Rusia po i anashkalon sanksionet duke e legalizuar kontrabandën

“Il Fatto Quotidiano”

Kremlini po përpiqet të anashkalojë sanksionet e forta ndërkombëtare përmes importeve paralele, kryesisht kontrabandë. Ministria e Industrisë dhe Tregtisë e Federatës Ruse, ka përgatitur një listë të mallrave perëndimore, që do të lejohen të importohen pa lejen e mbajtësit të së drejtës së autorit.

Kjo u zbulua nga agjencia ruse e lajmeve Tass, sipas të cilës në listë spikasin produktet e kompanive të njohura si Chrysler, Apple dhe shumë industri në sektorët perëndimorë të energjisë, transportit dhe elektronikës.

Agjencia e kishte raportuar që në fundin e marsit, synimin e kryeministrit rus Mikhail Mishustin, pas mbledhjes së një komisioni qeveritar për stabilitetin e ekonomisë ruse nën sanksione. Sipas të njëjtës agjenci, ministria ka miratuar tashmë listën e ndarë në 50 grupe produktesh dhe rreth 200 marka, që në rrethanat normale nuk mund të shiteshin në territorin rus, edhe për shkak të zgjedhjes vullnetare të industrive amerikane dhe evropiane për të mbyllur fabrikat dhe dyqanet e tyre në këtë vend.

“Kjo qasje do të sigurojë furnizimin e Rusisë me mallrat e nevojshme, pavarësisht veprimeve armiqësore të politikanëve të huaj”- tha Mishustin. Një draft i parë i këtij plani, u publikua më 10 mars. Lista përfshinte pajisje teknologjike, të telekomunikacionit, pajisje mjekësore, automjete, makineri bujqësore, pajisje elektrike, vagonë dhe lokomotiva, kontejnerë, turbina, makina prerëse të metaleve dhe gurit, video-projektorë, projektorë, panele elektrike etj.

Për të anashkaluar embargon, u miratua një ligj specifik, i cili i jep qeverisë të drejtën të përcaktojë listat e produkteve, për të cilat është vendosur parimi ndërkombëtar i shterimit të të drejtave të markës tregtare, kur ato shiten nga pronari kudo në botë.

Shërbimi Federal Antimonopol (FAS), kishte mbështetur legalizimin e importeve paralele: “Në kushtet aktuale, kjo masë do të ndihmojë në rritjen e numrit të subjekteve ekonomike që importojnë mallra në Rusi, gjë që do ta ngopë tregun e brendshëm me mallra origjinale, si dhe do të reduktojë çmimet e produkteve të shitura”-vuri në dukje agjencia në një njoftim për shtyp një ditë më parë, duke cituar zëvendës/sekretarin e shtetit Sergej Puzirevski.

Kështu është autorizuar importi i makinave të markave të njohura si Tesla, Land Rover, Jeep  Jaguar, Chrysler, Bently, Cadillac, Chevrolet, Dodge, Hummer, Rover, apo të gomave të markës Michelin , Goodyear, Continental, Bridgestone.

Ironia është se shkatërrimi i Ukrainës nga ushtria ruse, e ka futur në krizë industrinë perëndimore të automobilave, për shkak të mungesës së çipave dhe kuadrit elektrik, që prodhoheshin pikërisht nga Ukraina.

Për këtë arsye po mbyllen edhe fabrikat e BMW dhe Volkswagen në Evropë. Në listën e kontrabandës shtetërore nuk mungojnë celularët, orët, madje edhe Playstation, pra mallra që sigurisht nuk janë “thelbësore” për ekonominë e Federatës ruse, por sigurisht të dobishme për propagandën e kauzës së “çlirimit” të promovuar nga Putin, si një kundërmasë ndaj ndjenjës së izolimit, që mund të shkaktojë dyshime dhe mosmarrëveshje tek konsumatorët dhe qytetarët që e shohin veten të paaftë për të kryer blerje, pasi kanë përfunduar në listën e “vendeve të padëshiruara”.

E gjitha kjo ndodh në një kohë kur objektivat konkrete të “operacionit special”, janë ende të paqarta, dhe kur ka filluar të ndihet kostoja ekonomike dhe sociale, e cila sipas burimeve ruse do të shkonte në mbi 20 mijë ushtarë rusë të vdekur në luftë./Bota.al/

Leave a Reply