Puçi klasik në BFI që “e detronizoi” Ali Ahmetin

Bashkësia Fetare Islame nuk po gjenë rehati! Sikur një mallkim i rëndë ka rënë mbi këtë Institucion dhe vetëm një Zot e di se sa gjatë do të rëndojë ky mallkim mbi këtë “shtëpi” të myslimanëve të vendit. Të paktën, nuk ka rehati aty përderisa brenda saj do të pështillet Shaqir Fetai, instalacioni i shërbimeve të huaja në krye të BFI-së


Nga Dritan Rexhepi

Populli thotë: çka të mbjellësh atë do të korrësh! Shaqir Fetai në BFI e mbolli puçin klasik dhe, vështirë se do t’i përballojë kësaj dukurie. Me puç erdhi dhe me puç do të ikë. Në të dy rastet – skajshmërisht i turpëruar.
Natyrisht, puçin ia organizuan struktura të BDI-së si dhe struktura të shërbimeve sekrete, ndërsa e votuan pikërisht ata drejtus të organeve të BFI-së që po kontrolloheshin nga këta struktura.
Edhe kundërkandidati i Shqir Fetait, Myftiu i Tetovës, dr. Qani Nesimi, ishte i përgëdheluri i strukturave më të larta të BDI-së (sidomos i Tetuta Arifit), ndonëse ai humbi. Dihej që do të humbiste, e rëndësishme për BDI-në ishte që Qani Nesimi t’ia sigurojë procesin demokratik e kushtetues Shaqir Fetait, të cilit i duhej qoftë edhe formalisht një kundërkandidat.
Me kohë BDI do të kuptojë se në krye të BFI-së ka sjellë një njeri katastrofal, një udbash dhe një person shumë të dëmshëm. Ali Ahmeti po e mbante gjithë e më larg duke ia shprehur haptazi pakënaqësinë ndaj tij, sidomos që nga momenti kur ai thjesht e nguli Kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferin, të cilin në një farë forme e detyroi të takohet me delegacionin rus të Putinit i cili kishte dalur në terren për të fituar përkrahje ndërkombëtare në prag të sulmit okupues kundër Ukrainës.
Ali Ahmeti jo njëherë haptazi e ka shprehur pakënaqësinë e vet kundër Shaqir Fetait, ndaj dhe, këtë pakënaqësi u munduan ta shfrytëzojnë disa struktura brenda BFI-së dhe dy herë t’ia përgatisnin një puç por që në të dy rastet dështuan.
Së fundmi, të involvuar edhe struktura nga “Gupi i zjarrit” (Blerim Bexheti dhe Musa Xhaferi), por edhe struktura policore (si Zimri Qamili), së bashku me të pakënaqurit brenda BFI-së, kohë më parë ia përgatitën edhe puçin e tretë por që, grupi i Gostivarit me në krye Talat Xhaferin reaguan dhe e shpëtuan në momentin e fundit. Shërbimi sekret që e ka ndikim më të madh brenda BFI-së e shpëtoi kësaj radhe duke “e kidnapuar” myftiun e Dibrës dhe duke e detyruar që ta tërheqë nënshkrimin e tij, akt ky që u krye diku kah ora tre e mëngjesit!
Angazhimi i këtyre puçistëve ishte që në krye të BFI-së ta sjellin (natyrisht, me pëlqimin e strukturave të BDI-së nga Tetova) Qani Nesimin! I indinjuar nga ky gjest që erdhi nga po ata që e kishin përkrahur Shaqir Fetain që të realizohet skenari i shërbimeve sekrete dhe ta instalojnë në krye të BFI-së, Shaqir Fetai këto ditë ndërmori hap kundërofensiv: largoi nga “rijaseti” tij, shkarkoi njerëz nga puna, u hidhërua me miq e me shokë “të ngushtë”, i shkarkoi nga postet drejtuese, dhe në vend të tyre solli të rinj, njerëz pa përvojë dhe marioneta që besnikërisht e verbërisht do të jenë në shërbim të Shaqir Fetait.
Natyrisht, ky dështim i strukturave policore dhe i disa besnikëve të Ali Ahmetit e ka dëshpëruar rëndë këtë të fundit, i cili, të gjithëve, sidomos grupit të Gostivarit që e tradhëtuan në këtë aksion, ua ka bërë të qartë që, Shaqir Fetai nuk e ka përkrahjen e katundarëve të vet dhe se, me këtë zgjedhje që kanë bërë shumë shpejt do t’i arrijë mallkimi i gostivarasëve të cilët edhe mund t’i ndëshkojnë me mosdhënie të votës.
Tani, BDI-ja si parti, do të duhet të kalkulojë me vota e me numra dhe, të dalë në përfundim se, sa do të fitojnë e sa do të humbin me përzierjen e tyre brenda BFI-së, sidomos me instalimin në krye të këtij Institucioni të Shaqir Fetait, i cili, madje edhe publikisht u padit nga viktima e tij, Nexhat Ibrahimi, teolog shumë i nderuar në botën shqiptare, të cilin Shaqir Fetai, nën nofkën “ORAO”, e kishte spiunuar për interesa të UDB-së deri sa kishin qenë studentë në Sarajevë.
Nëse konstatimi i Ali Ahmetit do të dalë i vërtetë, atëherë BDI-ja do të nisë të ndëshkohet që nga Çegrani dhe ndëshkimi do të shkojë me efektin domino! Populli di ta respektojë liderin por edhe di ta ndëshkojë duke e mbrojtur nga rriqërat si puna e Shaqir Fetait! Rriqëra nëse nuk shkulet në rrënjë, vazhdon e ta thithë gjakun duke ta pezmatuar vendin dhe tërë trupin, madje edhe dheun e varrit!

Leave a Reply