Çka e lidhë Shaqir Fetain me politikat gjeostrategjike ruse në rajon! Kohë më parë, ai pati edhe një takim me një përfaqësues të partisë së Putinit në Duma, i cili opinionit të gjërë iu prezantua si kryetar i “komunitetit mysliman të Europës”! Shaqir Fetai ia arriti që këtë vizitë ta ngris në nivel shtetëror, duke e takuar edhe me kryeparalmentarin Talat Xhaferin, e ky me drejtues të Komunës së Tetovës
Shkruan: Ilir Ramadani
Tash një vit më parë, në opinion, konkretisht, në lajmpress.org, të 6 korrikut të vitit 2020, u publikua një koment i njërit prej trimave të “Lagjes së Trimave”, Shek Hallaçi, i cili fliste për detyrimet e Shaqir Fetait që i kishte karshi rusëve e që konsistonin në angazhimin e tij dhe të të gjitha strukturave të BFI-së për të fituar BDI-ja dhe për t’u formuar koalicioni VMRO-BDI, koalicion ky që ishte më afër politikave serbe që diktoheshin nga qeveria ruse. Hallaçi thoshte se, nëse Shaqir Fetai nuk vihet institucionalisht në shërbim të këtyre politikave, do të përballet me fakte që do të dëshmojnë për bashkëpunimin e tij me UDB-në. “Shaqir Fetai, urdhërohet rusisht që të angazhohet fuqishëm në këtë fitore, ndryshe, nëse humbin, edhe Shaqir Fetai do të shkojë në rr.s. Atëherë do të ketë gjasa që t’ia hapin dosjen policore të UDB-së dhe ta ndëshkojnë për dështim politik! Shaqir Fetai është shumë i vetëdishëm për këtë gjë, prandaj dhe me aq lehtësi ka urdhëruar myftinjë e hoxhallarë që të agjitojnë natë e ditë për BDI-në që aq shumë i duhet Rusisë!”, shkruante Shek Hallaçi!
Ky koalicon nuk u arrit, as BDI-ja nuk arriti të fitojë në katundin e Shaqir Fetait, në Çegran! BDI-ja hyri në koalicion qeveritar me LSDM-në që shquhet si parti më properëndimore! Dy muaj pas vërejtjes së trimit të kombit, Shek Hallaçi, në opinion do të publikohet një dokument i UDB-së që do të paraqesë deklaratën e Shaqir Fetait, nën pseudonimin ORAO, dhënë para oficerit të UDB-së, Stanko Dragoviqit!
Një vit më vonë pas komentit te botuar në lajmpress, më 7 korrik të vitit 2021, opinioni i gjërë do të informohet se Shaqir Fetai realizoi takim me, një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Putinit, të kamufluar në “kryetar të forumit të myslimanëve të Evropës”!
Le të bëjmë këtu një parantezë! Në korrik të vitit 2019, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut e hëngër tunxh! U tall nga ana e dy humoristëve rusë. Konkretisht, përmes linjës fikse të Qeverisë dhe aplikacionit WhatsApp, Zaevi do të flasë me dy humorista rusë, Vladimir Kuznecov dhe Aleksej Stolarov, të cilët do t’i prezantohen, njëri si ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe tjetri si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Zaevi do ta pranojë se u vu në lojë dhe, do t’i kërkojë falje publike opinionit të gjërë!
Më 7 korrik të këtij viti, “shërbimet profesionale” të Shaqir Fetait do të njohtojnë për një “pritje vëllazërore” që ua kishte organizuar “reisi” delegacionit të Forumit Mysliman Evropian me seli në Bruksel, të udhëhequr nga Kryetari i FME Abdul-Vahid Niyazov!
Se çka ka pasur nevojë Shaqir Fetai për ta pritur një delegacion shumë të dyshimtë si ky “nga Brukseli” këtë e di vetëm ai! Riaseti i Bosnjës e ka refuzuar kërkesën ruse për t’u takuar me këtë delegacion, duke e kundërshtuar kategorikisht një “organ evropian” për themelimin e së cilës as që është konsultuar dhe as që ka kontribuar.
Po kush është ky farë Abdul-Vahid Niyazov i cili paska këmbyer përvoja me Shaqir Fetain?
Sipas Radio Evropës së Lirë, drejtuesi i Forumit, Niyazov, kryeson gjithashtu Qendrën Kulturore Islamike të Moskës, një departament publik i këshillit zyrtar të myftiut rus dhe gjithashtu organ i lidhur me Kremlinin. Në Federatën Ruse, Niyazov konsiderohet si bashkëpunëtor i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili prej vitit 1999 e deri në vitin 2003, ka qenë përfaqësues i partisë së Putinit në Dumën ruse.
