Shkeljet dhe masakrimi i Kushtetutës së BFI në RMV

Në inbox-in e faqes zyrtare të Këshillit për Mbrojtjen e Kushtetutshmërisë së BFI-së, kanë arritur qindra letra e kërkesa në cilat është shprehur kryesisht interesimi për t’ua shpjeguar të gjitha shkeljet kushtetutare që i ka bërë Shaqir Fetai, me rastin e zhvillimit të aventurës së vet në korniza të skenarit partiako-politik që kishte synim degradimin e BFI-së. U shkel vetëm një herë Kushtetuta – kush garanton se ky gjest nuk do të përsëritet dhe nuk do të bëhet praktikë e BFI-së! Dikush u angazhua që mos të ketë kurrë BFI stabile, me përvojën e vet shumëshekullore. Tani e tutje kemi “BFI”-në e Shaqir Fetait dhe honxho-bonxhove të vet

Viti 2020 në historikun e Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së do të ngelë si vit nga më të mbrapshtët. U suspendua Kushtetuta e këtij Institucioni, u rrënua përdhe, u deligjitimua, u defaktorizua, u deinstitucionalizua e u depersonalizua nga faktorë antiislam! Ngjarjet që e shoqëruan përgjatë vitin që e lamë pas, janë ndër ato ngjarje të mëkatshme për të cilat, gjithësesi që ia vlenë të ketë ndëshkime drejtësie, morale e islame. Nuk mund të pranohen për myslimanë të denjë ata që me veprimet e tyre u pajtuan që të shkelin Kushtetutën e BFI-së e cila rregullon jetën fetare islame. Nuk ngeli gjë e keqe që nuk u ushtrua mbi këtë Institucion. Organet e drejtësisë si dhe organet gjegjëse shtetërore që janë kompetentë të përcjellin punën kushtetuese të çdo institucioni të nivelit kushtetutar, të cilët kushtetutat e veta i kanë të deponuara në Gjykatën Themelore, nuk reaguan fare por, duke qëndruar si të verbër e nemë, lejuan që BFI-ja të devalvohet deri në një kotec rrebelësh që mbijetojnë vetëm duke shkelur akte normative e duke shkatërruar Institucion.

Që nga aventura e disa segmenteve të pushtetit në bashkëpunim me disa kukulla brenda BFI-së e deri te zgjedhjet ilegjitime ku u zgjodh një “reis” kontravers, i delegjitimuar, i degraduar, i kontestuar, sepse ishte i falsifikuar, e deri më sot janë bërë qindra shkelje të Kushtetutës së BFI-së. Në këtë analizë të thellë jemi përqëndruar vetëm në ato shkelje që u kryen nga momenti i shkarkimit të ish-reisul ulemasë e deri në zgjedhjen e atij reisi që më tepër është imponim politiko-partiak se sa përfaqësues legjitim i organeve dhe, përgjithësisht, i masës muslimane të vendit. Ky është indeksi i të gjitha shkeljeve të “teologëve” anarkistëve që ia bënë Kushtetutës së BFI-së!

I – Shkelja e autonomisë së BFI-së, devijimi i qëllimit të vetëm

Bashkësia Fetare Islame është organizatë e vetme e cila organizon jetën fetare të muslimanëve në RMV.“BFI vazhdon të veprojë si bashkësi fetare e pavarur në Republikën e Maqedonisë dhe këtë e dëshmojë me sjelljen e Kushtetutës së Bashkësisë Islame në vitin 1994.”[1] “BFI veprimtarinë e vet e mbështet në Kur’an, në Sunnet, në Kushtetutën e saj dhe në aktet normative që dalin nga e njëjta si dhe në Ligjin për pozitën juridike të kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz.”[2]

Bazuar në dekleratat e disa funksionarëve të BFI-së, dekleratave publike të ish-kreut të BFI-së si dhe dekleratave publike të kreut të BDI-së, bëhen të qarta ndërhyrjet e politikës dhe pushtetit në vendimet e BFI-së. Me këto ndërhyrje, u shkel mbi autonominë dhe pavarësinë e Institucionit të vetë fetar islam në vend.

Neni1 i Kushtetutës së BFI-së, thotë:“BFI është autonome dhe e pavarur në organizimin e jetës fetare, në edukimin dhe arsimimin fetar, në vakëfet, veprimtarinëadministrative-financiare si dhe në veprimtaritë tjera që dalin nga kjo Kushtetutë.” 

Ndërhyrja e një faktori të jashtëm i cili nuk ka asgjë të përbashkët me qëllimet e BFI-së, bën që rrjedhimisht ky Institucion të devijojë edhe parimet esenciale por edhe në qëllimet që përcaktohen në Kushtetutë. Neni 6 thotë: “Qëllimi i BFI-së është ngritja e vetëdijes fetare, organizimi i kryerjes së ibadeteve si dhe format e tjera me të cilat shprehen ndjenjat dhe jetësimi i Islamit te muslimanët.” 

Devijimi i qëllimeve sjell në keqpërdorimin e kapaciteteve të Institucionit si dhe shpenzimeve të të mirave materiale të BFI-së për qëllime të tjera. Neni 13 thotë:“Pasuria e BFI-së shërben ekskluzivisht për realizimin e qëllimeve të saja.” 

Ndërhyrjet e faktorëve jashtë BFI-së në sjelljen e vendimeve në BFI, përkoi me kohën kur BFI ishte në pritje të realizimit të të drejtave të saja ligjore, në kohën kur asaj i ishin premtuar pika të caktuara në dobi të zhvillimit të institucionit. Pjesa dërmuese e pikave kishin të bëjnë me kthimin e pronave të saja përmes denacionalizimit. Me ndërhyrjet e jashtme, BFI pësoi në aspektin organizativ. BFI ngeli pa disa organe, ndërkohë që u kap nga organe të egra për BFI-në. Shkeljet kushtetutare dëmtojnë rëndë institucionin, ndikojnë në humbjen e autoritetit, humbjen e besimit te besimtarët, rrënimin e unitetit etj. Shkeljet gjithnjë bëhen në dobi të ndonjë grupi të caktuar, të një grupi i cili nuk ka për qëllim të vërtetën. Ndryshe, nuk kanë asnjë arsye për ta shkelur Nenin 8 të Kushtetutës i cili është kryekëput i mbështetur në parimet islame:“BFI veprimtarinë e vet e mbështetë në parimet e: – drejtësisë, – transparencës, -debateve para sjelljes së vendimeve në organet kolektive, – konsultave në kryerjen e punëve, -zgjedhjeve, emërtimeve, përgjegjësive dhe shkarkimeve të funksionarëve.” 

Gjatë vitit 2020, sikur ky nen nuk ekzistonte fare. Pati vendime të përshpejtuara, të gabuara, antikushtetuese, mbledhje të fshehta, vendime të dirigjuara. Neni 9[3], i cili, mes tjerash na flet edhe për të drejtat dhe obligimet e anëtarëve të BFI-së, ka mjaft pika të rëndësishme për zhvillimin e organizimit të BFI-së, siç janë: “-Pjesëmarrja aktive në organizimin e jetës fetare. -të shërbehen me pronën e BFI-së në përputhshmëri me aktet normative dhe rregullat e Sheriatit. -Të informohen për punën e organeve dhe të institucioneve të BFI-së. -t’i përmbahen Kushtetutës, akteve normative dhe vendimeve të organeve të BFI-së, -të japin kontributin e tyre të përgjithshëm material dhe kontribute të caktuara për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e BFI-së,  -të mbrojnë dhe ruajnë pasurinë dhe pronën e BFI-së, -të mbrojnë vlerën, interesin, unitetin dhe autoritetin e BFI-së.” Mirëpor, organet e BFI-së që i shkelin parimet islame, Kushtetutën dhe aktet e tjera normative, pengojnë pjesëmarrjen aktive të besimtarëve dhe me këtë edhe e humbin të drejtën për të kërkuar nga ata që të respektojnë dhe t’i kontribuojnë Institucionin.

II – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e shkarkimit të Reis ul Ulemasë

Me rastin e shkarkimit të Reisu ul Ulemasë – Organ i BFI-së, Rijaseti i cunguar dhe i falsifikuar u mblodh në Gostivar. Ky lloj Rijaseti, as nuk u konvokua e as nuk u udhëhoq nga Reis ul Ulema. Askush për asgjë nuk kishte dëgjuar më heret se, kundër dikuj ka ndonjë vërejtje apo se është filluar ndonjë proces përmes Komisionit disciplinor dhe Prokurorit të BFI-së! Thjesht, dikush i mblodhi vetëm disa anëtarë të Rijasetit,[4] të cilëve iu bashkangjitën edhe të tjerë që nuk kishin të drejtë pjesmarrje në mbledhje, dhe shkarkuan Reis ul Ulemanë. “Ndërgjegjësimi” i përnjëhershëm, si rezultat i ndikimit të faktorëve nga jashtë BFI-së, ashtu sikurse u tha edhe më herët, ka shkaktuar shkeljen e Preambullës dhe disa neneve të tjera, por tani do të ndalemi në nenet që kanë të bëjnë me “mbledhjen e shkarkimit”. Mbledhja u mbajt në Gostivar, dhe jo në Shkup ku është edhe selia e BFI-së. Neni 3 thotë: “Selia e BFI-së është në Shkup.”

Mosdebatimi para sjelljes së vendimeve, jotransparenca… në veçanti në rast të shkarkimeve, është në kundërshtim të plotë me Nenin 8. Një shkelje e këtillë padyshim që argumenton se në rastin konkret kemi të bëjmë me ndërhyrje nga jashtë BFI-së. Neni 35 i Kushtetutës përcakton qartë se nga kush përbehet Rijaseti i BFI-së:“Rijaseti i BFI-së është organ i cili vendos për çështje islamike.  Rijaseti i BFI-së përbëhet prej Reis ul Ulemasë, Sekretarit të Përgjithshëm të BFI-së, Muftinjve, drejtorëve dhe dekanëve të institucioneve arsimore, kryetarëve të shoqatave të Bashkësisë Fetare Islame dhe dy anëtarëve të caktuar nga ana e Reis ul Ulemasë me përvojë në organizimin e jetës fetare në radhët e BFI-së.”

Në mbledhjen e Rijasetit të falsifikuar dhe ilegjitim që u mbajt në Gostivar, në “vendimin” e shkarkimit të Reis ul Ulemasë firmat e tyre i hodhën kordinatorë, drejtorë të sketorëve, kryetarë shoqatash pa mandate, madje edhe të atillë që nuk patën asnjëfarë cilësie!

Edhe sikur përbërja e Rijasetit të ishte në përputhshmëri me Nenin 35, Muftinjtë nuk janë organe, as drejtorët apo dekanët e institucioneve arsimore nuk janë organe, sikurse nuk janë as kryetarët e shoqatave të BFI-së, sëkëndejmi, ata në Rijaset duhet të përfaqësojnë qëndrimet e organeve, institucioneve dhe shoqatave që përfaqësojnë, dhe jo të vendosin sipas diktateve të huaja për BFI-në.[5] Sjellja e këtillë e anëtarëve të Rijasetit është në kundërshtim me nenin 8, 9, si dhe ndikon në uljen e peshës së organeve, institucioneve dhe shoqatave. Moskonsultimi, mospërfshirja, ndikon në realizimin e qëllimeve të BFI-së për të cilat na flasin nenet: 6[6] dhe 7[7], si dhe ndikon negativisht në të hyrat e BFI-së për të cilat na flet Neni 11[8].

Mbledhja e Rijasetit, mund të konvokohet dhe të udhëhiqet nga Reisul Ulema, kështu thotë pika e fundit e Nenit 37: “Mbledhjen e Riajsetit të BFI-së e konvokon dhe e udhëheq Reis ul Ulemaja, në raste të veçanta atë e konvokon me kërkesë të 1/3 të anëtarëve të Rijasetit.”Si dhe pika 5 e Nenit 44: “- konvokon dhe udhëheq seancat e Rijasetit dhe kujdeset për zbatimin e vendimeve të tij.” Kurse me rastin e mbledhjes në Gostivar, kurrë nuk u bë e qartë se kush e konvokoi mbledhjen e Rijaseitit! Policia, partia apo pushteti!

“Vendimi” për shkarkimin e Reis ul Ulemasë u bazua në “procesverbal të mbledhjes”që nuk ishte mbledhje Rijaseti, më pastaj u thirrën në Nenin 36[9] i cili nuk ka të bëj fare me shkarkim! Vetëm nga një mbledhje e përgatitur prej strukturave që nuk janë të udhëzuara me organizimin e BFI-së, mund të dalin aq shumë gabime trashanike. Përveç në këtë Nen, puçistët në “vendim” e vet u thirrën edhe në Nenin 58 të Kushtetutës, i cili thotë:Të zgjedhurit, të emruarit dhe të punësuarit në BFI, duke u nisur nga Reis ul Ulemaja e deri te muezini, mund të revokohen dhe të shkarkohen nëse nga organet dhe institucionet e BFI-së konstatohet se: – nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, emëruar. – qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI, -punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI, -keqpërdor pozitën në dëm të interasave të BFI-së, – pa sukses i kryen punët dhe obligimet e tij, – paaftësia për kryerjen e punës së vet, sëmundja, mosha, vdekja ose vet dëshira e largimit,- në rast se burgoset mbi gjashtë muaj,- përgjegjësia disiplinore dhe materiale përcaktohet me rregullore të veçantë, -vlerësimi përfundimtar për revokim dhe shkarkim e bën Rijaseti i BFI-së.”

Është e qartë se për t’u thirrur në këtë Nen, paraprakisht duhej të ishin shteruar procedurat paraprake. Drejtuesit aktual të BFI-së pranojnë se, ende nuk kanë konstatime të shkeljeve eventuale që kanë ndikuar në shkarkimin e ish-Reis ul Ulemasë. Komisioni disciplinor por, edhe prokurori i BFI nuk janë mbledhur dhe nuk janë marrë me vlerësimin e punës së Reis ul Ulemasë. Rijaseti asgjë nuk tha mbi përgjegjësinë disciplinore dhe materiale e cila përcaktohet me rregullore të veçantë! Nuk ka dyshim se, mungesa e fakteve, por edhe mungesa e guximit, bëri që në këtë mbledhje të Rijasetit të falsifikuar, pas gjitha shkeljeve të rënda që u bënë, të bëhet edhe shkelja e radhës: të shkarkuarit të mos i jepet e drejta për t’iu përgjigjur akuzave eventuale ose për ta ankimuar “vendimin”! Neni 62 thotë: “Reis ul Ulemaja përgjigjet para Rijasetit të BFI-së.” Krejt në fund, vendimet që merren në Rijaset, duhet të dekretohen nga ana e Reisul Ulemasë. Neni 44 alinea e fundit thotë: “– dekreton vendimet e marrura nga Rijaseti i BFI-së.” Vendimi i sjellë në mbledhjen e Rijasetit të falsifikuar, nuk u dekretua, sëkëndejmi, ai vendim nuk ishte asgjë më tepër se një puç i realizuar me skenar të pregatitur nga jashtë BFI-së, i realizuar nga aktorë të brendshëm.

III – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e ‘caktimit’ u. d. Reis ul Ulemasë

Me rastin e “caktimit” të u.d.Reis ul Ulema janë shkelur disa nga nenet që u përmendën me rastin e shkarkimit të Reis ul Ulemasë si dhe disa nene të tjera. Kushtetuta e BFI-së për postin e të parit njeh vetëm fjalën “zgjedhje”. Për pozita të tjera njeh edhe fjalët “emërim” dhe “punësim”, kurse fjalën “caktim” e njeh vetëm në një të drejtë ekskluzive të Reis ul Ulemasë (Neni 35) ku flet për të drejtën e tij për të caktuar dy anëtarë të Rijasetit me përvojë në organizimin e jetës fetare në radhët e BFI-së! Mirëpo, kur kemi të bëjmë me një mbledhje të konvokuar nga faktorë jashtë BFI-së, të njëjtët caktojnë se kush duhet të caktohet u.d.Reis ul Ulema. Ky lloj Rijaseti i mbledhur në Gostivar “krijoi” organ antikushtetues. Neni 23 thotë: BFI ka organet dhe institucionet e veta.”, Neni 24: “Organet e BFI-së janë: – Muftinia, – Rijaseti i BFI-së,- Reis ul Ulema dhe – Kuvendi i BFI-së.” Kurse neni 39 thotë: “Reis ul Ulema është organ i BFI-së. Reis ul Ulema është lider fetar – Kryepar i BFI-së, i cili e përfaqëson unitetin fetarë të pjesëtarëve të Islamit në vend dhe jashtë.” 

Me “caktimin” e u.d. Reis ul Ulemasë, në vend të një organi të BFI-së, rrjedhimisht do të ndodhin shkelje të tjera. Fakti që dikush pranon një pozitë antikushtetutare, i njëjti nuk do të mbante llogari e as që do të brengosej për shkelje të mëtutjeshme të Kushtetutës. U.d. Reis ul Ulema, si një organ i panjohur për Kushtetutën, fillon të merret me punët me të cilat Kushtetuta e obligon Reis ul Ulemanë, më konkretisht Neni 44[10], kurse Kushtetuta e BFI-së është shumë decide! Neni 56 thotë:“Punët fetare, fetaro-arsimore, adminstrativo-financiare të BFI-së i kryejnë personat e zgjedhur, të emëruar dhe të punësuar.”  Pra, të drejtën për punët e caktuara i kanë ata që janë të zgjedhur, emëruar ose punësuar, dhe jo edhe një i “CAKTUAR”!

Sjellja e u.d. Reis ul Ulemasë, për rreth gjashtë muaj na dëshmoi se ai u mor me aktivitete antikushtetutare që shkonin në dobi të tij dhe mentorëve të tij, në dëm të BFI-së.

IV – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e dorëheqjes së Reis ul Ulemasë

Pas mbledhjes së Rijasetit ilegjitim të mbajtur larg selisë së BFI-së, në të cilën BFI-së dhe kreut të saj iu bë puç klasik, nëpunësit fetar të BFI-së, besimtarët dhe i mbarë opinioni më i gjërë ishin në pritje të reagimit të ish-Reis ul Ulemasë. Pritej që në bazë të Neni 44 i cili mes tjerash i mundësonte tërheqjen e muraseleve Muftinjve devijantë, i mundësonte pengimin e realizimit të vendimeve për të cilat flet alinea 12 e po të njëjtit nen:“të pengojë ekzekutimin e vendimeve të organeve dhe të institucioneve të BFI nëse konstaton se të njejtat janë në kundërshtim me ligjin dhe parimet islame dhe të njëjtat t’i kthejë në rishqyrtim, kurse vendimin përfundimtar e sjell Rijaseti i BFI-së.”

Krahas kësaj, Neni 40[11] i mundësonte që të thërrasë mbledhje me të gjitha organet, institucionet, organizatat dhe shoqatat e BFI-së, përmes të cilës do të kontribuonte në kthimin e Institucionit në binaret kushtetuese. Fatkeqësisht, dy ditë më vonë, Reis ul Ulema do të ofroj dorëheqjen e tij, për të cilën më vonë do të deklarohet se ka qenë rezultat i ndërhyrjes së një subjekti politik, me çrast, për të dytën herë brenda dy ditëve shkelet mbi autonominë e BFI-së![12] Duhet nënvizuar se edhe me rastin e kësaj dorëheqje, Rijaseti nuk ngeli pa shkelur Kushtetutën e BFI-së. Neni 64 thotë: “Secili funksionar i BFI-së ka të drejtë të jep dorëheqje, dhe për të njëjtën vendos Rijaseti i BFI-së.” Kurse Rijaseti nuk u mblodh për të vendosur!

V – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e emërimit të Muftinjve dhe një u. d. Muftiu

Në prag të zgjedhjeve për Reis ul Ulema, u mbajt një mbledhje e Rijasetit në të cilën katër kordinatorë u emëruan në pozitat e Muftinjve. Tre prej tyre ishin edhe pjesëmarrës në mbledhjen e mbajtur në Gostivar ku votuan shkarkimin e Reisit dhe “caktimin” e u.d. Reisit. Kuptohet, Neni 35 që flet për përbërjen e Rijasetit, nuk i përfshinte edhe kordinatorët e Muftinive! Fakti që Rijaseti në prag të zgjedhjeve pa procedura të parapara me Kushtetutë emëron Muftinjë, lë të nënkuptohet se, u.d. Reis ul Ulema tanimë kishte nevojë për vota të Muftinjve dhe jo të koordinatorëve!

Çfar thotë Kushtetuta lidhur me emërimin e Muftinjve? Neni 30, thotë: “Me Muftininë udhëheq Muftiu. Kryeimami emërohet nga Reis ul Ulemaja me propozim të Muftinisë. Muftiu dhe Kryeimami, duhet të jenë me arsimim sipëror islam dhe me përvojë pune së paku pesë vjet në radhët e BFI-së. Në Muftinitë ku nuk ka kuadër sipas kushteve të parapara, emërohet kordinator.” Kurse Neni 31, thotë:“Muftinia kandidon kandidatë të mundshëm për Mufti, Rijaseti i BFI-së bën emërtimin e Muftive, kurse Reis ul Ulema verifikon emërtimin dhe u lëshon Murasele. Mosdhënia dhe tërheqeja e Muraseles obligon Muftininë në afat prej tridhjetë ditë të propozon kandidatë të mundshëm për Mufti. Muftiu përgjigjet vetem para Reis ul Ulemasë. Muftiu është personaliteti më i lartë në territorin e Muftinisë dhe e përfaqëson ate në territorin e vet.”

