Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, përshëndeti të martën armëpushimin në Karabakun Malor, territor azerbajxhanas që ishte nën pushtimin armen prej gati 30 vitesh, duke potencuar se kjo është një marrëveshje që do të ndalë gjakderdhjen.
Ky vlerësim i Putinit erdhi gjatë pjesëmarrjes së tij me videokonferencë në samitin e liderëve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), ku mes të tjerash komentoi edhe vendimin e natës së kaluar për armëpushim ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Shefi i Kremlinit i cilësoi ngjarjet në Karabak si “tragjedi” dhe vijoi me këto fjalë: “Unë dua të theksoj me një kënaqësi të madhe se kemi arritur marrëveshje që do të ndalin gjakderdhjen. Shpresoj që këto hapa të fundit që ne kemi ndërmarrë, do të sigurojnë paqe afatgjatë për popujt e Azerbajxhanit dhe Armenisë.”
Azerbajxhan dhe Armenia firmosën marrëveshje për armëpushim duke filluar nga data 10 nëntor, ora 01:00 sipas kohës lokale.
Sipas marrëveshjes në fjalë, Azerbajxhani dhe Armenia do të qëndrojnë në pozicionet që kontrollojnë aktualisht, ndërkohë që forcat armene do të tërhiqen nga rrethet e pushtuara të Kalbajarit, Agdamit dhe Lachinit deri më fund të muajit nëntor.
Në kuadër të këtij akordi, i cili parashikon pozicionimin e forcës paqeruajtëse ruse në rajon, do të ngrihen gjithashtu qendra mbikëqyrëse të formuara nga trupa ruse dhe turke.