Partia demokratike ka dënuar ngjarjen që ndodhi mbrëmjen e djeshme në ambientet e Teatrit Kombëtar, ndërsa ka quajtur të pa tolerueshme dhunën ndaj gazetarit Eni Shehu. Në një deklaratë drejtuar medias, kreu i departamentit të Kulturës në Partinë Demokratike, Arben Skënderi pohoi se dhuna ndaj gazetarit është tregues i qartë se ku janë katandisur institucionet tona.
“Është e pa tolerueshme dhe tejet e ulët ajo çka ndodhi mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar. Dhuna e ushtruar ndaj gazetarit Eni Shehu, është tregues i qartë se ku janë katandisur institucionet tona. Drejtorë që sillen si bajraktarë, shfrytëzojnë institucionet shtetërore në konflikt të hapur interesi për të realizuar karrierat e tyre. Të veshur me petkun e të plotfuqishmit dhe me bekimin e eprorëve të tyre shijnë e luajnë me fatet e artistëve, i përçajnë e i trajtojnë ca te nënës e ça të njerkës. Ndaj, akti i ulët i mbrëmjes së djeshme, nuk është i izoluar, por është kthyer në arrogancë institucionale, me presione psikologjike e me depersonalizim të çdo individi që devijon nga linja e Partisë. Kjo është e rëndë, dhe i bëj thirrje Ministres Kumbaro, të marri në dorë situatën e të kryej detyrën”, citohet në reagimin e kreut të Departamentit të Kulturës, Arben Skënderi.