Është e qartë se Muftinia udhëhiqet nga Muftiu, ose nga kordinatori nëse Muftinia nuk i plotëson kushtet e parapara për t’u drejtuar nga Muftiu. Por çuditërisht, në kundërshtim të plotë me nenet 30 dhe 31, në krye të Muftinisë së Gostivarit u emërua u. d. Mufti! Me këtë rast kemi disa shkelje të rënda! Kushtetuta e BFI-së nuk njeh pozitën u.d. Mufti, ai nuk mund të udhëheq me Muftini. Nëse Rijaseti i BFI-së do të konstatonte se Muftinia e Gostivarit nuk i plotëson kushtet e parapara për Mufti, duhej që të emëronin kordinator dhe jo u.d. Mufti. Marrë parasyshë se nga Rijaseti nuk u tha se ajo Muftini nuk i plotëson kushtet, është dashur që Muftinia e Gostivarit të propozojë kandidatët e mundshëm për Mufti, kurse Rijaseti të bënte emërimin e njërit prej kandidatëve për Mufti! Rijaseti i BFI-së nuk ishte njohtuar me një vendim të këtillë dhe as nuk u bë e qartë se çfar u ishte propozuar nga Muftinia e Gostivarit. Bazuar në takimet tona me faktorë brenda BFI-së, një shkelje e këtillë e Kushtetutës po bëhet me qëllim të përgatitjes së terrenit që pozitën e Muftiut ta fitojë u. d. Muftiu, në fakt emërimi antikushtetutar u bë sa për të mos shpërthyer ndonjë pakënaqësi më e madhe në Gostivar. Këtij gjesti të “reisit” të kontestuar i thonë angazhim për “titull të konservuar”!

Neni 31 na e bën të qartë se për postin e Muftiut vendosin tre organe të BFI-së: Muftinia, Rijaseti dhe Reis ul Ulema. Muftinia propozon, Rijaseti emëron, Reis ul Ulema verifikon. Në emërimin e tre Muftive është konstatuar se nuk ka pasur propozime nga Muftinitë (Manastir, Dibër dhe Shtip), pra këtu së pari dalin shkelës Muftinitë, më pastaj Rijaseti i cili Muftinive ua imponon të parin e tyre! Ngase po ky Nen thotë: “Muftiu është personaliteti më i lartë në territorin e Muftinisë dhe e përfaqëson ate në territorin e vet.” Shkelje e dyfisht bëhet në rastin e Muftinisë së Kërçovës e cila për dallim nga të tjerat, ka pasur propozimet e veta për postin e Muftiut, por Rijaseti nuk ua ka përfillur dhe ka emëruar në postin e Muftiut një propozim që vie nga subjekt jasht BFI-së, madje edhe në kundërshtim me nenit 30 i cili mes tjerash flet për kriteret: “Muftiu dhe Kryeimami, duhet të jenë me arsimim sipëror islam dhe me përvojë pune së paku pesë vjet në radhët e BFI-së.” Pra Kushtetuta kërkon që, jo vetëm Muftiu, por edhe kryeimami të ket së paku pesë vjet përvojë pune në radhët e BFI-së, kurse i caktuari në krye të Muftinisë së Kërçovës, nuk e plotësonte këtë kriter. Me vendimet e këtilla, Rijaseti ilegjitim përveç shkeljes së neneve 30 dhe 31, si një organ me përgjegjësi për organizimin e jetës fetare që duhet të kujdeset edhe për veprimtarinë e organeve të tjera të BFI-së, me këtë rast ka bërë shkelje edhe të disa neneve të tjera, në veçanti janë shkelur Neni 36[13] alinea 1 dhe 4 dhe Neni 37[14] alinea 7 dhe 9.

Në anën tjetër, edhe u.d. Reis ul Ulema, duke u vënë në rolin e Reis ul Ulemasë, që sipas Kushtetutës verifikon emërimet dhe jep murasele, si dhe me të drejtë për të penguar ekzekutimin e vendimeve nëse të njëjtat janë në kundërshtim me ligjin…, ai pajtohet me të gjitha shkeljet – me gjasë që të gjitha shkeljet kanë qenë të diktuara, ai i dekreton që të gjitha! Këtu pra mes tjerash shkelet Neni 44 alinea 2, 12, dhe 13. Gjithashtu shkelet edhe Neni 65 i cili thotë:“Funksonarët e emëruar japin betimin solemn para Reis ul Ulemasë, kurse Reisul Ulema betimin solemn e jep publikisht.”  Ndodhi që të emëruarit dhanë betimin para u.d. Reis ul Ulemasë! U betuan para një organi të paqenë dhe që vet nuk kishte dhënë ndonjë betim solemn!

VI – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e emërimit të drejtuesve të sektorëve dhe shoqatave

Nga kur BFI filloi të drejtohet nga një organ i pa qenë – u.d. Reis ul Ulema, në BFI janë dhuruar poste sipas tekeve dhe diktateve, ndonëse organet, institucionet dhe shoqatat kanë rregulloret ose statutet e tyre.

Rasti konkret është me Shoqatën Humanitare “HILAL”, e cila që nga viti 2017 ka funksionuar jasht mandatit. Sikur “HILAL” të respektonte statutin e vet, do të duhej të zhvillonte zgjedhjet e veta dhe të zgjedhte kryesinë e vet. Megjithkëtë, “Kryetari”, edhe pse pa mandat, ishte pjesëmarrës në mbledhjen e shkarkimit të Reis ul Ulemasë, dhe caktimit të u.d. Reis ul Ulemasë! Në vend se të merren masat e duhura kundër tij, u.d. Reis ul Ulema atë e shpërblen me një pozitë të re. E emëron si drejtor sektori për marrëdhënje me jashtë, “drejtori” kjo e cila nuk figuron në sistematizim të BFI-së. Neni 56 mes tjerash thotë: “… Të zgjedhurit, të emëruarit dhe të punësuarit në BFI janë të barabartë me të gjitha të drejtat dhe obligimet. …Të zgjedhurit, të emëruarit dhe të punësuarit e BFI-së në sistemin e unifikuar financiar trajtohen të barabartë me të gjitha të drejtat dhe obligimet sipas rregullorës së sistematizimit.” Praktikisht u dëshmua se nuk ka barabarësi, dikush sanksionohet për ndonjë shkelje ose pa u konstatuar shkelje, kurse dikush shpërblehet edhe kur bën shkelje nga më të rëndat, madje shpërblehet me vend pune të krijuar në kundërshtim me sistematizimin!

Në anën tjetër, edhe pse Neni 54 i Kushtetutës thotë se: “Puna dhe veprimtaria e organeve, institucioneve dhe shoqatave të BFI-së përcaktohet me statut ose rregullore të punës së tyre.” Rijaseti, ose u.d. Reis ul Ulema i jep të drejtë vetes të emërojë kryetar të Shoqatës HILAL,[15] kurse kryetari, respektivisht kryesia e Shoqatës, sipas Statutit të Shoqatës, zgjedhet nga Kuvendi i saj!

