Rama vizitë zyrtare në Hungari dhe Bullgari. Kthehet pak para votimit të raportit për shkarkimin e Metës

Kryeministri Edi Rama është nisur për një vizitë zyrtare në Hungari.

Mësohet se pas Hungarisë, kryeministri Rama do të qëndrojë dhe në Bullgari, për t’u kthyer më pas të mërkurën në vendin tonë, para seancës ku do votohet raporti i Komisionit për shkarkimin e Presidentit.

Më 9 qershor në Kuvend do të votohet kërkesa për shkarkimin e Metës nga detyra me akuzën se ka shkelur 16 herë Kushtetutën.

Pas një muaji mbledhjesh e shqyrtimesh, Komisioni Hetimor doli në përfundim se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fushatë elektorale. Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.

Komisioni mbërriti edhe në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura.

Shkeljet e kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve. Përmes këtij raporti me 97 faqe, të komisionit hetimor, shumica socialiste i drejtohet seancës plenare të 9 qershorit për ta bërë fakt shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga parlamenti.

Kujtojmë se Meta është shprehur se nga dera e Presidencës  do të dalë vetëm në korrik të vitit 2022, por socialistët duan ta nxjerrin atë më shpejt.

Neni 88 i Kushtetutës kërkon që shkarkimi duhet të marrë jo më pak se 1/4 e anëtarëve të kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij. Kjo do të thotë se shumicës qeverisëse, për të realizuar shkarkimin i duhen 94 vota të cilat nuk i ka.

Leave a Reply