Për më tepër, Radio Evropa e Lirë publikon edhe një informacion i cili, më tepër përbën skandal se sa lajm! REL thotë se, delegacioni i Forumit Mysliman Evropian njoftoi se është takuar me nënkryetarin e parlamentit serb, Muamer Zukorliq, zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetarin e këshillit të qytetit të Sarajevës, Jasmin Ademoviq, si dhe në Sarajevë me Bakir Izetbegoviqin, drejtues i Partisë së Veprimit Demokratik!
Këtu sillet edhe njohtimi i këtij Forumi, i cili thotë: “Talat Xhaferi dhe Bakir Izetbegoviq, paraprakisht janë pajtuar të bashkohen me Komitetin tonë Drejtues dhe Shejh Mustafa Ceriq, tashmë është anëtarësuar në Këshillin e Udhëzimeve Shpirtërore të Forumit. Vëllai i dashur Muamer Zukorliq është gjithashtu një anëtar i Këshillit tonë, të cilin ne planifikojmë ta përfshijmë në Bordin e FME-së, në takimi i ardhshëm në Lituani, dashtë Zoti. Padyshim, Forumi Mysliman Evropian tani po forcon pozicionin e tij në Ballkan”, thuhet në komunikatën e këtij forumi.
Radio Evropa e Lirë më herët ka njohtuar se, “Niyazov u pajtua me autoritetet në komunën e Tetovës, që në kuadër të shënimit të 70-vjetorit të udhëheqësit të parë çeçen Ahmad Kadyrov, të ngrihet një monument i miqësisë midis popujve të Ballkanit dhe Kaukazit. Radioja dhe televizioni çeçen thanë se një nga parqet e qytetit në Shkup, do të quhej “Parku i Miqësisë me emrin e Ahmad Kadyrov”- tha ai.
Pra, sipas këtij informacini që del nga shkrimi i publikuar në REL, shihet qartë se me këtë bshkëpunëtorë të ngushtë të Putinit qenka takuar edhe Talat Xhaferi si dhe, me gjasë, edhe Teuta Arifi! Pa dyshim, ky takim vie si rezultat i angazhimit spiunesk të Shaqir Fetait.
Shaqir Fetai rusit në fjalë ia ngritë vizitën në nivel shtetëror, ndërsa “i ngulë” edhe Talat Xhaferrin si dhe drejtuesit e Komunës së Tetovës të cilët kanë premtuar se një park të këtij qyteti do t’ia vënë emrin e “liderit Çeçen”, Ahmad Kadyrov, i cili do të përfundojë si lojalisti më i madh i politikave shtetërore të Putinit. Pas vrasjes së tij liderizmin do ta rrëmbejë babai i vet, Ramzan Kadyrov, i cili sundon me autoritarizëm dhe është besnik i Kremlinit dhe presidentit rus Putin!
Është e pabesueshme por, kështu thotë Radio Evropa e Lirë, kurse, deri më sot, as Talat Xhaferi por as strukturat udhëheqëse të Komunës së Tetovës, nuk dolën të kërkojnë falje publike për atë që u manipuluan nga një bashkëpunëtor i ngushtë i Putinit.
Tërë kjo lojë është edhe një fakt për ta kuptuar të vërtetën se, Shaqir Fetai, nuk është njeri që çon ujë në mullirin kombëtar e as partiak, por, është si një jaz i devijuar që e çon ujin në mullirin ruso-serb. Kujdes! Shaqir Fetai nuk mbanë llogari as për autoritetin dhe personalitetin e Kryetarit të parë shqiptar të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferit!
Z. Xhaferi, bazuar në linjat partiake, me automatizëm i ka zënë besë Shaqir Fetait, i cili nuk është ndërtuar, për asnjë ditë, si karakter besnik, sepse, të jeshë udbash dhe të jeshë besnik, është sikundër të jeshë pikë uji në sipërfaqen e diellit!
Gati është e pabesueshme se Talat Xhaferi mund të jetë takuar me këtë mashtrues ordiner dhe marionetë e Putinit, aq më pak që këtë takim ta ketë realizuar me kërkesë të vet! Se ka qenë i mashtruar dhe i manipuluar nga Shaqir Fetai, kjo nuk vihet në dyshim, megjithatë, i takon Talat Xhaferit që sa më parë ta demantojë këtë informatë, apo, nëse jo, të paktën, t’i kërkojë falje opinionit që ka pranuar ta degradojë autoritetin e vet si dhe të Shtetit para mashtruesve Shaqir Fetai-Nijazov!