Shkeljet e tjera lidhen me personin e zgjedhur në krye të Shoqatës dhe nevojën që i njëjti të shpërblehet me këtë pozitë dhe ta bëjë anëtarë Rijaseti. Bëhet fjalë për një person i cili më 6.12.2017 u zgjodh kryetar i Kuvendit të BFI-së, kurse mbledhjen e fundit me Kuvendin e mbajti më 28.06.2018. Kjo flet për shkelje të rëndë. Falë moskujdesit të tij, kurrë më nuk u mblodh Kuvendi i BFI-së! Nga takimet tona me faktorë brenda BFI-së, mësojmë se nga fundi i viti 2019, kishte ofruar dorëheqjen e tij nga pozita e të parit të Kuvendit të BFI-së, meqë pritej të emërohet në pozitën e zv.drejtorit të Komisionit për poziten juridike të kishës, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze – Organ i pavarur i administratës shtetërore. Bëhet fjalë për person i cili pa qenë anëtarë Rijaseti, u bë pjesë e mbledhjes së Rijsetit dhe u firmos në dokumentin e shkarkimit! Është e qartë se Rijaseti vendosi ta shpërblejë për rolin e tij në suspendimin e Kuvendit të BFI-së dhe për pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e Rijasetit, pa qenë kurrë anëtarë Rijaseti!

VII – Shkeljet e Kushtetutës si pasojë e suspendimit të Kuvendit të BFI-së

Kushtetuta e BFI-së thotë se BFI ka organet dhe institucionet e veta.[16]Neni 24 thotë: “Organet e BFI-së janë: – Muftinia, – Rijaseti i BFI-së,- Reis ul Ulema dhe – Kuvendi i BFI-së.”

Kurse praktikisht vërtetohet se 2020 ka qenë një vit shkatërrues i organeve të BFI-së. BFI ngeli pa Reis ul Ulema, me Rijaset antikushtetues,[17] me Muftini të dezorganizuara[18] dhe me Kuvend të suspenduar. Se BFI-së nuk i ka ngelur as hija e një institucioni që parasheh Kushtetuta, mjafton këtu të sjellim disa nga nenet që flasin lidhur me Kuvendin e BFI-së:Neni 45: “Kuvendi i Bashkësisië Fetare Islame është organ më i lartë juridiko-finansiar.”  Neni 49: “Kuvendi i BFI-së: Në mbledhje të përbashkët me Rijasetin e BFI-së miraton Kushtetutën e BFI-së, ndryshimet dhe plotësimin e saj. – miraton plan-programin vjetor dhe raportin e punës së Rijasetit të BFI-së. – miraton planin financiar dhe llogarinë përfundimtare të Rijasetit të BFI-së, – verifikon miratimin e planeve financiare dhe të llogarive përfundimtare të Muftinive të BFI-së.  – miraton rregulloren për punë të Kuvendit të BFI-së si dhe akte të tjera normative të BFI-së.” Neni 50: “Kuvendi i BFI-së punon në seanca. Seancat e Kuvendit të BFI-së mbahet më së paku një herë në vit. Në mbledhjen e parë konstituive Kuvendi zgjedh kryetarin dhe nënkryetarin e vet. Me seancat e Kuvendit të BFI-së udhëheq Kryetari i Kuvendit të BFI-së. Kryetari i Kuvendit është i detyruar të konvokojë seancë të Kuvendit të BFI-së me kërkesë të Reis ul Ulemasë, Rijasetit të BFI-së dhe me kërkesës të 1/3 së anëtarëve të Kuvendit të BFI-së.” 

Pra Kuvendi si një organ juridiko-finansiar para të cilit Rijaseti miraton plan-programin vjetor dhe raportin e punës së Rijasetit, miraton planin finansiar dhe llogarinë përfundimtare të Rijasetit etj., suspendohet, dmth, puna e institucionit BFI me të gjitha organet, institucionet dhe shoqatat zhvillohet jasht binareve juridiko-finansiare. Kjo flet për shkelje të shumëfishta të të gjitha neneve të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë e BFI-së në tërësi! Megjithëkëtë, do të mundohemi t’i sjellim disa nga nenet e shkelura – nga organet e tjera të BFI-së, si pasojë e suspendimit të Kuvendit të BFI-së.

-Muftinia

Neni 32 i cili flet mbi Muftininë, mes tjerash thotë:“- zbaton vendimet e Rijasetit dhe të organeve më të larta të BFI-së,- propozon Rijasetit buxhetin dhe llogarinë përfundimtare  të Muftinisë,- paraqet raport dhe program vjetor për punën e vet para Rijasetit të BFI-së.” Muftinia si organ themelor i Bashkësisë Fetare Islame,[19] duhet të zbatojë vendimet e Rijasetit dhe organeve më të larta, respektivisht Kuvendit të BFI-së, ngase Muftinia i propozon buxhetin dhe llogarinë përfundimtare Rijasetit, kurse Kuvendi është ai organ i cili Verifikon miratimin e tij.[20] Sëkëndejmi, të gjitha Muftinitë e BFI-së aktivitetet e tyre i zhvillojnë në kundërshtim me Kushtetutën e BFI-së dhe Ligjit.

-Rijaseti

Pika e fundit e Nenit 36 që flet mbi fushëveprimin e Rijasetit thotë: “– Puna juridiko-administrative dhe financiaro-ekonomike.” Kurse Neni 37 alinea 7, 9 dhe 16 thotë:

– kujdeset për jetën e përgjithshme fetare dhe veprimtarinë e BFI-së të mbështetur mbi parimet e Sheriatit dhe në përputhshmëri me sistemin juridik të BFI-së. 

– mbikëqyr punën e organeve, enteve dhe institucioneve. 

– i propozon Kuvendit planin vjetor financiar dhe llogarinë përfundimtare për miratim.

Gjatë vitit 2020 Rijaseti ka dëshmuar se nuk kujdeset për veprimtarinë e BFI-së mbi parimet e Sheriatit dhe sistemit juridik të BFI-së, nuk ka mbikëqyrë punën e organeve e as ka plan të miratuar finansiar. Neni 38 mes tjerash thotë: “Rijaseti ka shërbimet e veta profesionale.”, situata e krijuar na bind se shërbimet e Rijasetit jo që nuk janë profesionale, por janë edhe shkatrrimtare.

-Reis ul Ulema

Gjatë vitit 2020 BFI pati Reis ul Ulema, më pastaj për disa muaj u.d. Reis ul Ulema që merrej me punët e Reis ul Ulemasë, dhe në fund, një Reis ul Ulema të kontestuar antikushtetutar për të cilin do të flasim në nëntitullin tjetër. Bazuar në Nenin 40,“Reis ul Ulema, sipas nevojës ka të drejtë të thërrasë mbledhje me të gjitha organet, institucionet, organizatat dhe shoqatat e BFI-së.”, pra, në asnjë mënyrë nuk është dashur të lejohet që 2020-ta të kalon pa u mbajtur asnjë mbledhje e Kuvendit, respektivisht, pa miratuar buxhetin e Rijasetit, pa verifikuar miratimin e buxheteve të Muftinive etj.

