Rusët ashpërsojnë sulmet ndaj qyteteve

Ashpërsimi i bombardimeve pa bërë dallim mes objektivave ushtarake dhe civile tregon jo vetëm që luftimet kanë hyrë në një fazë tepër vështirë për popullin ukrainas, por dëshmon qartë se krerët e ushtrisë ruse janë të inatosur, pasi nuk e kishin parashikuar një rezistencë kaq të fortë nga Ukraina.

Armët e sofistikuara që ushtria ukrainase ka marrë nga aleatët perëndimorë po u shkaktojnë rusëve dëme të konsiderueshme. Kjo video tregon se si anti-tankët britanikë, shkatërrojnë një grup tankesh që përparojnë pranë Kievit, duke i detyruar drejtuesit e tyre, t’ia mbathin vrapit nëpër fusha. Ushtarët ukrainas po përdorin kundër rusëve, tanket që i kanë prodhuar vetë, një pjesë të mirë të të cilëve i kanë lënë tashmë rrugëve, pas betejave të dështuara.

Ndihmë ukrainasve po u japin edhe dronët turq “Bajraktar”, të cilëve u njihet merita për shkatërrimin e qindra makinerive ushtarake ruse, duke i detyruar ata të humbin shumë beteja. Sulmet ruse po u afrohen kufijve të vendeve të NATO-s si në Lutsk, 85 kilometra larg Polonisë dhe Ivano-Frankivsk, 105 kilometra larg Rumanisë. Tanket ruse vazhdojnë të lëvizin në portat e Kievit prej 2 ditësh, por sulmi për marrjen e kryeqytetit ende nuk ka nisur.

Analistët thonë se ushtarët rusë po përpiqen t’i mbajnë nën presion ukrainasit, për t’u ulur atyre moralin para betejës. Por ukrainasit janë të vendosur për të luftuar deri në fitore. Motivim për këtë është edhe prania në kryeqytet në krah të tyre e presidentit Volodimir Zelenski, i cili dëshmoi sërish me këtë video në rrjetet sociale se është në mes të Kievit.

Leave a Reply