Ndihmë ukrainasve po u japin edhe dronët turq “Bajraktar”, të cilëve u njihet merita për shkatërrimin e qindra makinerive ushtarake ruse, duke i detyruar ata të humbin shumë beteja. Sulmet ruse po u afrohen kufijve të vendeve të NATO-s si në Lutsk, 85 kilometra larg Polonisë dhe Ivano-Frankivsk, 105 kilometra larg Rumanisë. Tanket ruse vazhdojnë të lëvizin në portat e Kievit prej 2 ditësh, por sulmi për marrjen e kryeqytetit ende nuk ka nisur.
Analistët thonë se ushtarët rusë po përpiqen t’i mbajnë nën presion ukrainasit, për t’u ulur atyre moralin para betejës. Por ukrainasit janë të vendosur për të luftuar deri në fitore. Motivim për këtë është edhe prania në kryeqytet në krah të tyre e presidentit Volodimir Zelenski, i cili dëshmoi sërish me këtë video në rrjetet sociale se është në mes të Kievit.