VIII – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e zgjedhjes së Reis ul Ulemasë

Shkeljet e Kushtetutës së BFI-së edhe në rastin e zgjedhjes së Reisu ul Ulemasë, për asnjë çast nuk ishin të befasishme. Bazuar në dekleratat e u.d. Reis ul Ulemasë në prag të zgjedhjeve, krijoheshin përshtypjet se deri në zgjedhje do t’i duhet më tepër kohë. Mirëpor, i mjaftoi një takim me zv.kryeministrin e RMV-së që më pastaj gjithçka të zhvillohet në mënyrë të përshpejtuar. Rijaseti, me përbërje antikushtetutare, më 11.11.2020 mban mbledhje dhe aty arrihet marrëveshje në shkeljet kushtetutare lidhur me përpilimin e një listë të re të përbërjes së Rijasetit, respektivisht trupit votues. Nga mbledhja dolën edhe me formim të Komisionit Zgjedhor dhe u tha se po bëhet edhe Rregullorja për Zgjedhjen e Reis ul Ulemasë. Kurse më 18.11.2020, u mbajtën zgjedhjet!

Me këtë rast kemi shkelje darstike të Kushtetutës së BFI-së, nene të cilat u shkelën edhe gjatë “shkarkimit” të Reis ul Ulemasë dhe “caktimit” të u.d. Reis ul Ulemasë si dhe nene të tjera. Po fillojmë nga shkeljet e bëra me rastin e përpilimit të përbërjes së Rijasetit, në fakt, trupit zgjedhor! Që në fillim, kjo qasje është e gabuar. Përbërjen e Rijasetit të BFI-së e kemi në Nenin 35: “Rijaseti i BFI-së është organ i cili vendos për çështje islamike.  Rijaseti i BFI-së përbëhet prej Reis ul Ulemasë, Sekretarit të Përgjithshëm të BFI-së, Muftinjve, drejtorëve dhe dekanëve të institucioneve arsimore, kryetarëve të shoqatave të Bashkësisë Fetare Islame dhe dy anëtarëve të caktuar nga ana e Reis ul Ulemasë me përvojë në organizimin e jetës fetare në radhët e BFI-së.”

Këtu nuk ka vend për pazarllëqe. Anëtarë të Rijasetit janë të gjithë ata që përfshihen në këtë Nen. Mandatet e anëtarëve të Rijasetit lidhen me funksionet që ushtrojnë ata, me përjashtim të Sekretarit të Përgjithshëm dhe dy anëtarëve të caktuar nga ana e Reis ul Ulemasë, anëtarësia e të cilëve lidhet me Reis ul Ulemanë. Që të jemi sa më të qartë, këtu po e sjellim Nenin 40 të Kushtetutës së BI të vitit 1994 i cili flet mbi përbërjen e Mexhlisit Shura (tani ky organ quhet Rijaset):“Mexhlisin Shura e përbëjnë: Muftitë, drejtorët e institucioneve edukativo-arsimore, dekanët e fakulteteve të shkencave islame, kryetari i Shoqatës së Ulemave në Republikën e Maqedonisë, drejtorët e sektoreve kryesorë në suaza të Mexhlisit Shura, pesë persona të profileve të ndryshme të jetës publike të cilët emërohen nga kryetari i Bashkësisë Islame. Mandati i anëtarëve të këtij Mexhlisi është i lidhur me funksionin që e ushtrojnë, ndërsa mandate i pesë anëtarëve nga jeta publike, që emërohen me propozim të kryetarit zgjatë po aq sa zgjatë mandati i kryetarit të Bashkësisë Islame.”

Nëse tani e krahasojmë këtë Nen dhe Nenin 35 të Kushtetutës aktuale, qartë shifet se Rijaseti ka bërë shkelje të mëdha në përpilimin e asaj liste. Nuk ka organ i cili mund të vihet mbi Kushtetutën. Në Kushtetutën e vitit 1994, drejtorët e sektoreve janë pjesë e organit, kurse me Kushtetutën aktuale nuk janë. Në fakt nuk ka drejtorë, drejtori, por vetëm shërbime profesionale. Neni 38 thotë: “Rijaseti ka shërbimet e veta profesionale.” Rijaseti i BFI-së, ashtu siç e thotë Neni 35, përbëhet nga autoritete të zgjedhura, pra, të zgjedhurit zgjedhin kryeparin e tyre, dhe jo ashtu sikurse “Rijaseti” antikushtetutar që e përpiloi listën duke shkelur mbi parimin e këtij Neni, pra ata bënë që aty të përfshihen edhe shumë të punësuar! 

Komisioni Zgjedhor i formuar nga Rijaseti që vepron në formë antikushtetutare, brenda pak ditëve disa herë u prononcua për opinion në kundërshtim me Kushtetutën! Si shembull është deklerata e njërit prej anëtarëve të komisionit: “Datën e zgjedhjeve besoj që Komisioni duhet sot ta caktojë. Rregullorja është miratuar dhe parasheh procedurën se si do të duhet të mbahen zgjedhjet, si do të paraqiten kandidatët, kush i plotëson kushtet e kështu me radhë. Besoj që së shpejti do të bëhen publike. Votimi do të bëhet në mënyrë demokratike, Kushtetuta e BFI-së i njeh të dy variantet, edhe me vota të fshehta edhe me të hapura. Zgjedhja e Reis ul Ulemasë behet konform Rregullores për zgjedhje të Reis ul Ulemasë.Kjo rregullore hartohet nga Komisioni Zgjedhor dhe ndryshon në çdo cikël zgjedhor.”[21]

Kjo dekleratë antikushtetutare, na bind se komisioni në fjalë ishte vetëm një formalitet. Nuk është e vërtetë se Rregullorja për zgjedhjen e Reis ul Ulemasë hartohet nga Komisioni Zgjedhor. Komisioni Zgjedhor nuk është trup ose organ që sjell akte normative në BFI. Nuk është e vërtetë se Rregullorja ndryshon në çdo cikël zgjedhor. Neni 70 thotë:“Me miratimin e kushtetutës në afat mbrenda një viti të gjitha aktet normative të harmonizohen me këtë Kushtetutë.” Nëse ka pasur Rregullore të harmonizuar me Kushtetutën dhe të miratuar në Kuvend, përse nevoja për një Rregullore të re! Nëse BFI-së i ka munguar Rregullorja për Zgjedhjen e Reis ul Ulemasë, është dashur të aktivizojë ndonjë komision të saj të përhershëm[22]ose në bazë të Nenit 37 alinea 5 të formon Komision për hartimin e Rregullores. Rijaseti më pastaj duhej ta propozonte për miratim në Kuvendin e BFI-së. Pika e fundit e Nenit 49 që flet mbi Kuvendin thotë:“miraton rregulloren për punë të Kuvendit të BFI-së si dhe akte të tjera normative të BFI-së.”Asnjë akt normative nuk mund të hyjë në fuqi pa miratim nga Kuvendi i BFI-së. Pra, zgjedhjet u zhvilluan në kundërshtim edhe me Nenin 42 i cili thotë: “Zgjedhja e Reis ul Ulemasë bëhet konform Rregullorës mbi zgjedhje të Reis ul Ulemasë.”

P.S.

Sipas kësaj analize shihet qartë se, që nga ndërhyrjet politike për shkarkim të ish-reisul ulemasë e deri te imponimi i “reisit” të ri, por edhe “emërimi i Muftinjëve të rinj” si dhe caktimi i do “drejtorëve dhe kryetarëve”, nga gjithsej 71 nene sa numëron Kushtetuta aktuale e BFI-së, u shkelen këto nene:1, 3, 6, 7, 8, 9, 11, 13, 23, 24, 29, 30, 31, 33, 32, 35, 36, 37, 38, 39, 40, 42, 44, 45, 49, 50, 54, 56, 58, 62, 64, 65, 70.

