Raporti i ligjvënësve: Qeveria britanike ka dështuar në menaxhimin e pandemisë

Mbretëria e Bashkuar duhet të kishte bërë më shumë për të frenuar përhapjen e koronavirusit në fillim të pandemisë. Kjo fazë njihet si një nga dështimet më të këqija të shëndetit publik, thuhet në një raport të ligjvënësve britanikë.

Sipas raportit, qasja e Qeverisë britanike  e mbështetur nga shkencëtarët e saj ishte të përpiqej të menaxhonte situatën dhe të arrinte imunitetin e tufës me infektimin e njerëzve.

Por, kjo gjë ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzish, pasi izolimi i parë është vendosur vonë.

“Në javët e para është bërë shumë pak për të frenuar përhapjen e koronavirusit, pavarësisht dëshmive nga Kina dhe më pas Italia, se ky është një virus shumë infektiv, shkakton sëmundje të rënda dhe për disa prej tyre nuk ka shërim. Ky është një nga dështimet më të mëdha të shëndetit publik që Mbretëria e Bashkuar ka përjetuar ndonjëherë”, thuhet në këtë raport

Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të prekura në botë nga koronavirusi. Mbi 8 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 150,000 kanë vdekur.

Raporti përmend si sukses fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit. Në Mbretërinë e Bashkuar mbi 67 për qind e qytetarëve janë të vaksinuar plotësisht.

Raporti prej 150 faqesh është përpiluar nga Komiteti i Shëndetit dhe Kujdesit Social dhe Komiteti i Shkencës dhe Teknologjisë. Të dyja këto komitete përbëhen nga deputetë nga të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlamentin britanik.

Një zëdhënës i Qeverisë britanike tha se mësimet do të nxirren, andaj “do të ketë një hetim të plotë publik vitin e ardhshëm”.

Leave a Reply