Gjasat e arritjes së marrëveshjes LV-LDK, para takimit Thaçi – Kurti

Është e vështirë që deri më 6 janar, Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës të arrijnë një marrëveshje për koalicion.

Përderisa në krye të Parlamentit ka ardhur një figurë nga Lëvizja Vetëvendosje, kjo ka stagnuar edhe përshpejtimin e arritjes së kësaj marrëveshjeje, thotë njohësi i çështjeve politike në vend, Shkodran Ramadani.

Në mënyrë që koalicioni të arrihet, këtyre dy subjekteve do u duhet të rishikojnë dizajnimin e marrëveshjes.

“Ose duhet ta rishikojnë një mundësi për shkarkim të Glauk Konjufcës dhe votimin e një kryetari të ri të Parlamentit ose duhet t’i ndajnë ndryshe ulëset e Parlamentit duke përfshirë edhe presidentin”.

Ndonëse thotë se përfaqësuesit diplomatikë të cilët qëndruan ditë më parë në Kosovë të ardhur nga SHBA, kanë përçuar mesazhin e përshpejtimit të arritjes së marrëveshjes, prapëseprapë ky koalicion do kohë për t’u formuar.

Madje, sipas Ramadanit, as takimet me struktura të partive nuk janë duke luajtur rol në vendimmarrje për marrëveshje.

“Më shumë me struktura takohen për legjitimim të vendimeve dhe më pas dalin me komunikata që gjoja u morëm vesh me strukturat”.

Kujtojmë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të takohet më 6 janar në orën 15:00,  me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Ky takim është vendim për hapjen e rrugës për formimin e Qeverisë për partinë e dalë fituese në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ndonëse presidenti i vendit kishte ftuar Kurtin tri herë në takim, ftesat e Presidentit janë kthyer prapa. Ishte vetë Albin Kurti ai që caktoi ditën e orën se kur do të takohet me presidentin Thaçi.

E po në këtë ditë vetëm disa orë më herët partia e cila është në përpjekje të arrijë një koalicion me Vetëvendosjen, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë dy mbledhje të njëpasnjëshme me strukturën e saj.

Kujtojmë se deri tash Vetëvendosja e LDK-ja, kanë mbajtur disa takime në tentativë për koalicion, por gjërat u bllokuan në momentin kur në tavolinën e diskutimit dhe ndarjes së pushtetit erdhi edhe posti i presidentit nga kjo e fundit.

Si të mos mjaftonte kjo, ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që pa një marrëveshje paraprake në seancën konstituive vendosi në votim Glauk Konjufcën për kryetar të Parlamentit.

Po në atë seancë Konjufca mori votat e 75 deputetëve, që janë të mjaftueshme për këtë pozitë.

Leave a Reply