Shpëtohen 250 emigrantë në brigjet e Kalabrisë

Roja bregdetare italiane shpëtoi rreth 250 imigrantë, mes tyre një foshnje e porsalindur, nga një varkë që po lundronte disa milje larg brigjeve të rajonit të Kalabrisë.

Autoritetet bënë të ditur nëpërmjet një deklarate se operacioni, i kryer gjatë mbrëmjes të së shtunës dhe të dielën në mëngjes, u ndërlikua nga kushtet e vështira të motit dhe zgjati më shumë se 16 orë.

Gjithsej u shpëtuan 244 persona, nga të cilët 41 të mitur, përfshirë foshnjën e lindur në varkë të shtunën.

Në javët e fundit Italia është përballur me një rritje të fortë të numrit të emigrantëve që vijnë me varka, dhe zhvillimi më i fundit pritet të rrisë trysninë mbi qeverinë e kryeministrit Mario Draghi për të siguruar një marrëveshje me partnerët e Bashkimit Evropian mbi mënyrën e trajtimit të fluksit të imigrantëve.

296 emigrantë të tjerë u shpëtuan nga roja bregdetare italiane në Mesdhe, më 25 nëntor, teksa përpiqeshin të arrinin në Evropë.

Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme mbi 62 mijë imigrantë kanë arritur deri tani në Itali, gjatë këtij viti ose dyfishi i numrit të shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./ VoA

Leave a Reply