Të theksojmë se Neni 69 i Kushtetutës së BFI-së thotë: “Shpjegime dhe interpretime autentike të dispozitave të kësaj Kushtetute jep Rijaseti i BFI-së.”

Këshilli për mbrojtjen e kushtetutshmërisë së BFI-së ka konstatuar se, “Rijaseti” aktual, me përbërjen e vet antikushtetuese, nuk është kompetente dhe as profesionale që të japë interpretimin autentik të Kushtetutës, ndaj dhe ka përgatitur këtë analizë të thellë që ka të bëjë me të gjitha shkeljet kushtetutare të “reisit” aktual i cili, pa dyshim, është i imponuar nga subjekti jashtë BFI-së, subjekt ky që aktivitetin e vet e bazon në zhvillime politike. Pa dyshim, të gjithë ata që lejuan që politika qeveritare të përzihen në BFI, të vendosin dhe të diktojnë politika, si dhe të gjithë ata që lejuan dhe që kryen shkelje kushtetutare, një ditë do të përgjigjen para drejtësisë. Ne, si Këshill i formuar nga iniciativa e një numri të konsiderueshëm teologësh të vendit, na ngelë që të ngrisim padi si dhe t’i bashkangjitemi iniciativave të grupeve të qytetarëve që do të ngrisin procedurë gjyqësore kundër shkelësve të Kushtetutës së BFI-së.

Meqë këta shkelës nuk pranojnë të debatojmë publikisht dhe të zbardhen të gjitha anomalitë që ndodhën në BFI, meqë kjo “pari fetare” frikësohet nga debatet, obligim ky kushtetutar, atëherë, ngel që sqarimet të bëhen para organeve të drejtësisë.

BFI-ja duhet të kthehet në binaret e veta. Devijuesit duhet të largohen dhe të ndëshkohen. Fundja ky është edhe detyrim dhe obligim islam.

