Uzuni e Broja në sulm, Asllani titullare së bashku me Bajramin
Izraeli është pengesa e radhës për kombëtares shqiptare, sfidë në të cilën kuqezinjtë kërkojnë të marrin 3 pikët për të shpresuar në mrekullinë, fitimin e grupit dhe ngjitjen në Divizionin A të Ligës së Kombeve.
Një transfertë tepër e vështirë në horizont për skuadrën e teknikut, Edi Reja, i cili në Tel Aviv do të vuajë mungesa të rëndësishme në mbrojtje. Mungesa e Gjimshiti dhe Kumbullës pritet të jetë tepër e vështirë për tu plotësuar, gjithsesi, në kampin e kombëtares kanë gati kartat për t’i zëvendësuar.
Në përballjen e së shtunës mbrëma, Reja do i qëndrojë besnik skemës 3-5-2, por në varësi të rezultatit, ai mund të eksperimentojë.
Kapiteni Etrit Berisha e ka të sigurtë fanellën e titullarit në katërkëndësh. Ismajli, Veseli e Ajeti do formojnë repartin e mbrojtjes, ku në mbështetje nga krahët do jenë Ivan Balliu dhe Hysaj. Një dyshe që do të jetë e hapur në krahët e mesit të fushës për të ndihmuar në të dy aspektet e lojës, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Abrashi do të ketë detyrën e vështirë për të shkatërruar sulmet e kundërshtarit, teksa idetë sulmuese pritet t’i besohet dyshes, Nedim Bajrami-Kristjan Asllani.
Myrto Uzuni ka lënë pas problemet fizike dhe do të jetë nga minuta e parë përballë izraelitëve, teksa si shok reparti do të ketë Armando Brojën,autorin e golit të vetëm në humbjen 2-1 në duelin e parë. Sfidë do të nis në orën 20:45 dhe do të transmetohet ekskluzivisht falas në televizionin kombëtar “Klan”.