Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj bankave dhe anëtarëve të tjerë të elitës ruse, duke përfshirë ndalimin e amerikanëve të investojnë në Rusi.
Sanksionet e reja shënjestrojnë bankën Sberbank të Rusisë (SBER.MM), e cila mban një të tretën e totalit të veprimtarive bankare të Rusisë, dhe Alfabank, institucionin e katërt më të madh financiar të vendit. Sërish transaksionet e sektorit të energjisë janë përjashtuar nga kufizimet.
Britania ngriu gjithashtu asetet e Sberbank dhe tha se do të ndalonte importet e qymyrit rus deri në fund të këtij viti.
Bashkimi Europian u zotua gjithashtu të vendosë më shumë sanksione kundër Rusisë, duke përfshirë masa kundër importeve të naftës dhe qymyrit rus, tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.
Ndonëse deri më tani sanksionet janë mbajtur larg sektorit të naftës dhe gazit, Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, tha se herët a vonë “masat për naftën dhe madje edhe gazin do të nevojiten”.
Ndërsa BE po e izolon Putini, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban tha se ka zhvilluar një bisedë të gjatë telefonime me presidentin rus.
Orban njoftoi se i kërkoi Putinit një armëpushim të menjëhershëm dhe e ftoi që të mbajnë bisedimet e paqes në Hungari.
Ndryshe nga pjesa tjetër e Europës që nuk iu nënshtrua presionit të Moskës për të paguar gazin me rubla Hungaria tha se do të veprojë ashtu siç kërkon Rusia.
Sanksionet amerikane dhe europiane nuk pritet t’i japin fund shpejt luftës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi se konflikti në Ukrainë mund të “zgjatë për një kohë të gjatë” dhe bëri thirrje që aleanca ushtarake të rrisë kapacitetin e saj parandalues.
“Putin ka ndryshuar ambicien e tij për të kontrolluar të gjithë Ukrainën dhe gjithashtu për të rishkruar rendin ndërkombëtar, kështu që ne duhet të jemi të përgatitur,” u tha ai gazetarëve përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel.