Kristof Mejer /
Disa autoritete në të gjithë Evropën kanë ndërmarrë masa drastike për të frenuar përhapjen e COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri. Kjo ka përfshirë imponimin e kufizimeve për lëvizjen në të gjithë Italinë.
Dallimet në mënyrën se si reagojnë qeveritë janë bërë të dukshme, me disa politikanë që theksojnë nevojën për një përgjigje proporcionale, ose atë që Kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti “të matur dhe të arsyeshme”. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ka folur për “nevojën për të arritur një ekuilibër”, kur vendosi se cilat masa janë shumë drakoniane. Ndërsa SHBA vendosi një ndalim udhëtimi ndaj të gjithë të huajve që kanë qenë në Evropën kontinentale, Kancelari i Thesarit i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak theksoi mungesën e provave që “ndërhyrjet si mbyllja e kufijve ose ndalimet e udhëtimit do të kenë një efekt material në përhapjen e të infeksioneve”.
Ajo që përbën, ose jo, një reagim të tepruar është një pyetje që ka të bëjë me atë, se sa i rëndë është një kërcënim për shëndetin publik. Ndërsa qeveritë vendosin për përgjigjen e duhur, ato duhet të jenë të vetëdijshme për prirjet që kanë dhe të jenë të vetëdijshme, se mund të reagojnë mbi presione të gabuara, kur përgjigjen ndaj kërcënimit të COVID-19.
Reagimi i tepruar në politikat publike mund të vijë në forma të ndryshme. Për shembull, masat mund të dëmtojnë vetveten në qëllimet e tyre të synuara. Vendimi për të karantinuar pjesë të mëdha të Italisë veriore u shpërnda në media para kohe, dhe kjo bëri që njerëzit të largoheshin nga rajoni, duke përhapur potencialisht më shpejt virusin. Në mënyrë të ngjashme, një vendim për të mbyllur të gjitha shkollat mund të bënte që më shumë të afërm të moshuar – të cilët janë më të prekshmit nga virusi – të kujdeseshin në shtëpi për fëmijët.
Masat e tjera mund të krijojnë rreziqe të shëndetit publik diku tjetër. Mbyllja e shkollave në shkallë të gjerë ka të ngjarë të çojë në kujdestarë, infermierë dhe mjekë që qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët e tyre, në vend që të punojnë në spitale.
Përpjekjet për të trajtuar virusin mund të shkaktojnë gjithashtu “dëme kolaterale”, përtej shëndetit publik. Anulimi i fluturimeve dhe ngjarjeve publike ka pasoja të mëdha. Për më tepër, humbje të mëdha për arkat publike, mund të shndërrohen në ulje të shpenzimeve. Instituti për Studime të Politikave Publike (IPPR) llogariti se 130,000 njerëz të tjerë vdiqën për shkak të masave shtrënguese të qeverisë, të zbatuara ndërmjet viteve 2012-17, si pjesë e përpjekjeve për t’u ringritur nga kriza financiare e vitit 2008. Ekziston mundësia që e njëjta të ndodhë përsëri.
Ne gjithashtu mund të mendojmë, nëse disa masa kundër koronës mund të konsiderohen aq të dëmshme për kohezionin shoqëror, saqë të mos merren, edhe nëse mund të ndihmojnë në përhapjen e ngadaltë. Për shembull, targetimi i grupeve të caktuara me masa shtrënguese për shkak të përkatësisë etnike ose kombësisë së tyre, duke u kërkuar qytetarëve të raportojnë për ata që konsiderohen të infektuar, ose duke u kërkuar njerëzve që t’i nënshtrohen një monitorimi të të gjitha lëvizjeve dhe kontakteve të tyre sociale (si në Kinë), mund të shihen si të papranueshme, për një demokraci liberale që respekton të drejtat e njeriut.
Shmangia e reagimit të tepruar
Pra, si mund të zvogëlohet rreziku i reagimit të tepruar? Eshtë e dobishme të jesh i vetëdijshëm, dhe nëse është e nevojshme, të mbrohesh nga stimujt politikë dhe mekanizmat në lojë.
Thirrjet për veprim kundër një epidemie të afërt mund të krijojnë një nxitje të fuqishme për të ngritur një reagim të fuqishëm por të kalibruar keq, nga politikanët. Ata janë nën presion për t’i dhënë siguri një publiku të frikësuar, duke thënë që do të bëhet “gjithçka” për të ndaluar virusin.
