Nata e vendimeve të Zotit

“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (Kadr, 1-5)

Nga Afrim Tahiri

Sonte muslimanët anekënd botës do ta shënojnë Natën e Kadrit! Ju qoftë për hajër kjo Natë e Shenjtë, kjo Natë e Madhe, Kjo Natë qe vlenë më shumë se 1000 muaj. Një Natë që vlenë më shumë se sa vetë jeta e një njeriu! Po kur kjo jetë e merr vlerën e kësaj Nate? Natyrisht, vetëm atëherë kur të jetohet ashtu siç na porosit Fjala e Shenjtë e Zotit që nisi të zbresë pikërisht në këtë Natë, të Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Thotë Zoti në Kuran:

”Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (Bekare, 185) Dhe, Kurani nisi të zbresë pikërisht në Natën e Kadrit. “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (Kadr, 1-5)

Krijuesi ynë, pikërisht në këtë Natë e solli Vendimin e Madh që njerëzimit t’ia zbresë Dritën e Shenjtë, t’ia caktojë Rrugën e Drejtë, t’ia zbresë Kodin e Mirësjelljes, t’ia zbresë Esencën e Moralit, Qiejt e Dashuirisë, të Vëllazërisë, të Tolerancës, të Bashkëjetesës, të Dhembjes, të Respektit, Kornizën e Devotshmërisë. Në këtë Natë Engjëjt dhe Shpiti do t’i sjellin Vendimet e Zotit. Në këtë Natë, si në asnjë të tjerat, qenia njeri, ka rastin ta ndjejë paqen, dashurinë për krijesën e Zotit, ta shijojë nektarin e ibadeteve dhe ta ndjejë forcën e shpirtit me të cilën i drejtojhet Krijuesit gjatë lutjeve. Në këtë Natë të Bekuar zbriti Mëshira e Allahut Mëshirëplotë, zbriti Urdhëri për njeriun që të bëjë jetë të dinjitetshme, të moralshme dhe të disiplinuar. Me këto vlera duhet ta kalojë edhe Natën e Madhe, deri në agim, ta ndjejë Mirësinë, Mëshirën, Madhështinë dhe Fuqinë absolute të Krijuesit të vet. Të lutemi deri në agim e t’i kërkojmë falje Krijuesit tonë.

Transmeton Buhariu hadithin e Pejgamberit a.s. i cili ka thënë: ”Kush falet natën e Kadrit me besim dhe shpresë, i falen gjynahet që ka vepruar më parë.”

Përmes shumë haditheve Muhamedi a.s. na ka vënë në dijeni se, Nata e Kadrit është në dhjetë ditshin e fundit të Ramazanit. Vetë Aishja tregon: ”I dërguari i Zotit a.s mbyllej në itikaf dhjetë ditët e fundit dhe na thoshte:”Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit!” (Buhari dhe Muslim)

Kurse, Ebu Seid rrëfen se, Pejgamberi ynë,  Muhamed a.s. doli në mëngjesin e ditës së njëzet të Ramazanit dhe u tha njerëzve: ”Unë e dija natën e Kadrit, por e harrova, prandaj kërkojeni në dhjetë ditshin e fundit, ditët teke!” (Buhari dhe Muslim)

Është e shpeshtë pyetja që dëgjohet nga myslimanët tanë se, cila është lutja që duhet të pëshpëriten më së shumti në këtë Natë. Dijetarët myslimanë e veçojnë sidomos lutjen për të cilën flitet në një hadith të Pejgamberit a.s. Aisha e ka pyetur Muhamedin a.s: “O i dërguar i Zotit, çfarë të them nëse e arrij natën e Kadrit?” Pejgamberi a.s. i tha: “Thuaj:”O Zot! Ti je falës, e do faljen prandaj më fal mua!” (Ibnu Maxheh dhe Tirmidhij)

Besimtarë të dashur, vëllezër e motra, le ta kalojmë këtë Natë duke u lutur deri në agim! Të lutemi që Zoti të na ketë nën Mëshirën e Vet dhe të na ruaj prej zullumqarëve, të na ruaj prej armiqve të fesë por edhe prej atyre që shtiren se janë pjesëtarë të fesë sonë; të na ruaj nga rruga e djallit dhe të na orientojë gjithnjë vetëm Rrugës drejt Dritës së Shenjtë.

Ju qoftë për hajër të gjithëve Nata e Kadrit

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma ën BFI të RMV)

Leave a Reply