Berisha: Ndahemi përfundimisht me “Alibashën”

“Përdorimi i administratës në zgjedhje rrënon standardet ndërkombëtare”

Dera e Sali Berishës u mbyll përfundimisht për dyshen Alibeaj-Basha, ndaj të cilëve kreu i demokratëve nuk i kurseu akuzat se janë të përfshirë në krim me Kryeministrin Rama.

“Alibasha, i lidhur në krim me Edi Ramën, bashkë me Lul Bravën, po zbatojnë rigorozisht urdhrat e tyre. Nëse më pyet nëse humbet gjë PD, ju garantoj se vetëm fiton. PD ndahet përfundimisht nga një grup, nga disa pengje të shpërfytyruara, të marrë peng nga Edi Rama për lidhjet me krimet, për aktivitetet e tyre kriminale ose të familjarëve të tyre të ngushtë.”

Me shqetësim foli për rrënimin e standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve nga ana e qeverisë.

“Nëse qeveria përdor administratën, që në këtë moment zgjedhjet nuk janë më zgjedhje. Rrënohen standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve, por ne jemi të vendosur të marrim pjesë.”

Lidhur me aferën e inceneratorëve, Kryetari i Partisë Demokratike tha se Arben Ahmetaj, i vënë nën akuzë për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash ka udhëtuar në Londër për një marrëveshje me Kryeministrin Rama.

“Tigri i Korrupsionit ka udhëtuar për në Londër, për një deal me Edi Ramën. Arben Ahmetaj është një nga personat kryesorë të mega-aferës korruptive të djegësve. Por njëshi me distancë në këtë aferë, është personalisht Edi Rama.”

Ndërkohë Berisha nuk la pa përmendur as presionin e qeverisë mbi mediat edhe përmes mekanizmave të shitbjerjes së aksioneve të tyre në prag të fushatës elektorale për lokalet e 14 Majit.

Leave a Reply