Kjo ndodh veçanërisht kur autoritetet publike ndjehen të shqetësuara, se mos akuzohen për reagim të mangët. Masat drakoniane të shfaqura në Kinë të paktën pjesërisht mund të lidhen me kritikat që reagimi publik në fillim kish qenë i ngadaltë. Dhe spitalet në rajonin e Lombardisë në Itali, sot nën karantinë, po hetohen për humbjen e shumë mundësive për të testuar një pacient “super-përhapës”. Vendimmarrësit kanë nevojë për një shkallë të lartë vetëdijeje për këto paragjykime motivuese, dhe të kuptojnë se cilave presione politike duhet t’u rezistojnë, në vend se t’i përforcojnë dhe veprojnë bazuar mbi to.
Eshtë shumë e kollajtë të ndjekësh modele kzistuese në kohë krizash, por kjo do të thotë të mbështetesh mbi supozime të vjetëruara, mbi mënyran si mund të evoluojë një rrezik.
Një rishikim i pandemisë së gripit të derrit të vitit 2009 (H1N1) zbuloi se disa autoritete shtetërore, në disa aspekte ishin duke reaguar me tepri, mbi vendimet e OBSH për përshkallëzimin e paralajmërimeve. Vetë rishikimi i veprimeve të Mbretërisë së Bashkuar vuri në dukje probleme në përdorimin zyrtar të skenarëve “më të këqinj”, me dhjetëra mijëra vdekje. Vendimi dhe komunikimi në atë kohë ishte rezultat i një dekade planifikimi pandemik, kryesisht ngritur mbi premisën për një kërcënim të ngjashëm me gripin e shpendëve A (H5N1) që u shfaq në 1997 në Hong Kong. Por gripi i derrit i vitit 2009 doli të ishte krejt ndryshe. Ishte shumë më ngjitës, por shumë më pak rrezikshëm sesa gripi i shpendëve, i cili ka një shkallë fataliteti prej 60%. Ishte, në të vërtetë, më i butë se shumë prej gripeve sezonale.
Ende ka ndonjë paqartësi në lidhje me shkallën e mundshme të vdekshmërisë së këtij koronavirusi të ri, me shumicën e vlerësimeve që ndryshojnë midis 1-2% për Evropën – kryesisht ato me gjendje patologjike ekzistuese. Ky është disa herë më i lartë se gripi sezonal, i cili është rreth 0.2%, por sërish vret mijëra njerëz çdo vit, ndërkohë që nuk përshkruhet si “virus vdekjeprurës”. Covid-19 duket se është gjithashtu më ngjitës se gripi sezonal.
Autoritetet dhe qytetarët kanë përgjegjësi për të mbrojtur ata që janë më të rrezikuar dhe për të “rrafshuar kurbën e infeksionit”, për të mbrojtur sistemet shëndetësore dhe për të blerë më shumë kohë për studime, në vaksina dhe trajtime. Por kjo nuk do të thotë që çdo masë për të ngadalësuar sëmundjen është e justifikuar ose proporcionale.
Ajoq ë ka rëndësi, për të shmangur si reagimin e mangët, ashtu edhe reagimin e tepruar, është që qeveritë të testojnë vazhdimisht supozimet e tyre, përkundrejt këshillave dhe provave shkencore më të përditësuara. Ato duhet të shmangin marrjen e vendimeve nga kullat dhe të tërheqin ekspertë nga fusha të lidhura, përtej shëndetit. Nëse është e nevojshme, duhet të bëjnë korrigjime si brenda vetes, ashtu edhe publikisht. Nuk është asnjëherë e kollajtë për burokracitë, që të vënë në dyshim apo të heqin dorë nga planet, protokollet apo procedurat ekzistuese, në situata ku ritmi është marramendës.
Nuk është e lehtë as për politikanët dhe ekspertët që të ndryshojnë këshillat e tyre të mëhershme publike, dhe t’u kundërvihen keqkuptimeve në media dhe para publikut. Por kostoja për të mos e bërë është e lartë. Nuk është vonë për disa vendim-marrës evropianë që të mbajnë parasysh këto mësime. / The Conversation – Bota.al