Ministria e Shëndetësisë ia kalon përgjegjësinë ISHP
Një vit më parë, zonat turistike të Lezhës u trajtuan që në muajin Prill për minimizimin e pranisë së mushkonjave, kryesisht në qytet si dhe bregdetin e Tales dhe Shëngjinit. Pavarësisht se jemi në kulmin e sezonit veror dhe Shëngjini ka njohur fluks të lartë vizitorësh, ky proces ende nuk është realizuar.
Pushuesit në Shëngjin e Tale flasin për një shqetësim që sigurisht nuk mund të kalohet lehtë gjatë mbrëmjes. Pickimi i mushkonjave është një bezdisje e madhe për ta, ndaj thonë se zgjidhja duhej të ishte bërë ende pa nisur mirë sezoni turistik.
Të vetëdijshëm për problematikën, mjekët e ambulancës së Shëngjinit nuk pranojnë as të flasin për simptomat që shkakton pickimi nga mushkonjat.
Pickimi i mushkonjave shkakton enjtje të lëkurës, skuqje, kruarje dhe dhembje. Për fëmijët, pacientët me imunitet të dobët dhe turistët, mund shfaqet edhe ngritje temperature. Anafilaksia është dukuri e rrallë te pickimi i mushkonjave, mirëpo kur ndodh kjo mund të jetë fatale.
Edhe në Bashkinë e Lezhës mostrajtimi i mushkonjave konsiderohet shqetësim që ndikon në turizëm. Nenkryetarja Alfrida Marku kërkon që ky proces të realizohet sa më parë që të jetë e mundur
Dezinsektimi do të realizohet shumë shpejt pasi është në tenderim faza e tretë, thotë pergjegjësja e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Lezhë, Zoje Zefaj, duke sqaruar se janë ende në kohë.
Por në kohën kur procesi i dezinsektimit nuk është kryer ende në të gjithë vendin dhe mushkonjat janë kthyer në një shqetësim për pushuesit dhe një rrezik për braktisjen e plazheve, Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, i largohet përgjegjësisë. Ajo ja faturon të gjithë situatën Institutit të Shëndetit Publik.
“Është ISHP që merret me këtë proces ndaj kërkojuani atyre arsyet e mosdezinsektimit”, iu përgjigjen interesimit të televizonit Klan zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë, që vetë drejtuesja e ISHP Albana Fico tha se “jemi në fazë vlerësimi dhe se ka ende kohë për dezinsektimin”.
Por sezoni turistik ka nisur dhe mijëra turistë përballen me mushkonjat çdo ditë e natë nëpër plazhe./Tv Klan