Shoqatat e shkrimëtarëve vetëm në letër

Në vitet 80-ta, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës do të bëhet epiqendra e shpresës së madhe të shqiptarëve të ish Jugosllavisë kundër padrejtësive të shumta që, sidomos kulmin e arritën, nën regjimin brutal serb të Millosheviqit, por edhe e kërkesave kombëtare. Mbase, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, do të bëhet zëri më i fuqishëm në nxjerrjen në shesh të vërtetës shqiptare. Pikërisht anëtarët e kësaj shoqate, menjëherë pas fillimit të rrënimit të Federatës jugosllave, do ta themelojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugovën, kurse bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij do të jenë pikërisht shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare që krijohej atëbotë në Kosovë. Ishte shumë normale që elitat ta marrin në dorë fatin e kombit dhe t’ia përcaktojnë ardhmërinë dhe ja tek e kemi sot Kosovën, shtet të pavarur.
Po sot, sot ku janë shoqatat e shkrimtarëve shqiptarë! Çfarë bëjnë! Pse nuk u ndihet zëri për shumë anomali që e kanë kapluar gjithandej shoqërinë shqiptare? Është pak e besueshme se dikush mund t’ju tregoji se cili është roli i vërtetë i këtyre shoqatave, që fatkeqësisht kanë mbetur të shënuar vetëm në letër dhe asgjë më shumë. Shkrimtarët, përkatësisht shoqatat e tyre, e kanë për obligim moral ta thonë të vërtetën për gjithçka, t’i shtrojnë problemet, të debatojnë për to, të sjellin përfundime konkrete, të cilat do të mund lirshëm t’ua drejtonin autoriteteve shtetërore.
Shoqatat e shkrimtarëve do të duhen të dalin nga letargjia dhe të fillojnë të diskutojnë për shumë probleme që prekin letërsinë shqiptare ose që zhvillohen në emër të letërsisë shqiptare. Duhet të flasin për pozitën e librit shqip, për inflacionin në sferën e botimeve, por edhe për një duzinë problemesh tjera.
Shoqatat e shkrimtarëve në rrethanat aktuale, ku gjithandej hapësirave shqiptare shihet se diçka nuk funksionon, duhet të promovojnë ide alternative kulturore, politike dhe shoqërore. Sepse është e qartë se në Ballkan, pikërisht ku janë shqiptarët, idetë e vjetra, por edhe të reja gjeo-strategjike mund të sjellin ndryshime sa të mira, aq edhe fatale. Ndaj zëri i shkrimtarëve duhet të vijë në shprehje pikërisht për shkak të misionit dhe veçantisë që kanë ata…(HEJZA)

Leave a Reply