Në kulmin e krizës që shkaktuan temperaturat e acarta që mbërthyen Teksasin këtë javë, vëmendjen e mediave e tërhoqën një çift shqiptarësh nga Kosova për gjestin e tyre tepër human.
Ari Isufaj dhe Blinera Shureca hapën dyert e restorantit të tyre “Bella Italia” në Dallas, duke ofruar ushqim falas për banorët e lagjes së tyre, në kushtet kur ata vuanin për ngrohje dhe ujë për shkak të mungesës disa ditore të energjisë elektrike.
“T’ju them të drejtën, gatuanim lazanja dhe pasta, si më të lehtat për t’u gatuar me gaz, pasi s’kishim as energji e asgjë”.
Rekordin e arritën të Mërkurën kur për 3 orë u servirën ushqim falas të specialiteteve italiane 500 banorëve. Ata thonë se drejtuesit e këtij lokali janë njerëz të veçantë.
“Janë njerëz specialë dhe nuk kisha asnjë dyshim se nëse vija këtu dhe ata shihnin njerëz në nevojë, ata do t’ua plotësonin të gjitha nevojat”.
Ari Isufaj e konsideron vendimin e tij edhe si një mënyrë për t’u shprehur falënderimin banorëve të zonës, të cilët i mbështetën kur pandemia ua vuri në vështirësi ekzistencën e biznesit të tyre.
“Kur u goditën nga COVIDi, klientët tanë realisht na mbështetën. Menduam se do e humbnim biznesin, por klientët tanë u dyndën dhe ja ku jemi. Tani që u prekëm nga acari menduam të ndihmonim fqinjët tanë”.
Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e katastrofës natyrore në Teksas, pasi acari me temperatura minus 18 gradë celsius la pa energji e ngrohje 3.3 milionë banesa, mes të cilave 80 akoma nuk po furnizohen për shkak të dëmtimit të linjave. Mbi 60 persona kanë humbur jetën nga moti i ftohtë i pazakontë në gjithë vendin.