protestës së pensioneve që është planifikuar të martën. Udhëtimi në Paris dhe Bordo ishte parashikuar të niste të dielën, por Franca ka parë dhunë në rritje si pasojë e protestave.

Ndërkohë në një deklaratë, Buckingham Palace tha se vonesa është si pasojë e “situatës në Francë”. “Madhëria e tij pret me padurim të vizitojë Francën sa më shpejt që të vendoset një datë”, thuhej në deklaratë.

Presidenti Macron foli të premten në mëngjes me Mbretin Charles duke shtuar se vizita do të rivendoset në një datë tjetër sa më shpejt të jetë e mundur “në mënyrë që madhëria e tij të pritet në kushtet që i përgjigjen marrëdhënieve tona miqësore”.

Flakët e revoltës kundër rritjes së moshës së pensionit në Francë përpinë edhe ndërtesën e bashkisë së Bordosë në jugperëndim të Francës. Protestuesit i venë flakën hyrjes kryesore të ndërtesës, natën e të enjtes, incidenti më i rëndë në një javë protesta. Flakë pati edhe gjatë protestave në Paris, ku protestuesit u përleshën ashpër me forcat e policisë.

Dhuna nuk mungoi në asnjë nga qytetet e mëdha të vendit. Ministria e Brendshme franceze njoftoi se gjatë orëve të fundit janë arrestuar 457 persona, ndërsa në përleshjet me protestuesit u plagosën 441 policë.

Më shumë se 1 milionë njerëz dolën në sheshet e protestave në gjithë vendin, ndër të cilët mbi 100 mijë vetëm në Paris. Ajo që acaroi protestuesit ishte vendosmëria e shprehur nga presidenti Macron për të mos u tërhequr nga vënia në zbatim e ligjit në fund të këtij viti.

Leave a Reply