Seancë e re për rastin “Zhvatja”

“Zhvatja” është gjykimi i parë i caktuar për vitin e ri 2020. Sot pritet të dëshmojë ish-zëvëndësja e Katica Janevës, prokurorja Elizabeta Josifovska, e cila është dëshmitare e Prokurorisë e Krimit të Organizuar. Emri i Josifovskës u përmend pas shpërthimit të aferës “Zhvatja” dhe kur u publikuan për herë të parë videot e La Veritas për lehtësimin që e mori Orce Kamçevi, i dyshuar në rastin “Perandoria”.

Në akuzat që i bënë atëherë mes vete Janeva dhe prokurorja Stefanova, për atë se kush ka lëshuar pe për Kamçevin, në fakt u zbulua se prokurorja Josifovska kishte nënshkruar një vendim, që aprovonte biznesmenin Kamçev të merrte një pasaportë të përkohshme për tetë muaj. Josifovska sqaroi se Janeva ishte në pushime dhe ajo ishte e obliguar ta nënshkruante atë si zëvendëse e saj. Ndërkohë, pasaporta e Kamçevit skadoi dhe prokurorja Stefanova, e cila është ende kompetente për rastin Perandoria, dha një mendim negativ për pasaportën. Nesër pritet, që prokurorja të flasë edhe për këtë procedurë, pra për të gjithë procedurën e kthimit të pasaportës së biznesmenit Kamçev. Josifovska gjithashtu pritet të flasë për mënyrën e funksionimit të ish-Prokurorisë Speciale, ose kush i ka dhënë mendimet për ndërprerjen e paraburgimeve, ose zëvendësimin me masa më të buta.

Sipas informacioneve të ALSAT-it, nuk përjashtohet mundësia që si dëshmitarë të thirren edhe prokurorë të tjerë nga ish PSP-ja. Në fillim të gjykimit, Katica Janeva njoftoi gjithashtu se do të thërriste prokurorë nga PSP, por si dëshmitarë për mbrojtjen. Deri më tani, në Reket, dëshmuan Orce Kamçev, gruaja e tij Ana dhe biznesmenë, që i përgjigjeshin pyetjeve të kryeprokures së Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar, Vilma Ruskovska, dhe të pandehurit Boki 13 dhe avokatit të tij. Ata dëshmuan se Boki 13 kishte kërkuar para prej tyre, për tua lehtësuar pozicionin e tyre në hetimet e PSP-së, të njohura si Perandoria dhe “Poshtenska Banka”. Në Reket, përveç Janevës dhe Boki 13, i pandehur është edhe Zoran Milevski Kiçeec, i cili pranoi fajësinë dhe mori dënimin me tre vjet burg. Por, ai mbetet nën arrest shtëpiak, sepse aktgjykimi ende nuk është i formës së prerë.

Leave a Reply