Samiti i BE, 6 Dhjetori ditë pushimi zyrtar

Rrugët që do të bllokohen në Tiranë dhe vendi ku organizohet

Për të garantuar sigurinë e 45 delegacioneve të liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor që do të marrin pjesë në samitin e Tiranës, qeveria ka vendosur ta shpallë 6 Dhjetorin ditë pushimi vetëm për administratën, institucionet arsimore, por dhe bizneset private në kryeqytet.

Axhendës së samitit po i jepet dora e fundit, por ajo që dihet është se do të përdoret i njëjti plan masash si për finalen e Konferencë Ligës, që u zhvillua në Air Albania në Maj.

Do të jenë disa rrugë që do të bllokohen dhe nuk do të lejohet hyrja në kryeqytet gjatë asaj dite. Vendi i Samitit do të jetë hoteli që ndodhet në kullën e stadiumit Air Albania, ndërsa sheshi Italia para tij, si dhe holli i Pallatit të Kongrese do të shërbejë për pozicionimin e mbi 400 gazetarëve që do të ndjekin Samitin, si dhe konferencave për shtyp të planifikuara gjatë asaj dite.

Për këtë arsye rreth këtij perimetri nga ura e hotel Dajtit në bulevardin Dëshmorët e Kombit, përfshirë rrugën përpara Televizionit Publik, si dhe të gjitha rrugët rreth stadiumit do të jenë të bllokuara dhe do të ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve.

Kreu i Këshillit Europian, Charles Michel, Presidentja e Komisionit, Presidentja e Kosovës, Presidenti i Serbisë, Presidenti i Malit të Zi, përfaqësuesi i qeverisë së Bosnjes, si dhe Kryeministri kroat do të mbërrijnë në Tiranë që në datën 5 Dhjetor. Ky i fundit do ta shfrytëzojë si vizitë zyrtare dhe do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama atë ditë.

Pjesa tjetër e liderëve europianë do të mbërrijnë ditën e Samitit që nis në orën 10:00 dhe do të largohen po të martën e 6 Dhjetorit. I vetmi që do të qëndrojë është Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis që pas Samitit do të ketë një konferencë me Kryeministrin Rama pasi do ta shfrytëzojë ardhjen në Tiranë si një vizitë zyrtare.

Leave a Reply