Shqipëria në prag të një vale tjetër?

Vazhdon të rritet numri i të infektuarve me Covid

Shifrat në rritje të pandemisë gjatë muajit Gusht tregojnë se Shqipërisë po i afrohet një valë tjetër e infeksionit të Covid. Në 10 ditët e fundit janë regjistruar 4149 raste të reja me variantin Delta dhe 15 viktima në spitale.

Rikthimi i këtyre shifrave vjen pasi në fillim të muajit Korrik rastet e reja ishin afër zeros, ndërsa spitalet u boshatisën. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të premten në Shqipëri kanë humbur jetën dy pacientë të moshës 45 dhe 77 vjeç, nga Durrësi dhe Tirana.

Gjatë 24 orëve të fundit, nga 6173 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 535 raste të reja, shumica në Tiranë me 184 raste, e ndjekur nga Shkodra me 53 raste, Vlora me 37 dhe Durrësi me 29.

Edhe numri i të shtruarve në spital vijon të rritet. Në spitalin infektiv Covid 1, po marrin trajtim spitalor 60 persona. Mjekët thonë se të gjithë të shtruarit janë të pavaksinuar. Rritja e numrit të infektimeve, sipas ekspertëve ka ardhur për shkak të qarkullimit të variantit Delta. Autoritetet shëndetësore, Gushtin e kanë quajtur muajin e hapur të vaksinimit masiv për personat mbi 18 vjeç, për t’i paraprirë çdo situate në vjeshtë-dimër.

Sipas tyre, vaksinimi është arma e vetme për të ndaluar fatalitetet dhe rastet e rënda të Covid.

Leave a Reply