Këshilli për Mbrojtjen e Kushtetutshmërisë së BFI në RMV

Shaban Aziri, kordinator

Eset Shaqiri, zv/kordinator

Mirdi Brao, zv/kordinator


[1]Shkëputur nga Preambulla e Kushtetutës së BFI-së.
[2]Shkëputur nga Neni 1.
[3]“Të gjithë anëtarët e BFI-së, me këtë Kushtetutë, janë të barabartë, pa dallim përkatësie kombëtare, race ose gjinie, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet e përgjithshme, si dhe për punësim në radhët e Bashkësisë Fetare Islame. Të drejtat e anëtarëve të BFI-së janë: – Shfaqja dhe praktikimi i Islamit në jetën personale, familjare dhe shoqërore. – Rregullimi i jetës familjare si dhe arsimimi dhe edukimi në frymën e mësimeve slame. – Pjesëmarrja aktive në organizimin e jetës fetare. – Shfrytëzimi i shërbimeve të organeve dhe institucioneve të BFI-së në kryerjen e detyrave dhe arsimimin e tyre. – Të shërbehen me pronën e BFI-së në përputhshmëri me aktet normative dhe rregullat e Sheriatit. – Të propozojnë kultivimin sa më të mirë të jetës fetare. – Të informohen për punën e organeve dhe të institucioneve të BFI-së. – Për mbrojtjen e të drejtave të tyre t’u drejtohen organeve të BFI-së. – Festat fetare t`i festojnë sipas rregullave të Sheriatit dhe traditave islame. Detyrimet e anëtarëve të BFI-së janë: – t’u përmbahen rregullave, zakoneve dhe traditave islame në përditshmërinë e tyre, – t’i përmbahen Kushtetutës, akteve normative dhe vendimeve të organeve të BFI-së, – të japin kontributin e tyre të përgjithshëm material dhe kontribute të caktuara për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e BFI-së, – të paguajnë anëtarsinë e rregullt, – të mbrojnë dhe ruajnë pasurinë dhe pronën e BFI-së, – të mbrojnë vlerën, interesin, unitetin dhe autoritetin e BFI-së.”
[4]Kurse disa anëtarë të Rijasetit as nuk ishin të ftuar. Se Rijaseti kishte zhvilluar mbledhje këtë e mësuan nga mediat!
[5]Jo rastësisht përpiluesit e Kushtetutës nuk kanë paraparë që drejtuesit e këtyre organeve, institucioneve dhe shoqatave të mos jenë organe. Ata të emëruar nga Rijaseti dhe të autorizuar nga Reis ul Ulema mund të udhëheqin punët e organeve. Një person ekziston mundësia për të gabuar, për shkaqe nga më të ndryshmet, por jo e tërë Muftinia, institucioni, shoqata.
[6]“Qëllimi i BFI-së është ngritja e vetëdijes fetare, organizimi i kryerjes së ibadeteve si dhe format e tjera me të cilat shprehen ndjenjat dhe jetësimi i Islamit te muslimanët.” 
[7]“BFI qëllimet e veta i realizon përmes: – mësimit dhe kultivimit të vlerave islame, – themelimit dhe mirëmbajtjes së xhamive, mesxhideve, qendrave islame, teqeve dhe mektebeve. – themelimit dhe veprimit të institucioneve edukativo-arsimore, – themelimit dhe veprimit të institucioneve shkencoro- kulturore, -themelimit dhe mirëmbajtjes së bibliotekave, hanikaheve, arkivave, muzeve, instituteve dhe institucioneve të ndryshme, – themelimit dhe mirëmbajtjes së varrezave, – themelimit dhe veprimit të institucioneve bëmirëse, – themelimit të vakëfeve, mirëmbajtjes dhe mbrojtjes së pronës së BFI-së, – promovimit të së mirës dhe luftës kundër së keqes, – organizimit të veprimtarisë botuese, – kultivimit dhe bashkëpunimit tradicional me të gjitha bashkësitë islame, institucionet, asociacionet dhe organizatat e ndryshme në botë, të cilat kultivojnë vlera islame. – bashkëpunimit me bashkësitë tjera fetare, organizatat joqeveritare dhe organet shtetërore në vend, dhe -përmes çdo veprimtarie fetare, kulturore, shkencore, shëndetësore dhe socio-ekonomike për avansimin e popullatës muslimane.”
[8]Pasuria e BFI-së fitohet prej: – të hyrave nga vakëfet dhe pasurive të tjera të tundshme dhe të patundshme të organeve dhe isntitucioneve të BFI-së dhe prej të ardhurave që vijnë prej tyre, – zeqatit, sadakatul-fitrit dhe të dhënurave të tjera fetare, – të hyrave të rregullta dhe të dhënurave të tjera vullnetare të cilat i dedikohen BFI-së, – dhuratave dhe testamenteve (vasijeteve) që dhurohen, – fondeve të ndryshme dhe të hyrave nga ato, – të hyrave nga veprimtaritë e organizatave dhe institucioneve të themeluara nga BFI, – të hyrat nga shërbimet fetare dhe administrative dhe – donacionet, sponzorimet nga organizatat dhe asociacionet qeveritare dhe joqeveritare si dhe nga të dhënat e tjera.”
[9]“Fushëveprimi i Rijasetit të BFI-së në vend dhe jashtë: – Organizimi i jetës fetare, – Zhvillimi i njohurive edukativo-arsimore, kulturoro-shkencore dhe informative. – Ndërtimi dhe mirëmbajtja e objekteve islame. – Strukturën organizative dhe veprimtarinë e organeve të BFI-së. – Bashkëpunimi me organizatat dhe institucionet islame në botë. – Puna juridiko-administrative dhe financiaro-ekonomike.” 
[10]Reisul -Ulema: – përfaqëson Bashkësinë Fetare Islame në vend dhe jashtë;- jep murasele (autorizim) për kryerjen e punëve fetare, pa të cilën tërheq kontest të legjitimitetit; – emëron dekanët, drejtorët dhe mësimdhënësit të institucioneve arsimore të BFI-së dhe mësimdhënësit e lëndës së mësim-besimit në shkollat publike.- organizon dhe mbikëqyr punën e shërbimeve profesionale të BFI-së.- konvokon dhe udhëheq seancat e Rijasetit dhe kujdeset për zbatimin e vendimeve të tij;- ndërmjet dy mbledhjeve të Rijasetit, kryen punë të domosdoshme që janë në kompetencë të Rijasetit dhe për këtë informon Rijasetin në seancën e radhës. – nënshkruan aktet e Rijasetit;- nënshkruan aktet për punësim në BFI;- ndan shpërblime për të arritura të veçanta në avansimin e jetës fetare;- viziton regjionet në të cilët jetojnë pjesëtarët e fesë islame; që të njihet drejtpërdrejtë me gjendjen dhe propozon masa për zhvillimin dhe avansimin e jetës fetare; – lejon pushimet e muftive, dekanëve, drejtorëve të medreseve, drejtorëve dhe kryetarëve të institucioneve, shoqatave të cilat janë në mbikqyrje të Rijasetit;- ka të drejtë të  pengojë  ekzekutimin  e  vendimeve  të organeve dhe të institucioneve të BFI nëse konstaton se të njejtat janë kundërshtim me ligjin dhe parimet islame dhe të njëjtat t’i kthejë në rishqyrtim, kurse vendimin përfundimtar e sjell Rijaseti i BFI-së. – dekreton vendimet e marrura nga Rijaseti i BFI-së.” 
[11]“Reis ul Ulema, sipas nevojës ka të drejtë të thërrasë mbledhje me të gjitha organet, institucionet, organizatat dhe shoqatat e BFI-së.”
[12]Ndërhyrje të ngjashme në vendimet e BFI-së nga i njëjti subjekt politik pati disa herë edhe gjatë vitit 2005. Anëtarë të Kuvendit të BFI janë dëshmitarë se si u mblodhën dhe si u dërguan në Strugë për të zgjedhur  zv.Reis ul Ulema!
[13]“Fushëveprimi i Rijasetit të BFI-së në vend dhe jashtë: – Organizimi i jetës fetare, – Zhvillimi i njohurive edukativo-arsimore, kulturoro-shkencore dhe informative. – Ndërtimi dhe mirëmbajtja e objekteve islame. – Strukturën organizative dhe veprimtarinë e organeve të BFI-së. – Bashkëpunimi me organizatat dhe institucionet islame në botë. – Puna juridiko-administrative dhe financiaro-ekonomike.” 
[14]“Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame: – propozon, zgjedh dhe shkarkon Reis ul Ulemanë,- cakton numrin e Muftinive dhe bën emërimin e muftive.- emëron Sekretarin e Përgjithshëm me propozim të Reis ul Ulemasë. – zgjedh anëtarë të komisionit disiplinor dhe prokurorin publik të BFI-së. – formon komisione dhe këshilla të përhershme dhe të përkohshme. – verifikon mandatet dhe shpall zgjedhjet e rregullta dhe të parakohshme. – kujdeset për jetën e përgjithshme fetare dhe veprimtarinë e BFI-së të mbështetur mbi parimet e Sheriatit dhe në përputhshmëri me sistemin juridik të BFI-së. – organizon dhe autorizon kuadrin fetar në diasporë.- mbikëqyr punën e organeve, enteve dhe institucioneve. – miraton plan-programet e institucioneve edukativo-arsimore si dhe programet dhe tekstet e mësim-besimit. – angazhohet për mbrojtjen e të drejtave fetare të muslimanëve. – themelon ente dhe institucione.- sjell vendim për themelimin e vakëfit. – sjell vendim për ndërrimin e pasurisë së vakëfit, në bazë të propozimit të organit gjegjës, nëse është në pajtueshmëri me rregullat e Sheriatit. – vendos për ankesat e organeve më të ulta të BFI-së.- i propozon Kuvendit planin vjetor financiar dhe llogarinë përfundimtare për miratim.- organizon grumbullimin e mjeteve nga zeqati, sadekatul-fitrit dhe të hyrave të tjera.- është organizator kryesor dhe i vetëm në realizimin e kryerjes së Haxhit dhe Umrës.- emëron, ndërron dhe shkarkon anëtarët e Rijasetit.- lejon rregullat e tarikateve, mbikqyrë punën e tyre dhe verifikon zgjedhjen dhe emrimin e shehlerëve.- lejon botimin e literaturës Islame.- në kushte të jashtëzakonshme kryen edhe detyra të organeve të tjera.Rijaseti i BFI-së mban mbledhje së paku njëherë në muaj.Mbledhjen e Riajsetit të BFI-së e konvokon dhe e udhëheq Reis ul Ulemaja, në raste të veçanta atë e konvokon me kërkesë të 1/3 të anëtarëve të Rijasetit.”
[15]I propozuar nga subjekt politik, pjesë e pushtetit.
[16]Neni 23
[17]Antikushtetues për nga përbërja.  Rijaset pasiv që krahas të tjerave shkel Nenin 37, pikën ku thuhet: “Rijaseti i BFI-së mban mbledhje së paku njëherë në muaj.” Viti 2020 iku me vetëm tre-katër mbledhje të Rijaseiti, kurse me shumë aktivitete antikushtetutare dhe qeshare. U dëshmua se çfar hapësirë u jepet pritjeve dhe urimeve në dëm të obligimeve të domosdoshme.
[18]Mes tjerash shumica e Muftinive shkelin mbi nenin 29 alinea 5: “Mexhlisi i xhematit është kuorum i gjërë konsultativ i Muftinisë.” Vetëm dy-tre Muftini që mblidhen ndonjëherë, shumica e Muftinive Mexhlisin e xhemateve e mbledhin vetëm gjatë zgjedhjeve të organeve kolektive, dmth, në çdo katër vite! Të gjitha Muftinitë e BFI-së shkelin Nenin 33 alinea 1: “Muftinia mban mbledhje të rregullta më së paku një herë në muaj.” Vetëm disa nga Muftinitë mbajnë mbledhje nga tre-pesë here brenda vitit, disa të tjera nga një mbledhje, disa Muftini nuk kanë mbajtur asnjë mbledhje gjatë vitit 2020!
[19]Shif Nenin 28
[20]Neni 49 alinea 4: “– verifikon miratimin e planeve financiare dhe të llogarive përfundimtare të Muftinive të BFI-së.”  
[21]Dekleratë e publikuar në shume media të vendit më 12.11.2021
[22]Neni 38 thotë:  “Rijaseti ka shërbimet e veta profesionale. Rijaseti formon komisione të përhershme dhe të përkohshme.”

Leave a Reply