SHISH po gjurmon gjyqtarët/ “Kush nuk ka kaluar në Vetting vijon korrupsionin”

Agjentët e SHISH në terren kanë mundur të sigurojnë informacione se gjyqtarë dhe prokurorë të caktuar të pa përballur ende me Vettingun, vijojnë pa u ndalur aferat korruptive.

Këto informacione nga terreni i  kanë kaluar Departamentit të Analizës në SHISH,  nga ku janë hapur dosje të veçanta të cilat do ti kalojnë organeve të Vetingut dhe SPAK, nëse këta njerëz të drejtësisë do të kenë kurajën të skanohen për pastërtinë e figurës dhe kriterin profesional.

Inteligjenca shqiptare në raportin publik për vitin 2020 mbërrin në këtë përfundim.

 “Edhe gjatë kësaj periudhe, korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët.  Në sistemin e drejtësisë, punonjës të veçantë (prokurori/gjykata), janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, të shfaqur në forma si: ushtrim i ndikimit të paligjshëm dhe ndërveprimit korruptiv, me qëllim lehtësimin e pozitës së të pandehurit, nëpërmjet ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie ose duke aplikuar dhënien e dënimit alternativ”.

Për korrupsionin në drejtësi të atyre që kryeministri Edi Rama i ka etiketuar si “Korporata KCK” SHISH ndan me publikun këtë informacion.

“Elementë të veçantë të këtij sistemi, të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të Vettingut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv, nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi”.

Megjithëse SHISH mban një profil të ulët të aktivitetit gjurmues e fakt-mbledhës në terren, në shumë raste informacionet dërguara Drejtorisë të Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar,  kanë shërbyer për të nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë jo pak gjyqtarë e prokurorë.

Leave a Reply