Pse kryeqyteti i Turkmenistanit kryeson listën e qyteteve më të shtrenjta për të jetuar për punëtorët e huaj?

Kryeqyteti i Turkmenistanit në Azinë Qendrore është emëruar si qyteti më i shtrenjtë në botë për punëtorët e huaj.

Ashgabat, një qytet me rreth një milion banorë, kryesoi një hulumtim të kostos së jetesës për vitin 2021 të kompanisë së konsulencës Mercer.

Renditja e vendos Ashgabatin mbi qytetin më të kushtueshëm të vitit të kaluar, Hong Kongun, i cili u vendos i dyti, i ndjekur nga Bejruti i Libanit dhe Tokio e Japonisë, raporton bbc.

Raporti vjetor rendit 209 qytete bazuar në koston e shpenzimeve, të tilla si strehimi, transporti dhe ushqimi, transmeton Telegrafi.

Mercer tha se vlerësoi më shumë se 200 mallra dhe shërbime për raportin, i cili është krijuar për të ndihmuar kompanitë dhe qeveritë në të gjithë botën të përcaktojnë sa duhet të paguajnë punonjësit e huaj.

Të mërguarit janë njerëz që jetojnë ose punojnë jashtë vendeve të tyre të lindjes.

Shumica e qyteteve në dhjetë vendet e para të Mercer janë qendra biznesi ku rritja ekonomike ka çuar në një rritje të çmimit të banesave dhe kostove të tjera të jetesës.

Por, Ashgabat i detyrohet renditjes së saj të lartë më shumë problemeve ekonomike sesa prosperitetit.

Pse është në krye të listës?

Jean-Philippe Sarra i Mercer pohoi se “inflacioni i lartë lokal” shpjegoi ngritjen e Ashgabatit në të parin nga i dyti në studimin e vitit të kaluar. Inflacioni është shkalla e rritjes së çmimeve për mallrat dhe shërbimet me kalimin e kohës.

I njohur për qeverinë autokrate dhe rezervat e mëdha të gazit, Turkmenistani u ballafaqua me një krizë të gjatë ekonomike që ka zhytur shumë qytetarë në varfëri.

Më parë pjesë e Bashkimit Sovjetik, vendi varet shumë nga eksportet e gazit natyror në Rusi. Duke pasur parasysh këtë, trazirat ekonomike të Turkmenistanit janë nxitur, pjesërisht, nga çmimet e ulëta të gazit.

Një rënie globale e çmimeve të energjisë në vitin 2014 rriti inflacionin dhe çmimet e ushqimit, transmeton Telegrafi.

Në shtator të vitit të kaluar, një raport nga Human Rights Watch (HRW) tha se pandemia COVID-19 kishte “përkeqësuar në mënyrë drastike krizën e mëparshme ushqimore të Turkmenistanit”.

“Mungesat e ushqimit të subvencionuar, duke u përshpejtuar që nga viti 2016, janë përkeqësuar, me njerëzit që presin orë të tëra në radhë në përpjekje për të blerë produkte ushqimore më të përballueshme, shpesh duke u kthyer me duar të zbrazëta”, tha raporti.

Pavarësisht kësaj, qeveria e Turkmenistanit filloi një zgjerim të madh të Ashgabatit në muajin maj. Presidenti prej një kohe të gjatë, Gurbanguly Berdymukhamedov u zotua të kthejë kryeqytetin në “një nga qytetet më përparimtare në botë”.

Ku renditeshin qytetet e tjera në studim?

Zurich

Kryeqyteti i Libanit, Bejruti, kishte një ngritje të madhe, duke u “hedhur” nga i 45-ti një vit më parë në të tretin në hulumtimin e vitit 2021.

Mercer ia atribuoi këtë një numri faktorësh, duke përfshirë “trazirat politike” të viteve të fundit dhe “depresionin e rëndë dhe të gjerë ekonomik”.

“Pandemia COVID-19 dhe shpërthimi në Portin e Bejrutit [në vitin 2020] kanë amplifikuar të gjitha efektet ekonomike, duke shkaktuar inflacion rekord”, tha Mercer.

Tre qytete zvicerane ishin në top 10, përfshirë Cyrihun, i cili ra në të pestin.

Nga qytetet më të shtrenjta kineze të përfshira, Shangai u ngjit në një vend në vendin e gjashtë ndërsa kryeqyteti, Pekini, u ngrit në të nëntin.

Singapori, një qytet-shtet i njohur për sektorin e lulëzuar financiar, zuri vendin e shtatë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Londra u rendit e 18-ta, duke u rritur me një vend nga numri 19 vitin e kaluar, ndërsa Birmingham u rendit në 121, duke u ngjitur me tetë vende nga 129 në vitin 2020.

Në fund të listës, kryeqyteti i Kirgistanit Bishkek u rendit si qyteti më pak i kushtueshëm për punonjësit e huaj nga studimi. /Telegrafi/

Leave a Reply