Midis nesh
A kanë shqiptarët nëpër shtetet e tyre si dhe në viset etnike matricë të asociacioneve, qendrave, lëvizjeve kulturore, që janë autonome e të pavarura në veprim! Fatkeqësisht, jo, sepse shqiptari e ka më të rëndësishme të ndjehet “kryetar”, “drejtor”, “menaxher” sesa t’i kenë efektet e veprimit! Asnjë iniciativë për formimin e ndonjë bashkësie në nivel kombëtar të të gjitha shoqatave, e cila do ta fuqizonte zërin e të pakënaqurve me zhvillimet kulturore në vendet gjegjëse.
Çka u duhet shqiptarëve një asociacion i tillë? Natyrisht, e para, do të kishim një bazë të të dhënave (database) për të gjitha shoqatat kulturore, profilin, tipizimin, portfolien e tyre si dhe të dhënat e tjetra teknike! E dyta, do të bëheshin pjesë e një familje të madhe, fjala e së cilës do të kishte peshë të fuqishme dhe nuk do të tërhiqen mbrapsht aq lehtë. E treta, do të arrinin më lehtë deri te ndonjë objekt i tyre, në të cilën do t’i realizonin të gjitha synimet organizative dhe programore. E katërta, reagimi i tyre do të ishte një “cunami-goditje” mbi politikat kulturore që mundohen ta margjinalizojnë dhe mos ta përfillin fare shoqërinë civile në rrafshin kulturor. E pesta, do të imponoheshin si partnerë të patjetërsueshëm në hartimin e strategjive nacionale kulturore. Do të mund të numëroheshin edhe një sërë përfitimesh socio-kulturore nga një asociacion i përbashkët, i cili do të vepronte mbi një platformë që pikënisje do ta kishte synimin: “kulturë për të gjithë, të gjithë në kulturë”! Mbi të gjitha, një subjekt i tillë gjithëpërfshirës do të ndikonte në procesin e demokratizimit të politikave në sektorin kulturor dhe më gjerë.
Shqiptarët kanë shoqatë botuesish, kanë asociacion të ansambleve të këngëve dhe valleve, kanë shoqatë piktorësh, muzikantësh etj? Janë me dhjetëra të tillë, të cilat shfaqin me dhjetëra pakënaqësi dhe që presin me dhjetëra përgjigje nga dikasteret kulturore të shteteve dhe, kësisoj, gjithnjë janë në një rreth vicioz, si satelitët në orbitë!
Asnjë nga këto shoqata e subjekte kulturore të pavarura nuk kanë arritur popullaritet siç e arriti Lëvizja “Ta mbrojmë Teatrin” në Tiranë, e cila me kauzën e vet arriti që ta sensibilizojë një opinion të gjerë botëror. Kjo edhe për faktin se rreth kësaj Lëvizje u krijua një “aleancë” me shumë personalitete e faktorë (madje edhe me institucione shtetërore)
Një organizatë e tillë gjithëpërfshirëse, një aleancë me një kulm të përbashkët për të gjithë asociacionet dhe organizatat e ndryshme kulturore të pavarura, do të ishin alternativë e fuqishme kulturore nga ajo çfarë ofrojnë politikat kulturore dhe strategjitë nacionale, të cilat kryesisht bazohen në programet politike të partive në pushtet.
Natyrisht, një aleancë e segmenteve kulturor të pavarur do ta kishte të vështirë të funksionojë pa një koncept të bazuar në partneritet civil-publik të siguruar nga pushteti lokal, nga ndonjë komunë. Komuna ofron objekt të përshtatshëm dhe adekuat për të gjitha llojet e aktiviteteve kulturore të shoqatave brenda aleancës, ndërsa komuna do të rritej dhe zhvillohej kulturalisht me aktivitetet e përditshme të parapara në programin vjetor të hartuar bashkërisht nga përfaqësuesit e të gjitha subjektet anëtare të kësaj matrice kulturore. Kjo do të ndikonte në rritjen e turizmit vendor, në shtimin e të hyrave në arkën komunale, si nga turizmi, nga tatimet por edhe nga buxhetet e projekteve kulturore që do të donoheshin nga vendi, nga fondacionet e ndryshme, nga institucionet ndërkombëtare por edhe nga programi vjetor i ministrisë për kulturë!
Për momentin, një “asociacion i madh” i këtillë funksionon në Zagreb, dhe së fundmi në Shkup, themeluar nga shoqatat e pavarura kulturore maqedonase. Kësisoj, këto dy vende ia kanë dalë që edhe në sektorin civil-privat të jenë të organizuar në sferën kulturore, të dëgjohet seriozisht zëri i tyre gjatë hartimit të politikave kulturore, si dhe qytetet përkatëse të gëlojnë nga aktivitet e ndryshme kulturore si dhe me këto aktivitete t’i konkurrojnë institucioneve nacionale për kulturë. /HEJZA/