Midis nesh
Shtëpitë e shumta botuese shqiptare në rrethanat aktuale paraqesin një lëndë të mjaftueshme, mbase edhe shqetësues për një analizë të mirëfilltë. Shumica e këtyre shtëpive botuese (që funksionojnë me një njeri – “botuesin”) nuk kanë identitet dhe më shumë u ngjajnë tezgave të pazareve ku shitet gjithçka.
Natyrisht, përjashtim bëjnë ato shtëpi botuese, të cilat tashmë janë dëshmuar me përkushtimin e tyre profesional. Janë ato shtëpi, të cilat kanë politika të përcaktuara botuese, kanë ekipe profesionale, marketingun dhe të gjitha segmentet që flasin për seriozitetin e një shtëpie botuese, që si mision ka zhvillimin e letërsisë kombëtare. Janë po këto shtëpi që arritën me sukses t’u bëjnë ballë të gjitha sfidave të kohës tash e 30 vjet me radhë, që kur në hapësirat shqiptare u përmbys sistemi komunist.
Por, fatkeqësisht, është edhe një numër shumë i madh i të ashtuquajturave shtëpi botuese, të cilat, siç kanë treguar mijëra e mijëra shembuj, jo që e kanë dëmtuar letërsinë shqiptare, por dëmet (të cilat vazhdimisht shtohen) vështirë se do të mund të riparohen.
Por, edhe çfarë shtëpi botuese kemi?
Janë disa që i presin vetëm konkurset e ministrive të kulturës dhe janë shumë të lumtura nëse marrin mjete për dy apo tri botime, sepse në mungesë të një kontrolli adekuat, bëjnë disa malverzime që i shkojnë për shtati thënies:”edhe ujku i ngopur, edhe delet në numër” dhe askush nuk e di se ku përfundojnë ato botime.
Pastaj, kemi shtëpi botuese, të cilat shërbejnë vetëm për botimin e veprave të pronarit të shtëpisë botuese dhe dy –tre miqve apo mikeshave të tij.
Të shumta janë ato shtëpi botuese që kriter botimi kanë vetëm paranë. Ata botojnë gjithçka, lloj –lloj autori, por vetëm me kusht që ky i fundit, pra “autori”, ta paguajë botimin aq sa mendon botuesi.
Më kurnacë janë botuesit që bëjnë çmos (përmes rrjeteve sociale) t’i joshin ata që merren me shkrime, por që jetojnë jashtë atdheut të tyre. Gjahu pas tyre është permanent, sepse, sipas tyre, ata kanë para të tepërta. Prapa kulisave flitet se këta botues, për shumë arsye, tregohen me shumë se xhentëlmenë ndaj femrave, të cilat, sipas tyre, mashtrohen më lehtë.
Kohëve të fundit, vërehet se edhe shtypshkronjat kanë filluar të paraqiten si botues, duke u bërë kështu, krahas të qenët tregtar, edhe botues.
Ajo që tashmë dihet është fakti se në proporcion me numrin e shqiptarëve, lexuesve, por edhe autorëve, numri i shtëpive botuese është jashtë normales. Ndaj dhe është e qartë se cili është qëllimi i mbi 90 për qind të shtëpive botuese në të gjitha hapësirat shqiptare…./HEJZA/