Shteti i Serbisë po vazhdon ta shkelë marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, që njihet me shkurtesën CEFTA, thotë ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Vesel Krasniqi.
Për të zgjidhur këtë problem, Krasniqi tregon se të enjten, ka kërkuar nga drejtori i CEFTA-s, Emir Gjikiq, që bëjë presion mbi Serbinë që të zbatojë marrëveshjen, në të kundërtën, thotë ai, Kosova do marrë masa, pa treguar se për çfarë masash bëhet fjalë.
CEFTA është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministri Krasniqi ka kërkuar që emërtimi UNMIK-Kosovo të hiqet dhe të jetë vetëm Kosova, të zbatohet marrëveshja për shenjën e konfirmitetit dhe të njihen kualifikimet profesionale. Po ashtu ka kërkuar që t’i bëhet presion Beogradit që bizneset dhe prodhimet e Kosovës të mos kenë pengesa kur kalojnë transit nëpër Serbi.
Shenja e konfirmitetit
Në tregun e Kosovës, mallrat e importuara nga vendet anëtare të CEFTA-s, duhet të hyjnë me shenjën e konfirmitetit, të vendosura në produkte, që është shenja CE.
Përmes shenjës CE, prodhuesi tregon që produkti është në konformitet i vlerësuar në aspektin e sigurisë dhe shëndetit, sipas standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Certifikata CE zbatohet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
Por, mallrat e Serbisë nuk e kanë shenjë, thotë Krasniqi.
“Ndërsa, shteti fqinj Serbia nuk e zbaton këtë dhe mallrat që vijnë nga Serbia janë me tri AAA (shenjë e produkteve serbe), do të thotë është shkelje e marrëveshjes që nuk u lejohet të futen në Kosovë”, thotë Krasniqi.
“Përveç CEFTA-s, këtë çështje e kam ngritur edhe te kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kam dërguar shkresë edhe në Zyrën Amerikane në Kosovë, në zyrën e Bashkimit Evropian. Po presim reflektim, në të kundërtën unë do të zbatoj marrëveshjen sepse nuk mund të presim pafundësisht”, shton ai.
Edhe në bazë të Ligjit për kërkesat teknike për produktet dhe vlerësim të konfirmitetit, miratuar në vitin 2018 nga Kuvendi i Kosovës, Dogana e Kosovës mund të pezullojë lëshimin e një produkti në qarkullim të lirë në treg, nëse shenja CE është vendosur në produkt në mënyrë false ose mashtruese.