Dyshja konservatore e kritikoi procesin e nominimit për të zgjedhur pozicionet e nivelit të lartë të BE-së duke i cilësuar si jodemokratike dhe të gabuara me rezultatin e zgjedhjeve të BE-së, të cilat treguan që krahu i djathtë të fitonte në Parlamentin Evropian.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, akuzuan BE-në si jodemokratike pasi dyshja u përjashtuan nga negociatat paraprake dhe nuk arritën të siguronin një vend të nivelit të lartë në ciklin e ardhshëm politik për grupet e tyre politike.
Pas disa orësh negociatash, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila rrjedh nga Partia Popullore Evropiane (EPP) centriste, u emërua presidente e Komisionit, ish-kryeministri portugez socialist, António Costa, si president i Këshillit Evropian, si dhe kryeministrja liberale estoneze, Kaja Kallas, si përfaqësuese e lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.
Bëhet e ditur se Meloni votoi kundër Costas dhe Kallas dhe abstenoi për Ursula von der Leyen, ndërsa Orban votoi kundër von der Leyen, abstenoi për Kallas dhe mbështeti Costan.
Kryeministrja italiane tha se propozimi për postet e larta i formuluar nga Partia Popullore Evropiane (EPP), socialistët (S&D) dhe liberalët (Rinew Europe) ishte “i gabuar në metodë dhe në thelb” dhe nuk pasqyronte rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura në BE më 6-9 qershor, ku grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë, të cilit i përket partia e Melonit, u bë efektivisht forca e tretë në Parlamentin Evropian, pas EPP dhe S&D.
“Vendosa të mos e mbështes atë për respekt për qytetarët dhe indikacionet që erdhën nga ata qytetarë gjatë zgjedhjeve. Ne vazhdojmë të punojmë për t’i dhënë më në fund Italisë peshën që meriton në Evropë”, tha kryeministrja italiane.
Ndërkohë, homologu i saj hungarez Orban i bëri jehonë shqetësimeve të ngjashme duke thënë se “votuesit evropianë janë mashtruar” duke kritikuar pozicionet e reja të nivelit të lartë si kundër vullnetit të elektoratit, i cili u zhvendos në të djathtë, në dëm të të gjelbërve dhe liberalëve në Parlament.
“PPE formoi një koalicion gënjeshtrash me të majtën dhe liberalët. Ne nuk e mbështesim këtë marrëveshje të turpshme”, tha Orban.
Në fund të fundit, pozicioni i Hungarisë dhe Italisë nuk do të ketë asnjë ndikim në nominimet, megjithëse von der Leyen mund të kërkojë ende të fitojë mbështetje nga 24 eurodeputetët e partisë së Melonit.
Siç raportohet, Vonder Leyen duhet të konfirmohet nga shumica e 720 deputetëve të Parlamentit.
Pozicioni i Orbanit, ndonëse i papritur, vendos tonin për fillimin e marrjes së presidencës rrotulluese të Këshillit të BE-së nga vendi i tij, ndërsa vendi merr presidencën nga 1 korriku për gjashtë muaj.
Ndryshe, eurodeputetët gjermanë Daniel Freund dhe Damian Boeselager i kanë shkruar një letër presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, duke u bërë thirrje autoriteteve të institucionit për të bllokuar presidencën e ardhshme hungareze të BE-së, duke argumentuar se “është koha për t’u ngritur kundër Orbanit”.
E nënshkruar nga 20 mijë qytetarë, letra pretendon se është “jashtëzakonisht e dëmshme” për reputacionin e BE-së që të përfaqësohet nga Hungaria, një vend me “nivele të larta korrupsioni” dhe me një histori për mosrespektim të sundimit të ligjit.
“Në nivel evropian, qeveria Orban e ka krahasuar BE-në me një diktaturë”, thuhet në letër.