Fico: Kemi gati mjekët dhe infrastrukturën
Shqipëria është në pritje të vaksinës antiCovid. Në një intervistë për televizonin Klan drejtuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, deklaroi se infrastruktura është e gatshme në çdo moment që vendi ynë merr dritën jeshile për vaksinën.
“Vaksinat të cilat diskutohen janë vaksina të cilat kanë kushte të ndryshme ruajtje, nga +4, +8 në -70. Edhe vaksinat që ne përdorim në kalendar kanë kushte të ndryshme ruajtjesh, çka do të thotë që jemi të përgatitur të presim vaksina të cilat janë të skenarit të ndryshëm të zinxhirit ftohës”, tha Fico.
Paralelisht me infrastrukturën, Fico thotë se gati janë edhe ekipet mjekësore.
“Jemi duke punuar paralelisht me vlerësimin e situatës për pritjen e vaksinave dhe ndërtimi i një infrastrukture njerëzore shtesë për këtë çështje. Në mënyrë të vazhdueshme trajnohen këta vaksinatorë. Sa i përket njohurive teknike për aplikimin e vaksinës antiCovid nuk ka kjo vaksinë një tjetër lloj aplikimi”, u shpreh drejtoresha e ISHP-së.
Ende nuk janë përcaktuar sakte vendet ku do të injektohet vaksina. Si fillim atë do ta marrin mjekët dhe personeli i shtëpive të të moshuarve, për të kaluar më tej tek kategoritë e përcaktuara si më të rrezikuara nga infektimi me Covid-19. Shqipëria është pjesë e grupit Covax për marrjen e vaksinës antiCovid./Tv Klan